Miriam Bird Greenberg – Ofidia

OFIDIA
Miriam Bird Greenberg [ 1980, ShBA ]

(thuhet se plejada Ofikius përfaqëson një figurë njeriu mbështjellur nga gjarpëri. Ekuatori qiellor si dhe ai ekliptik kalojnë përmes kësaj plejade, por nuk llogaritet ndër shenjat e zodiakut)

Ditët tashmë veç përcëllonin
kur e kaluam lumin në Lindje
kah Quartzite, mini-dyqan
gjeologësh dhe mbledhës të gjeodave*,
bixhozxhinj të parëndësishëm
në tregun e plaçkave të lira
nën qiellin e hapur. Flinim jashtë
në BLM-kampet* si pjesë e një kolonie
endacakësh në shkretëtirë,
asgjë që ia vlente për syrin pos
mjegullnajave yjore, materie e errët
shkundur nga nënqepallat e yjeve.
Këndej Ofikiusi ynë ishte i bërë
nga dhëmbëz e thumbash,
ose kafshimin e kishte helmues.
E mbante errësirën në gojë
butësisht si një gjitar që mban
një kafshë më të vogël për t’u
përvjedhur para dikujt me 12-she*,
xhepat plot kërkëllimë predhash
siç kërcasin dhëmbët e një kojoti
në zgavrën e vet, kur lëkura e tij,
nxirë nga dielli, qërohet në pjesët
ku mizëri insektesh nuk gjëlojnë.

I dhashë ushqim një djaloshi
që e pashë të flinte në një
shpellëz dunash, i cili me sa dukej
s’fliste asnjë gjuhë fare. Tre ditë
më vonë, e takova rishtas
tek po ecte auto-udhës që e truponte
grykën e maleve, dhe fytyrat tona
shndritën kur pamë njëri-tjetrin.
Ke nevojë për ndonjë gjë, e pyeta?
Për ujë, për pak para? Jo,
e tundi kokën ai, plot gaz.
Ishte në kthim e sipër në Hjuston
për një verifikim, dhe do t’kthehej
për një tjetër gjiro muajin që vjen,
dhe pagesa e pakërkuar invalidore
e vëllait të vdekur e priste tashmë
në një “P.O. box” në Palm Desert.
Dita i shkundte dozat me plafin
e vet të nxehtësisë, duke vezulluar
mbi asfaltin e zi, duke kënduar
shinave të binarëve që shtriheshin
në diell ndanë nesh me shkëlqim.

Si mundet një fantazmë fillikat,
po hamendësoja, ta tjerr litarthin e vet
që t’na lëshojë më në fund në botën
e nëntokës, dhe ta mbajë veten
mjaftueshëm të ushqyer me bukë
e sardele, njëkohësisht? Diku një
burrë po merrte në shenjë thërminë
më imcake nga mishi i tij. Diku po
kapte flutura nate me duart mbledhur
si kupë. Flaka e një fije shkrepseje
në majë të cigares tek xixëllin
para se ta tërheq si frymë e thellon
errësirën që bie vetëm pak përtej
fytyrës së ndriçuar të tij.

* zgavër e vogël apo e çarë në shkëmb e përshkuar me kristale, dhe të tjera minerale.
* fjalë nga zhargoni urban, ose derivacion urban (kampet e BLM – Bureau of Land Management – ShBA), për kampistët dhe endacakët (me pantallona të shkurtër) zakonisht me “dhomën e gjumit” dhe të gjitha plaçkat në një strajcë shpine
* kalibër armësh zjarri

– – –
© Miriam Bird Greenberg – Burimi: “The Missouri Review”, 2015
© Për shqipërimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2015