Linda Hogan – Brenda

BRENDA
Linda Hogan [ 1947, ShBA ]

Se si diç kthehet në mish
askush s’mund ta thotë. Supë
e bufalo-buallit bëhet një grua
që çdo ditë u këndon kuajve të vet,
ose e fton dike tjetër brenda
trupit privat, duke i thënë eja,
preke, kështu fillon, rruga
e një të sapolinduri i cili,
i shpëtuar nga jetët dhe botët
tjera, do t’rritet në një grua,
në një burrë, me një zemër
që s’pushon kurrë, dhe manaferrat
e vjelura, rrushi i egër hyn në trup,
verë njerëzore që mund të dashurojë,
ku asgjë që krijohet nuk shkon “posht”;
gruri i gëlltitur ju çon ndër ëndrrat
e një nate tjetër, mishi i drerit
kthehet në duar mjaftueshëm
të forta për t’punuar.

Por më së shumti e dua krijesën
qimebardhë që ha gjethe jeshile;
dielli shkëlqen tek gëlltitet
atje larg, duke u shfaqur
në fytyrën e saj, duke thithur gjithë
dritën, dhe në fund kur hija e tokës
hyn në trup dhe brenda ngelet,
në fund fare, mund të thuash,
Kjo është Unë, ende e panjohur,
ende një mister.

– – –
© L. Hogan, 2008 – Burimi: Rounding the Human Corners (Coffee House Press, 2008), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018