Ingres – Apoteoza e Homerit, 1827 (Figurat)

(sg – ap, t 22 – koment)

Në pikturën e Ingres “Apoteoza e Homerit” (Louvre, Paris) e shohim kurorëzimin e Homerit me kurorën e pavdekësisë nga Viktoria (Universale). Ulur, poshtë këmbëve të tij, i shohim dy figuracione “femërore” si përfaqësime të veprave Iliada (majtas) dhe Odisea (djathtas).

Rreth Homerit, duke i bërë homazhe plot figurash të tjera, disa nga më të mëdhenjtë e Artit dhe të Letërsisë, plot 44 figura të Greqisë, Romës, dhe personalitete të kohëve më të reja. Shohim poetin e lashtë, Orfeun (afër supit të Homerit, nr. 7), poeteshen Safo (mezi dallohet, nr. 4), Danten (majtas, me të kuqe) së bashku me Virgjilin (nr. 6), piktorët Rafaelin, Mikelanxhelon, Pusinin – të mëdhenjtë si Platoni, Sokrati, Aristoteli, Sofokliu, Herodoti, Horaci, Pindari, Hesiodi, por dhe Shekspiri e Molieri, e madje dhe Mozarti si muzikant etj.

Ndërsa ç’kërkon Aleksandri i Madh mes këtyre madhorëve të art-kulturës perëndimore, tani për tani s’do “hamendësojmë”… mbase ndonjëherë tjetër : )

Thuhet se piktura e Ingres është frymëzuar fuqishëm nga afresku “Parnasi” i Rafaelit, dmth. kuptohet dhe nga afresku “Shkolla e Athinës”. Gjatë studimit dhe zhvillimit të idesë (për kompozimin) piktori Ingres do i bënte më shumë se 100 vizatime dhe skicash paraprake. Në fakt Ingres (përmes kësaj pikture) sikur donte të “shtyhej” me Rafaelin (edhe ai prezent në pikturë, figura nr. 8). Lidhur me kohën e Rafaelit (1483-1520), afresket e tij (në Pallatin Apostolik, Vatikan) kanë t’bëjnë me katër fusha të dijes njerëzore: me Poezinë (afresku “Parnasi”), me Filozofinë (“Shkolla e Athinës”), me Fenë (“Diskutimi i Sakramentit të Shenjtë”), me Ligjin (“Virtytet Kardinale dhe Ligji”).

***
Një artikull i National Geographic (v. 2015) sugjeronte se Homeri s’ishte një “person” por një “traditë”. Poemat Iliada dhe Odiseja s’janë produkte autoriale por janë “derivate” fundimtare të traditës. Bëhej fjalë për librin “Why Homer Matters” të autorit Adam Nicolson, i cili thotë se “është gabim të mendosh për Homerin si një person. Homeri s’ishte “ai” (he) por (it) (“ajo”, si traditë). Homeri thjesht ishte një traditë“. Nicolson pohon se veprat që i atribuohen Homerit në fakt shkojnë nja 1000 vjet më mbrapa në lashtësi, nga ç’besohet.

Ai thotë se poemat e Homerit, veçanërisht “Iliada”, fillimet e tyre i kanë rreth v. 2000 pes. Dmth. 1000 a 1200 vite më herët nga ç’mendohet (shek. VIII pes.). Arsyeja për pohimin e tij është se në epikat homerike ka elemente të shumta (sidomos në Iliada) që janë të përbashkëta me ato të botës indo-evropiane në tërësi. Elemente që janë përdorur në gojëdhanat që nga India e deri tek ato germanike dhe vikingeze. Sipas Nicolson, materia homerike ka elemente të thella që s’kanë lidhje me Greqinë a me Egjeun.

***
[ Jean-Auguste-Dominique Ingres (1780-1867) – “Apoteoza e Homerit“, 1827 (figurat)

1 – Homeri / 2 – Iliada (personifikim) / 3 – Odiseja (personifikim) / 4 – Safoja / 5 – Dante / 6 – Virgjili / 7 – Orfeu / 8 – Rafaeli / 9 – Euripidi / 10 – Menanderi / 11 – Demosteni / 12 – Sofokliu / 13 – Askilisi / 14 – Herodoti / 15 – Alkibiadi / 16 – Linusi / 17 – Horaci / 18 – Muzeu i Athinës / 19 – Viktoria Universale / 20 – Pindari / 21 – Hesiodi / 22 – Platoni / 23 – Sokrati / 24 – Perikleu / 25 – Fidia / 26 – Mikelanxhelo / 27 – Aristoteli / 28 – Aristarku / 29 – Aleksandri i Madh / 30 – Apellesi / 31 – Pesistratosi / 32 – Likurgu / 33 – Ezopi / 34 – Shekspiri / 35 – Jean de la Fontaine / 36 – Torquato Tasso / 37 – Mozarti / 38 – Nicolas Poussin / 39 – Pierre Corneille / 40 – Jean Racine / 41 – Molieri / 42 – Nicolas Boileau / 43 – Longinusi / 44 – François Fenelon / 45 – Christoph W. Gluck / 46 – Luis Vaz de Camoes
(sguraziu)