Pirandello – Mund t’i ëndërrosh gratë, por dhe ato u ngjajnë ëndrrave!

(sguraziu – ars poetica, k 2021)

(Luigi Pirandello (1867-1936) – Çmimi Nobel për Letërsi, 1934 – më vonë madje dhe medaljen e Nobelit do ia dhuronte qeverisë fashiste…)

Ata që merren me shkrime e kanë sadopak të sigurt që ndonjë detaj i ëndrrave megjithatë mbijeton. Ia vlen të “ngushëllohemi” me dimensionin oniristik. Diç e ëndrrave regjistrohet diku në arkivat oniristike të kohës. Dhe vetëm kaq në fakt do duhej t’ishte diç si mirënjohje a shpërblim.

Njësoj siç fotot i ruajnë “kujtimet” dhe të kaluarën e pamjes sonë, edhe ruajtja e çfarëdoshme e ëndrrave, e scribo-veseve, e “memories” sonë nëpër letrat e zverdhura, është supozuar t’jetë nder dhe nderim : )

Sido që t’na shpaloset realiteti i jetës dhe i historisë, mbase ia vlen të shkruajmë, s’bën të zhgënjehemi, s’bën t’na duket “humbje kohe”. Jo bash gjithkush do nderohet me Nobela, por s’kemi pse aspirojmë gjëra që nuk i kemi në dorë. S’duhet as brengosje për mungesë lexuesish, le t’mungojnë madje dhe në Fb, sepse dhe “social-izmat” e internetikës i kanë hujet e veta. Dinamizmi i gjithçkaje sikur u nënshtrohet ligjeve të cilat ligje ne mund t’mos i kuptojmë, janë të pakapshme për ne.

Mund t’jemi, ose te “ndjehemi” ekspertë të shkrimtarisë (ashtu na e thotë mendja, ashtu hamendësojmë)… e megjithatë dhe vetëm mënyra si e përceptojmë botën mund t’jetë diç si ëndërr. Mund t’jetë idealizim i mbarsur me iluzion. S’përjashtohet mundësia shpesh ka madje dhe lajthitje, në këtë rrafsh ndodhë t’jenë “lajthitur” dhe vetë nobelistët.

***
Dashuria ime e vërtetë gjithmonë ka qenë Gjumi, që më shpëtonte duke ma lejuar të ëndërroj” – pati thënë nobelisti Pirandello.
E qartë se gjumi dhe ëndrrat ia sillnin “shpëtimin”, se ç’do ketë ëndërruar nobelisti i letërsisë s’kemi si ta dimë. Por dihet se dikur i adhuronte fashistët, më vonë sikur qe zhgënjyer nga “absurditeti” i politikave dhe secilën herë e më tepër thuase do merrej me “psiko-analitikat” ( s’di pse më bëhet që mund ta ketë lexuar dhe “Interpretimin e Ëndrrave” të Frojdit, s’jam i sigurt, natyrisht, por : )

Më vonë pati deklaruar se i pëlqen “apolitizmi”, se nuk i interesojnë politikat, mirëpo dihet që i pati shfrytëzuar shumë “favore e beneficione miqësore” nga Musolini.

Madje dhe Nobeli i pati “ardhur” pas nominimit nga qarqet e larta akademike pro-fashiste – atëbotë, nga qarqet e lidhura me qeverinë (nga pro-fashistët e kulturës italiane).

Librat e tij qenë promovuar gjithandej nëpër botë, thuhet madje se dhe medaljen e Nobelit do ia dhuronte qeverisë fashiste (që të shkrihej e të shfrytëzohej për financimin e kampanjës ushtarake rreth okupimit të Etiopisë, 2-3 vite më vonë do ishte e “njëjta” Itali fashiste që do ta pushtonte dhe Shqipërinë)…

Kuptohet, s’kemi si ta dimë se çfarë do ketë ëndërruar Pirandello, gjithsesi njëherë tjetër qe shprehur se “gratë u ngjajnë ëndrrave, kurrë s’janë ashtu siç do doje të ishin”.

Veç e thamë se është nder që letrat dhe letërsia e ruajnë “memorien” tonë. Aty-këtu copëza ëndrrash të shkrimtarëve na shpalosen nëpër shkrimet e tyre, tërthorazi na bëhet e “ditur” se Pirandello medoemos do i ketë ëndërruar dhe gratë : )

 

[ Luigi Pirandello (1867-1936) – Çmimi Nobel për Letërsi, 1934 – në foto: Pirandello, dhe Ajnshtajni në v. 1935 ]