Socio-Migracioni Digjital Akademik (Ikja e shkencëtarëve nga Twitter)

(s. guraziu – ap, n 22 – koment)

Një artikull i freskët, via Newsletter nga “Science – Scienceinsider” (Science Org – 4 Nëntor, autor Kai Kupferschmidt) thoshte se derisa Elon Musk përpiqet për ristrukturimin, për riformimin e Twitter, akademikët sikur janë të preokupuar me ankthin e “dyndjes”, me idenë e “migracionit” digjital, me idenë e “fluturimit” ndokund tjetër. Shumë studiues ose persona nga bota akademike qenkan duke krijuar profile në faqen socio-mediatike Mastodon…

Problemi i toksicitetit në Twitter ashtu-kështu qenka brengosës, dhe tashmë (pas blerjes nga Musk) nëse do rritet ky toksicitet, pritet të shihet. Për momentin, shumica e studiuesve qenka duke pritur të shohin se ç’do ndodh me Twitter. Sidoqoftë, shpejtësia aktuale me të cilën akademikët qenkan duke “migruar” (kah platforma analoge Mastodon), s’qenka e “vogël”. Ky fenomen i dyndjes qenka duke i habitur si vetë shkencëtarët, po aq dhe analistët e mediave sociale. Fare lehtë mundka të ndodhë një “migrim masiv” i shkencëtarëve.

Artikulli ishte “ilustruar” me shembuj komentesh nga shkencëtarë të ndryshëm. Komenti i Angela Rasmussen (virologe në Universitetin e Saskatchewan, i paska 411.000 ndjekës në Twitter) sikur shquhej për troçësinë e shpalosjes së problematikës. Ajo qenka shprehur se nuk do largohet nga Twitter për sa kohë “e mira më e madhe se e keqja”. Ajo vetë paska përfituar mjaft nga platforma, e paska gjetur madje dhe punën via Twitter, paska mjaft gjëra të mira për karierën duke qenë në kontakt me komunitetin aty.

Mirëpo nëse njerëzit “duan t’ma thonë se jam një budallaqe / e shëndoshë / e shëmtuar / e moshuar / “unfuckable” / e padashur / e kompromentuar / e korruptuar / konfliktuoze / e paaftë… nëse personat e tillë e kanë lirinë pa pagesë për t’thënë çdo gjë të mundshme pa kufizim a moderim, atëherë përfitimi nga prezenca në Twitter s’do kishte dhe aq kuptim…”

Sipas autorit Kupferschmidt, edhe pse Twitter mund t’jetë një diç e mirë si platformë për “fjalën e lirë” publike, s’paska qenë kurrë biznes profitabël. Përpjekjet e Elon Musk për ta bërë Twitter biznes fitimprurës mund të përfundojnë duke e dëmtuar platformën.

Në mbyllje të artikullit qenka përmendur dhe “bukuria” e kuptimit social të Twitter – edhe nëse akademikët dynden masivisht nga Twitter në Mastodon, pyetja e madhe qenka nëse dhe publiku i gjerë do “dyndet” gjithashtu. Duke ua mundësuar kështu shkencëtarëve që të komunikojnë dhe me publikun, sesa vetëm me njëri-tjetrin.

“Kur postoj në Twitter sikur flas dhe me fqinjin tim, dhe me personin në dyqanin ushqimor, edhe me adoleshentin që mendon ta studiojë shkencën në kolegj. Kjo është bukuria e prezencës së shkencëtarëve në rrjetet sociale.” – qenka shprehur Casey Fiesler (studius i Informatikës, Universiteti i Colorado).

[ https://www.science.org/content/article/musk-reshapes-twitter-academics-ponder-taking-flight ]