Sylvia Plath – Kolosi

KOLOSI
Sylvia Plath [ 1932-1963, ShBA ]

S’duhet të të krijoj kurrë tërësisht,
pjesëzuar, ngjitur dhe montuar pa gabim
Mushkë-pëllitje, derr-hungërimë dhe kakarisje e pistë
Burojnë nga buzët e tua të bukura.
Është më keq se gjuhë e ndyrë.

Ndoshta e konsideron veten një Orakull,
Zëdhënës i të vdekurve, apo i ndonjë zoti a një tjetri.
Tridhjetë vjet ka tashmë që mundohem
Ta pastroj llumin e fytit tënd.
Aq urtësi s’kam as vetë.

Shkallëve të vogla zgjatuese me tasa ngjitësi
e kovash me Lysol*
Zvarritem si një milingonë që mban zi
Ndër akra plot barërash të këqija të ballit tënd
T’i ngjes pllakat e paanë të kafkës dhe pastroj
Tumat e bardha cullake të syve të tu.

Një qiell i kaltër nga Orestia
Harqe sipër nesh. O baba, gjithçka ti vetë
Je i saktë dhe historik si një Forum Romak.
E shtroj drekën mbi një kodër me selvi të zeza.
Kockat tua gërryer dhe flokët si akantina* të ndotura

Në anarkinë e tyre të moçme në horizont
Do duhej më shumë se një gjuajtje-rrufe
Për ta krijuar një gërmadhë të tillë.
Netëve, rri galiç në Bririn e Bollëkut*
Të veshit tënd të majtë, strukur nga era.

Duke numëruar yjet e kuq dhe ata bojëvishnjë.
Dielli lind nën kolanën e gjuhës tënde.
Orët e mia janë të martuara me hijen.
Nuk i dëgjoj tutje gërricjet e kilit të varkës
Ndër gurët e zhveshur duke kapur tokën.

* një lloj marke antiseptiku dhe dizinfektuesi, Lysol
* cilado nga bimët e ndryshme shumëvjeçare të familjes Acanthus
* (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.

– – –
© 1962 Sylvia Plath – Burimi: The Colossus (Penguin Random House, Inc., 1962), via Poetry Foundation, USA
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2013

– – –

Notë:
edhe poezia “Kolosi” e poetes amerikane Sylvia Plath, sipas meje është një lloj monologu i bukur “solipsistik”, një veshje e përkryer e imagjinatës me petkat e ndjesisë (apo dhe anasjelltas), poetja na e shpalos këtë që në vargun e parë, – “s’duhet të të krijoj kurrë tërësisht” – (në këtë rast ajo i “drejtohet” imazhit të babait të vet), njëjtë sikur në rastin e “Monolog solipsistik”, ku ajo vërtet aq bukur e përthekon “të folurit” solipsistik me të dashurin imagjinar:
/ …ti përshfaqesh / gjallërisht skaj meje, / duke mohuar lindjen nga koka ime, / duke pretenduar që ti ndjen / dashuria e zjarrtë mjaftueshëm të dëshmohet / prekja realisht, / edhe pse mjaft e qartë / gjithë bukuria jote, e gjithë mendja, dhuratë / është, i dashur, / nga unë /

Solipsizmi – (filoz.) Teori filozofike se vetja jonë është e vetmja gjë që mund të jetë e njohur dhe e verifikuar plotësisht – teori apo pikëpamje se vetja është realiteti i vetëm si dëshmi.
(sguraziu)