“Californication” – Grupi “Specat”, dhe muzika djegëse e Kalifornisë!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2022

(pra fjalën e kemi për ‘Californication’ (1999, të Red Hot Chili Peppers), jo për serialin ‘Californication’ (TV-serial amerikan nga 2007-2014, për këtë të fundit mbase ndonjëherë tjetër)

***
“Kënga ‘Californication’ është publikuar mbi 20 vite më parë, por teksti i saj ende tingëllon i vërtetë”, kishte shkruar Catherine Walthall, rreth 2-3 muaj më parë në “American Songwriter”.
Po – thashë mëvete, edhe unë mendoj të njëjtën, ende e mbaj mend atë këngë, ja pse dhe desha të lexoj ndonjë info të mençur.

Duke shpresuar se Enc. Britannica e “dinte”, e hapa faqen e tyre (për konfirmim sadopak më të besueshëm). Mirëpo, as ata nuk dinë gjithçka, ose nuk interesohen të “dinë” gjithçka. Apo mbase ende s’i ka ardhur radha subjektit “californication”. Ose, ose… ndonjë diç tjetër.
Në vend të ndihmës, ma shtruan pyetje-reklamën “mos eventualisht jeni princeshë e pop-muzikës? mbret i kulturës? nëse po, kliko këtu…”. Jo, nuk jam, thjesht desha të di si e përkufizon Enc. Britannica termin “californication”! Reklama e tyre ngeli e heshtur.

Diku gjetk, një autor anonim kishte shkruar :
“Kalifornia, shteti më i prodhimtar e më shkëlqimtar nga 50 Shtetet… e Bashkuara, me një popullsi të madhe surf-istësh dhe të personalitetve famoze që ecin nën “germat” (gjigante) Hollywood, në Qytetin e Engjëjve (Los Angeles). Ose tekefundit kështu duket (i engjëjve). Ja që grupi “Red Hot Chili Peppers” (më tej në tekstin tim shkurt RHCP, apo dhe thjesht “Specat”) e kanë parë anën tjetër të Kalifornisë, e kanë parë anën më të errët dhe sipërfaqësoren ‘pa bojë’ të shtetit Kalifornia”.

Pastaj më brofi se kisha harruar t’i pyes ata në Wikipedia. Nuk u zhgënjeva, kisha të drejtë – ata të Wikipedias dinë pothuaj gjithçka – kuptohet, as ata jo gjithçka.
“Californication është një term porte-manteau i Kalifornisë dhe i kurvërisë. Termi origjinalisht është përdorur në revistën Time, në v. 1966” – sqaronte Wikipedia.

Anise, ndonjëherë, ka raste dhe vështirësohet besimi i mençurive të Wikipedia. Meqë shkruhen nga gjithkush, kjo është arsyeja pse pastaj dikush i “korrigjon” duke shtuar aty ngjitas [nevojitet citim-burimi].
Sidoqoftë, në linguistikë (gjuhësi) me shprehjen “porte-manteau” nënkuptohet dyzimi ose shkrirja e pjesëve të dy fjalëve, për ta krijuar një term të ri. Në rastin e termit “californication”, fjala është për kombinimin e “califor” me “fornication” (që e ka kuptimin ‘kurvëri’). Rezultati i dyzimit është një term përçmues rreth ndikimit negativ që Hollivudi (dhe metropoli marramendës Los Angeles) e kanë në kulturën amerikane, e kuptohet, më gjerësisht-globalisht, rrjedhimisht dhe në mbarë botën.

Derisa “californication” si term qe përdorur për herë të parë në v. 1966 në revistën Time, njëri nga përdorimet më të njohur të termit do ishte në v. 1999. Termi qe përdorur nga grupi i lartpërmendur “Specat” për titullin e albumit dhe për titullin e njërës prej këngëve të tyre. Kënga “Californication” i referohet “eksportimit të kulturës së drejtuar nga Hollivudi, me referenca të mëtejshme të shumçkaje, psh. të kirurgjisë plastike, kontrollit të popullsisë, të fatkeqësive natyrore etj.

Koncepti ‘californication” gjithashtu është i njohur ndër shkencat sociale, dhe kuptohet si ameriko-imperializëm kulturor që buron nga Kalifornia. Ky ‘kalifornikim’ është diç si moral i veçantë i paketuar si mall kulturor dhe që transmetohet në mbarë botën, për depërtim në kulturat e tjera” – vazhdonte Wikipedia.

Diku tjetër një tekst thoshte se “californication është një këngë rreth ‘ultësisë’ morale të shoqërisë amerikane. Ka mashtrim, plasticitet dhe dëshpërim nën fytyrën e praruar të Ëndrrës Amerikane. RHCP (ose grupi “Specat”) e panë që Kalifornia i përfaqësonte këto ekstremitete – jashtësinë dhe brendësinë e degjeneruar, të dyja ekstremitete të përpunuara, sipërfaqësorja e praruar, shkëlqimi “fytyror”, dhe errësira nën të. Në thelb, është një këngë rreth kalbëzimit (moral) që shtrihet diku nën sipërfaqe”.

e paguan kirurgun aq shtrenjtë për ta thyer magjinë e mplakjes” / lëkurë e famshme, është mjekra juaj kjo, apo është lufta (me realitetin)?
(vargje të këngës)

Rreth këngës “Californication”, analizat nga burime të ndryshme, mbase mund të “rrumbullakësohen” pakashumë si vijon:

Kënga i përqeshë të famshmit e show-bisnesit, të pasurit, figurat e famozitetit që bëjnë operacione plastike për t’i fshehur shenjat e mplakjes. RHCP (ose siç thamë, grupi “Specat”) sikur mëton t’i hedh në shesh sasitë e jashtëzakonshme të operacioneve plastike (në Hollivud, në Los Angeles, në Kaliforni). Njerëzit nuk janë kurrë ata që “duken”, nuk janë madje as në pamje ata që i shihni me sytë tuaj. Janë pamje fals, janë falsitete artificiale, në fakt janë vetëm “maskat” ato që i shihni.

Kënga “Californication” është kritikë rreth kulturës problematike që buron ose lind brenda Hollivudit kolosal (si industri). Termi “californication” flet për një diç (si produkt kulturor) i cili kuptohet se buron dhe shitet nga Hollivudi. Ndërsa Hollivudi sikur përfaqëson skajin më të avancuar të botës dhe gjithë qytetërimin perëndimor. Dielli mund t’lindë në Lindje, ama përfundimisht zhvendoset në një vend fundimtar të Perëndimit (Kalifornisë). Hollivudi e shet idenë e Kalifornisë, idenë e “kalifornikimit” kulturor. Hollivudi përfiton nga masat konsumeriste që besojnë se Kalifornia është kulmi i qytetërimit perëndimor, i kulturës perëndimore.

Termi “californication” është fshikullim i procesit me të cilin industria amerikane e televizionit dhe Hollivudi filmografik (në pjesën më të madhe me qendër në Kaliforni), e përhap versionin tejet “seksualizues” të realitetit shoqëror, e glorifikon lakuriqësinë estetike duke i manipuluar masat. Teksti i këngës “Californication” është përtallje e kulturës amerikane që e thekson tejmase seksualizmin, që i glorifikon aventurat hedonistike, konsumerizmin, fashion-izmin, dhunën filmografike, personazhet e famshme dhe rini-bukurinë si virtyte të lartësuara, si synime që duhen arritur me çdo kusht, qoftë dhe me akulturim, me falsitete reklamatike e me shthurje.

Industria hollivudeske sikur bën gjithçka për ta mjegulluar, në mos dhe fshirë, vijën ndarëse mes fantazisë (së botëkuptimit kinematografik) dhe realitetit jetësor. Në TV, ky proces është kthyer pothuaj në diç si pandemi. E sidomos me popullarizimin e “reality show”, ku një kushdoqoftë mund të arrijë “californication” pa zotëruar ndonjë talent të vërtetë artistik, por vetëm duke e poseduar aftësinë e përshfaqjes “budalla” në TV-skenën mbarëbotërore.

martohu me mua vajzë, bëhu zana ime për botën, bëhu plejada ime / nuse adoleshente (shtatzënë), me foshnjen “brenda” tek ushqehet me informacion të lartë / edhe blerja e yllit në bulevard, është ‘californication’
(vargje të këngës)

Hapësira (kozmosi) mund t’jetë kufiri i fundit, por dhe kjo gatuhet në një bodrum të Hollivudit” – thotë vargu i strofës së 4-të të këngës.
Në një vend thuhej se ky varg “i referohet NASA-s që, me ndihmën e Hollivudit, i falsifikon zbritjet në Hënë, dhe eksplorimin e hapësirës në përgjithësi”. Autori anonim, ama ja që opinionin e vet e kishte bërë publik.

Sidoqoftë, opinione e tilla duhet marrë me rezervë, duhet kujdes, e pse jo dhe distancim. Pasi dhe gjyshet eskimeze mund të “fshihen” në Internet, edhe ato kanë opinione e hipoteza. Bie fjala, ekzaktësisht njësoj siç dhe shqiptarët e Internetit me lloj-lloj pseudo-emrash (sidomos të mençurit me opinionet rreth politikave apo shkencave).

Si Britannica, dhe Wikipedia… dhe çdo enciklopedi e kësaj bote, e dinë: jo gjithkush merret me analiza serioze. Mendoj se opinioni rreth “falsiteteve të NASA-Hollivudit” mund t’jetë pezm i ndonjë teoricieni të mllefosur konspirativ… ose diç e ngjashme : )