SG – Hierarki Digjitale

kjo më qenka shmangur, për fat të keq e paskam “humbur” ndër skutat e arkivit kaotik, por them se e paska njëfarë doze “interesante”, meqë paska t’bëjë me “miqësinë”, e madje dhe me gjuhën, me shqipen : )

[ fotoja: Krisztina Scheeff – “Seriozisht, gjithçka për vete?”, 2020 ]

HIERARKI DIGJITALE
S. Guraziu, 2013

Paske miq, por jo më shumë
se gishtat e duarve,
kufizim i përkryer,
numër dhe ligj i artë digjital*
e di, s’e kemi shpikur
as unë dhe as ti, asnjë urtësi.

Ndërsa qëllimi im,
t’i miqësoj gjithë frymorët
e planetit, padyshim
ndonjë fiksim kryeneç
në kokën “kozmopolite”
prej poeti – ndërkohë
në “sy” më gradon,
kryevendin e odës ma ofron,
më nderon, më i shtrenjti,
miku-madhi i “Internetit”.

I dashur mik, mos u mërzit,
s’e kuptoj hierarkinë,
privilegjet, gradat ideale,
në Dekagonin e miqësisë
mjafton t’jem i fundit fare,
gishti i vockël, “picirruk”,
por do doja t’i njoh
gishtat e tu, secilin fantom
ta shohë në sy – dhe ti e di,
as kjo urtësi “digjitale”
nuk është shpikur
nga unë, e as nga ti.

 

 

(notë – sguraziu, 2013)
* Digjital(e), fjalë e jona, e shqipes… padyshim me prejardhje nga “digital” (angl), si term me shumë kuptime (ndoshta 6-7 sosh) që përdoret në fusha të ndryshme, ndonjëherë dhe me shtresëzime kuptimore — kjo nga digit = gisht, dhe “digit” prapë nga latinishtja “digitus”, për të vajtur tutje deri tek rrënja indo-evropiane “deik”, ndonëse në anglishten e sotme për “digit”, krahas kuptimit anatomik, si emërtim tjeter për “finger” ose “toe”, bashkërreshtohen dhe ai matematik (për simbolet dhe numrat arabikë nga 0 – 9), pastaj kuptimi astronomik etj.

Nuk jam i sigurt nëse definicioni i tanishëm i “digjital” në shqipen tonë na e “lejon” të përdoret sëpaku në dy kuptimet bazë, ngjashëm siç është në anglisht dhe në gjuhë të tjera (dmth. meqë e gjithë baza e fjalës është e huaj, e huazuar, dhe vetë anglishtja e ka huazuar, siç e cekëm, nga latinishtja).

Respektivisht, përveç ekspresionit të formës ndasore numerike (lidhur kjo me shkencën më shumë, me erën informatike-digjitale, me domenin elektronik) të përdoret dhe për procesimin “gishtëror” të diçkaje, pastaj që është si përkatësi e gishtave, po ashtu si diç që operohet, kryhet, bëhet me gishtat (psh. rrotullimi i një monedhe mes gishtash nga një iluzionist etj).
Mbase ndokush nga ekspertët e gjuhës, nga gjuhëtarët tanë do kishte ndihmuar në këtë drejtim.

***
…atëbotë, z. Ruzhdi Stringa qe përgjigjur – pakashumë si thuktim: ka 2 raste që duhet të kihen parasysh; duhet kujdesur për “gjuhën e vogël” (që të ngelet e pastër, të mos tjetërsohet me barbarizma, me huazime të panevojshme etj etj.), ndërsa “gjuha e madhe” vetiu e ka lirinë dhe privilegjin e huazimit e të pasurimit (kuptohet, bazuar në “termat” e Xhuvanit, nëse ekziston mundësia, as “gjuha e madhe” s’bën t’i shmanget pastrimit (kjo do duhej të nëkuptohet, afërmendsh)…

(shkurt):
Në “gjuhën e madhe”, në rastin konkret të poezisë, fjalës digjital mund t’ia përdorim edhe kuptimet që ajo i ka në gjuhët nga është marrë

(sqarimi i “gjatë”)

I nderuar zoti Guraziu,
në sqarimin tuaj tërheqës zë vend pyetja e stërholluar se a mund të përdoret në gjuhën marrëse një fjalë e huazuar me të gjitha kuptimet ose me kuptimet bazë përkatëse të gjuhës/gjuhëve dhënëse. Them e stërholluar se drejtërsëdrejti këtu kemi të bëjmë me fushën e kulturës së gjuhës, më konkretisht me pasurimin dhe pastërtinë e saj, dukshëm me huazimin e fjalëve, ndërsa tëthorazi pyetja shton çështjen e huazimit edhe të kuptimeve.
Për t’u pozicionuar po them se huazimi, qoftë edhe ai formal, ku ndihet përpjekja e fytyrëzimit shqip (si te digjital krahasuar me dixhital) është një rrugë pasurimi, të kuptohemi nuk po flas për përdorim fjalësh të huaja, të cilat i shikoj si të dëmshme.

Për t’i marrë gjërat me rradhë që më fillim për pyetjen tuaj përgjigjem po dhe jo.
Po-ja i takon një rrafshi të gjerë, “gjuhës së madhe”, ku përfshihen letërsia, stilistika, socio/psikolinguistika, gjeografia, pragmatika, ekonomia, politika etj., ku marrëveshja gjuhësore (me u marre vesh) nuk është kryesore, në raport me figuracionin, stilizimin, socio/idiolektin, dialektin, përfitimin gjuhësor, gjuhën e bukës, e madje edhe me mosmarrëveshjen (mos me u marre vesh). Nëse flasim me termat e Xhuvanit, këtu dukshëm vepron pasurimi, por jo se duhet të mungojë pastrimi.

Jo-ja i takon një rrafshi më të ngushtë, “gjuhës së vogël”, të fondit themelor, ku përfshihet gjuha e shkollës, e administrates dhe e njoftimit të njerëzve, ku marrëveshja gjuhësore është qëllimi kryesor dhe i vetëm. Këtu dukshëm vepron pastrimi, por jo se mungon pasurimi.
Në “gjuhën e madhe”, në rastin konkret të poezisë, fjalës digjital mund t’ia përdorim edhe kuptimet që ajo ka në gjuhët nga është marrë, por në “gjuhën e vogël”, duhet të detyrohemi të përdorim vetëm kuptimim kompjutor, për të cilin fjala e dhënë është thirrur për ndihmë, ndërsa lidhur me kuptimin gishtor p.sh., kur kemi gishtin, pse të përdorim digjit-in.

Faleminderit.

P.S. Te uroj krijimtari te mbare, mua poezia me pelqen dhe jam lexues i kualifikuar edhe asaj tuajes. Nderkohe si nje kultivues modest i saj, edhe pse mik virtual, te fus te poetet qe numerohen me gishtat e dores.

Ruzhdi Stringa
Beijing Foreign Studies University
School of European Languages – Albanian Language Department