Vrasja e Paramenduar e 1 Zogu!

(sguraziu – ap, 4 janar 2013)

[ ngjitur: diç si parodizim, kampanjë e “Wakker Dier” (Holandë), gjoja evolucioni i pulës, pas miliona vitesh të evoluimit dinosauresk më në fund do ta kishim pulën e përkryer natyrale, 3000 vjet p.e.s. ishte “kulmi evolutiv” i pulës çubardhake Gallus Gallus Domestcus, tani me veset laboratorike e me metodat industriale evolucioni i pulës është nisur tatpjetës, aq keq sa mos pyet, mozomokeq… ]

Para disa viteve, ndoshta para 6-7 viteve (anise s’jam i sigurt për saktësinë tani), në mediat holandeze qe bërë aq shumë bujë, me ditë të tëra rresht, lidhur me vrasjen e “paramenduar” të 1 zogu. Si duket, njeriu vetë nga natyra është kontradiktor me vetveten, në raport me natyrën e tij, në raport me “filozofitë” e veta, me pretendimet e veta.

Gjatë një gare shtetërore për Domino (e keni parasysh kur këtë lojë fëmijësh ta “komercializojnë dhe zyrtarizojnë” të rriturit) në sallën e pafund ku garuesit i paskëshin renditur dominot, në pritje për ta mahnitur botën me spektaklin e ditës vendimtare, sa për sherr na paskësh hyrë një zog. I ngrati zog, e pati humbur rrugën. Dhe ja fundi i botës!

Një rrahje e gabuar krahësh mbi një hektar me mozaikë e xingla-minglash, vargëzuar aty plot figura të laryshuara, një fluturim ulët i zogut, një “teshtimë” e tij… dhe do ta çonte dëm mundin e një muaji, të kushedi sa ekipeve garuese. Dihet, domino-efekti vetiu është i pashmangshëm, përndryshe s’do quhej ashtu – do merrte “hov” dhe ndoshta s’do ndalej derisa të jetë rrëzuar dhe pllakëza e fundit.

Një kohë të gjatë qenë munduar njerezia ta trembnin, për të ikur zogu jashtë nga dritaret lart, por pa sukses. Karamba-karambita! Ç’duhej bërë tani, si ta mbronin “integritetin hapësinor dhe ajror” nga hutimi i një zogu? Cilat forca kundërajrore duhej angazhuar, cila do ishte strategjia e mbrojtjes?

E vetmja zgjidhje, siç u muar vesh, na paskësh ngelur pushka ajrore. Sipas ekspertëve, gjithçka çfarë duhej të kujdeseshin ishte: patjetër duhej vetëm një e shtënë, 1 e vetme, duhej angazhuar vetëm një shenjëtar-kampion i pagabueshëm. Përndryshe punët mund të niseshin rrugës së pakthim, rrugës së dështimit të kampionatit.
Nga ana shkencore, duhej llogaritur madje dhe vetë hujet e gravitacionit, rrymat e ajrit, trajektorja e rënies pasi ta vrisnin, saktësisht e me milimetra. Mundësinë për dështime s’mund ta merrnin me mend, s’mund t’ia lejonin vetes luksin për 2 a më shumë marrjesh në shenjë.

Dhe sikur kjo fatkeqësi domino-ajrore t’mos ishte e mjaftueshme, sa hap e mbyll sytë t’na shkëlqyen shpatat mediatike. As pa e kuptuar si e pse, t’na plasi sherri e lufta mediatike. Me qindra njerëz e dhjetra organizatash sakaq u gjenden në luftë verbale e germatike lidhur me “etikat” rreth vrasjes së 1 zogu. Debate, argumente, predikime, opinione, ide “shkencore”, replikime deri në marramendje.

Unë si një “outsider” gojëhapur, si një spektator “neutral” i kuptoja fort mirë mbrojtësit e zogjve, të shtazëve dhe të natyrës, sikur secili në rrafshin personal me pak fjalë ta shprehnin kundërshtinë dhe solidarizimin me zogun. Por ama t’i përthekonin të gjitha me dy-tri fjalë – për lirinë e natyrshme të tij, për të drejtën e tij të fluturimit, të frymimit, për cicërimat etj. etj. Me dy-tri fjalë si keqardhje, dhe kaq.

Sipas meje atëbotë, do duhej të merrte fund lufta sa më parë. Dhe madje duhej të turpëroheshim të gjithë ne, varg e varg, pse jo dhe vetë unë si spektator, edhe gazetarët me gjithë kureshtarët, që të gjithë. Thjesht duhej ta mbyllnim një debat përmasash të turpit.

Si e shihja unë, dukej aq qesharake për njeriun e shek. XXI të moralizojë dhe t’i komercializojë artificialitetet “eter-ike”, spektaklet moderne mediatike, për të drejtat e 1 zogu. Derisa brenda 1 dite të vetme në Holandë 1 milion e 200.000 kafshë nga më të ndryshmet nisen për në therrtoret industriale. Pa e përmendur Gjermaninë 80-milionëshe dhe shtetet tjera të mëdha, Francën, Italinë, Rusinë, ose më thjesht gjithë Evropen, Ameriken… ose akoma më shkurt, gjithë kontinentet dhe akullnentet e planetit.

Kur i kujtoja këto, një debat i tillë “etik”, moralizimet për jetën e 1 zogu dhe gjithë ajo bujë mediatike më dukeshin absurditet! Nuk di nëse kisha të drejtë, por s’dua të vetëgjykohem tani.

***
Sot (6-7 vite më vonë), në një kampanjë reklamatike të fondacionit holandez për mbrojtjen e kafshëve me emrin “Wakker Dier”, lexova si vijon (pasi më lusnin për ndihmë me 3 ose 5 Euro modeste, sipas dëshirës, ndërsa një kafshë e pikëlluar ishte ilustruar në reklamën, zënë ngusht në diç prej hekurash, si kafaz i shtallës, poshtë fotos shkruante):

Kjo nënë siç e shihni rri e ngujuar mes shufrash hekuri. Ajo mund të lëvizë vetëm një hap para dhe një hap anash. Ndërkohë duhet të bëjë gjithçka që t’jetë sa më “produktive”. Por a mundet si nënë ajo të ofrojë kujdesin e një nëne me dashurinë e natyrshme për të vegjlit e vet?! Kjo që shihni është e përditshmja e jetës së një nëne, e njërës nga kafshët më inteligjente të planetit!

Në Holandë 12 milionë derra jetojnë mes hekurash, ngjeshur e hedhur mbi njëri-tjetrin, pa e parë kurrë dritën e diellit – sqaronte tutje reklama.

Ndërsa po, e si jo, duhet sa më shumë spektakle filozofike-mediatike, sa më shumë debate moralistike për tragjedinë e 1 zogu.

Sipas kampanjës “Wakker Dier” s’është në pyetje vetëm konsumimi dhe kushtet që imponohen nga tregtarët, por dhe kushtet, jeta dhe trajtimi i keq i vetë kafshëve sa janë gjallë. Pastaj eksperimentet laboratorike në emër të rritjes së produktivitetit dhe parasë (të cilat eksperimente kurrë s’dalin në sipërfaqe). Natyrisht se kanë të “drejtë” për fshehtësinë, të tilla avancime duhet mbajtur prapa kulisave, qëkur flitet për miliarda. Për mbrojtjen e investimeve dhe të projekteve shpesh investohet dhe në “blerjen e tabu-ve”, në krijimin artificial të tyre. Mbase në botën moderne industriale mund të blihet dhe “heshtja mediatike”, gjithçka.

Nëse në zemrën e shoqërive më të avancuara të botës, sot industrialisht me shifra milionëshe mund ta prodhojmë “jetë-vrasjen” e kafshëve (mbase për t’i patur filozofitë më të “mprehta” gjatë mbushjes së xhepave, dhe sepse defacto, dhuratë nga Zoti, nga Natyra + nga Shkencat laboratorike), atëherë do lutem të hyjë një zog në dhomën time, sepse dua ta vras.

Le t’jetë hyrja e tij “gabim”, humbje e udhës padashtas… aq më bën, dua ta vras me qëllim, me paramendim, për inat të njeriut dhe të filozofive të tij. Uroj vetëm t’ia dal, uroj t’mos më dridhet as dora as zemra. Uroj t’mos më përzihet në punët e brendshme ndërgjegjia, Zoti, a ndokush tjetër nga “Mbrojtësit e Natyrës”. Uroj t’ia dal, dua t’jem kontradiktor dhe unë!