( sguraziu – ap, mars 2023 – pak humor )
…nga lajmet e politikës shqiptare e mësova një fjalë të re “ramaforma”, natyrisht e kërkova në fjalorin por s’e gjeta – termin e dëgjova nga Meta (dmth. jo nga Fb, pasi tani quhet “Meta”, por) nga Ilir Meta – pastaj u kujtova për termin “metaforma” (vetë, pa e dëgjuar kund), Google tha jooo, sa për “ramaforma” s’kemi dëgjuar, ama “metaforma” s’lidhet me Metën e politikës shqiptare por me një firmë arkitekturale polake, e t’u çlirova : )
…gjithsesi, duke i percjellur lajmet shpesh na kaplon dhe keqardhja, nganjëherë më bëhet se politika shqiptare vërtet vuan nga “çrregullimi i bipolaritetit”, ekspertët thonë se ka disa lloje të çrregullimeve bipolare, simptomat mund t’shkaktojnë ndryshime të paparashikueshme, duke rezultuar në shqetësime dhe vështirësi të konsiderueshme të jetës politike…
…siç na e sqarojnë psiko-ekspertët “çrregullimi bipolar” është një gjendje e shëndetit mendor (në këtë rast, të politikanëve) që shkakton luhatje ekstreme të shpirtërores, psh. ngritje alarmante emocionale (mania, hipomania) apo dhe uljen (që njihet si depresion, si fundosje depresive) – disa simptoma munda t’i hetoj tek Meta (me aq sa ia dola, pa qenë vetë ekspert), e disa simptoma të çuditshme edhe tek Berisha, s’është nevoja ta merrni të “gatshme” fjalën time, thjesht përcillni lajmet, do bindeni dhe vetë…
…më i keqi çrregullim bipolar është kur një sistem politik (sidomos nëse bi-partiak) ta ketë pësuar të paktën 1 episode manike, e cila mund të paraprihet ose dhe të pasohet nga episodash madhore hipomanike – ka raste madje kur mania mund ta shkaktojë dhe shkëputjen nga realiteti politik (ky reaksion ekstrem njihet si psikozë politike)…
…çrregullimi sadopak më i lehtë bipolar është kur sistemi politik ka patur 1 episodë të madhe depresive dhe të paktën 1 episodë hipomanike – ndërsa çrregullimi ciklotimik (gjoja më e lehta shkallë e bipolaritetit) është kur sistemi politik ka patur të paktën 2 vite periudha të simptomave të hipomanisë, si dhe aty-këtu simptoma depresive…