Mburrja e Tekno-gjigantëve rreth “Supremacisë Kuantike”!

(sguraziu – ars poetica, shkurt 2024 – koment)

[ ngjitur: një kriostat-kompjuter kuantik i “Qendrës Kompjuterike Leibniz” (në Garching, Bavari, Gjermani), qendra Leibniz e festonte 60-vjetorin e vet në v. 2022 – dhe djathtas, Presidenti Joe Biden duke e shikuar një kompjuter kuantik gjatë vizitës së objektit të IBM në Nju Jork, 2022 – IBM pati njoftuar për një investim prej 20 miliardë $ në Informatikën Kuantike – fotot via Getty ]

Në v. 2019 Google pati thënë se më në fund e kanë arritur “supremacinë kuantike” [ pata shkruar për këtë një koment, mund të lexohet në blog-faqen personale ]
Google qe mburrur duke thënë se, derisa kuantum-kompjuterit të tyre i janë nevojitur 200 sekonda, për ta kryer operacionin e njëjtë super-kompjuterit të IBM do i duheshin rreth 10.000 vjet. Atëbotë IBM e kishte kompjuterin “klasik” më të fuqishëm, quhej “Summit” (tani nuk di kush është kampion, mund t’jenë dhe kinezët).

Lidhur me pohimin e Google ekspertëve të IBM u pati ardhur fort inat. Sakaq qenë përgjigjur me publikimin e një “letre” shkencore duke thënë se super-kompjuterit të tyre në fakt do i nevojiteshin vetëm 2.5 ditë. IBM pati thënë që kuantistët e Google flasin me superlativa jorealistikë, nuk është e vërtetë, nuk e kanë arritur “supremacinë kuantike”.

Për ta kuptuar (apo dhe moskuptuar) mosmarrëveshjen e tyre, sikur varet nga vetë termi “supremaci kuantike” – pata shkruar. Ç’do të thotë termi ekzaktësisht, kjo po ashtu sikur është diç “relative” dhe varet kujt i drejtohemi. Termin “supremaci…” apo epërsi kuantike e pati kalitur fizikanti John Preskill në v. 2012 (Instituti i Teknologjisë, Kaliforni). Atij i qe nevojitur për ta përshkruar momentin kur një kuantum-kompjuter më në fund e tejkalon kompjuterin më të fuqishëm klasik.

Në Qershor të 2023 (pra vitin e kaluar), pati ndodhur i “njëjti skenar” i mburravecllëkut kuantik, kësaj radhe nuk qe mburrur Google por ata të IBM.

Ekipi i informatikës kuantike pranë IBM e pati përdorur një prototip të kompjuterit kuantik për ta zgjidhur një problem të ndërlikuar të fizikës (lidhur me sjelljen e materialeve magnetike). IBM e pati krahasuar eksperimentin kuantik me një simulim klasik (në një superkompjuter klasik). Këtij të fundit do t’i nevojitej shumë më shumë kohë për ta arritur të njëjtin rezultat (të homologut kuantik), e po ashtu procesi shkonte duke u bërë gjithnjë e më i pasaktë, pasi ata vazhdonin me rritjen e kompleksitetit të problemit. Dhe siç patën konkluduar ekipi i IBM, kompjuteri klasik nuk do t’ishte në gjendje ta vazhdonte “garën” me kuantikat.

Mirëpo pretendimi i IBM nuk do zgjaste shumë, vetëm 2 javë më vonë, një ekip i pavarur e pati demonstruar një simulim klasik, madje në një kompjuter portativ (laptop). Sëshpejti do pasonin dhe 6 simulime tjera klasike, duke përdorur teknika të ndryshme. Pra as që bëhej fjalë për “supremaci kuantike”, i bie se IBM mburrej kot. Google qe mburrur në v. 2019, ata të IBM u patën thënë “s’keni pse ekzagjeroni”. Pak vite më vonë, në v. 2023 vetë IBM pandeh arritjen e “supremacisë kuantike”, por s’u zgjati as 2 javë, rishtas doli t’jetë e pavërtetë : )

E çuditshme, se përse ndodhë kjo garë e mburravecllëkut mes tekno-gjigantëve mund vetëm të hamendësojmë. Sot, 5 Shkurt 2024, eksperti i stafit të shkencave kompjuterike pranë revistës “Quanta M”, Ben Brubaker, e paska publikuar një artikull rreth temës pse kompjuterët kuantikë ende nuk i kanë tejkaluar bindshëm “homologët” e tyre klasikë. Sapo e lexova shkrimin e tij, në rregull autori Brubaker ia mbante pakëz më rrotull, por dhe ai sikur buzëqeshte me mburravecllëkun rreth kuantikave.
[ artikulli i tij, mbase hapet, meqë ardhur via emailit: https://mailchi.mp/simonsfoundation/why-classical-computers-can-still-win-quantum-contests ]