Ditë Historike – Përplasje e Gjigantëve (me Eufori e me Superlativa kuantikë)!

(sguraziu – ars poetica, 25 t 2019 – koment)

Gjigantët Google dhe IBM nuk pajtohen lidhur me “rezultatet” e eksperimentit historik në fushën e kompjuteristikës kuantike. Mburravecllëkun e Google ekspertët e IBM e kanë të vështirë ta kapërdijnë : )

Sot Google pati njoftuar se më në fund e ka arritur “supremacinë kuantike” (ka disa vite që Google dhe të tjerë janë në garë me shkencat e tyre super-sekrete kuantike). Rivali kryesor i Google (për çështjet e kompjuterave kuantikë) paska thënë që kuantistët e Google flasin me superlativa jorealistikë, pasi nuk e kanë arritur “supremacinë kuantike”.

Për ta kuptuar (apo dhe moskuptuar) mosmarrëveshjen e tyre, sikur varet nga vetë termi “supremaci kuantike”. Ç’do të thotë termi ekzaktësisht, kjo është po ashtu relative dhe realisht prapë varet kujt i drejtohemi. Termin “supremaci… apo epërsi kuantike” e pati kalitur fizikanti John Preskill në v. 2012 (Instituti i Teknologjisë, Kaliforni). Atij i qe nevojitur për ta përshkruar momentin kur një kuantum-kompjuter më në fund tejkalon super-kompjuterin më të fuqishëm klasik.

Sot për sot, sa i përket “kompjuterit klasik” më të fuqishëm, ky i takon kompanisë IBM, quhet “Summit” (në foto, djathas). Google qenka mburrur duke thënë se, derisa kuantum-kompjuterit të tyre i janë nevojitur 200 sekonda, për ta kryer operacionin e njëjtë super-kompjuterit të IBM do t’i duheshin rreth 10.000 vjet.

Ekspertëve të IBM u paska ardhur fort inat, sakaq krenarisë së Google i qenkan përgjigjur me një publikim shkencor duke thënë se super-kalkulatorit të tyre në fakt do i duheshin vetëm 2.5 ditë.

Parë nga aspekti i biznesit, nga aspekti i prestigjit dhe i rivalërisë, mospajtimin e ekspertëve të IBM e kemi të lehtë ta kuptojmë. Mirëpo dorën në zemër, nga ana e vërtetësisë shkencore duket kontradiksion mjaft i çuditshëm. Fare pafajësisht mund të shtrohet pyetja: është i vërtetë pohimi i Google, apo thjesht një “gënjeshtër” strategjike (aso e pafajshme, afariste)?!

Ajnshtajni ndoshta do kishte qeshur e buzëqeshur sot tërë ditën, do t’kënaqej duke i fryrë llullës dhe skepsës së vet (të njohur) kuantike. Sipas Google (ndoshta) IBM thjesht e ka nga inati. Ndërsa sipas IBM, demantimi i tyre shkencor i “euforisë googlistike-kuantike” vetvetiu nënkupton se tani për tani NUK bëhet fjalë për ndonjë “supremaci kuantike”!

[ referencat: Nature, IBM, The Atlantic, Quanta, Caltech-Edu ]