SG – Linea Recta, 2002

LINEA RECTA
S. Guraziu, 2002

Zemra s’qenka rrumbullake
as katrore si trekëndëshi yt
gjeografinë e saj nuk e njeh
mendon pllakë e rrafshët
me veri, me jug… perëndim
pandeh borxh e kam
të të quaj Kolumbo, Amerigo
vetëm se 500 vjet më pas
sqepverdhë, pendëshkëlqyer
zogth shtegtar, pa kompas
paske zbarkuar dhe tash
je ndritësuar, ke kapërthyer
kupton se veshi i “demit të zi”
paska qenë lajthitje, marrëzi

Tash larg, explorer ambicioz…
provon të afrohesh, “just jump”
dhe je në gjendje ta lakosh
gjeografinë shpirtërore
mrekulli relative hapësinore
babaxhani kishte të drejtë
hapësira lakohet… deformohet
nga masa e trupave scriboman-ë

Mos tento, s’hyj në lojë
më lerë të qetë, largohu
ime zemër shtrihet “linea recta”
jashtë formulave tua, recetave
s’i njoh shpirtrat, simbiantët
kaptuar, mbërthyer në lakore
ti pushto, verbëro – mashtroji
gjithë mogulët, mediatikët
unë isha, jam dhe do mbetem
ku më takon, fare denjësisht
jokushtimisht, pa asnjë libër
anise degdisur, “state mobile”
çdo cep, gjeografi shpirtërore
do t’frymojë, do jetë gjallë
në mua, në secilën zemër…
dhe në zemrën e popullit tim.

[ Ngjitur: Gene Davis – Franklin’s Footpath, 1972 / Gene Davis gjatë punës në rrugën afër Muzeut të Artit në Filadelfia, në v. 1972 (Getty Images / Henry Groskinsky) ]

Gene Davis – Franklin’s Footpath, 1972