Arti e shkapurit strofullen e ndjenjave tona!

Sokol Zekaj, Prill 2013

(Impresion, vështrim në formën e një reçense përkitazi me vëllimin poetik “Medium dhe Flutura”, dorëshkrim, të autorit Senad Guraziu)

E kam njohur Senad Guraziun si botues të revistës “Ars poetica”, në disa numra të së cilës kam botuar edhe unë shkrime të miat. Pak ditë më parë më ra në dorë vëllimi poetik “Medium dhe flutura”, i përgatitur për botim, i cili nëse nuk gabohem, nuk është i pari i autorit. Rikrijova portretin e njeriut modern që jeton në metropole, udhëton me avion apo nëpër metro, dhe pasi kthehet në dhomën e vet, hap kompjuterin dhe krijon kontakte me miq dhe shokë, edhe nga ata që s’i ka parë kurrë, ose hyn në dialog me veten, me të shkuarën dhe të tashmen, dhe shkruan poezi.

Mendoj se poezia e tij shënon një “lirizëm të ri” me frymë bashkëkohësie, lirizëm mjaft i ndryshëm nga ai që shkruhet sot tek ne, dhe akoma më shumë i ndryshëm nga ai që është shkruar vite më parë. Përgjithësisht poezia është e orientuar kah objekti i jashtëm. Nganjëherë ky objekt është i afërt, nganjëherë i largët, por në të gjitha rastet ne i ndiejmë ato si në një dimension universal, pothuaj pa lidhje me ndonjë vështrim sentimental apo nostalgjik. Ndoshta poezia si gjini e letërsisë, në të ardhmen, do ta zgjerojë shtratin e vet për të thithur “ujëra” nga burime që, në një fare kuptimi, nuk i kanë përkitur asaj, duke synuar “epikën” e gjërave.

Në disa raste poezia ka karakter bisedor, dhe të tillat zhvillohen përmes një zëri të ulët, nganjëherë si rrëfyese, nganjëherë si refleksive. E tillë është poezia “Aq afër me ty“, më vjen se bëj mëkat nëse veçoj nga kjo poezi ndonjë varg a metaforë, sepse është e gjitha e shkëlqyer, unike, pa asnjë hapësirë boshe dhe pa asnjë zhurmë në melodinë e imazheve, teksa rrjedh e pandalur, nga fjala e parë tek e fundit, me një ritëm dhe elegancë të mahnitshme. Është një rast fatlum kur gjuha e pasur dhe e ngritur, pothuaj mbitokësore dhe njëkohësisht e pacënueshme, është edhe kaq joshëse dhe magjike!

jam unë…
po aq sa ti vetë
afër shpirtit – “aura” blu
që e mbështjell shpirtin
tënd, prushi i ndjesisë,
streha e gjithë qenies,
ylli polar i vetëdijes,
“sfondi” i mugët i nëndijes,
tik-taku memec, “zilja”
që zgjon mendjen,
parandjenja që i bën
dritë bebzës, shtegu
i njohur në humbellat
e zemrës, jam pranësi
e papeshë, e pamasë…
si dritë – ende pa u “zgjuar”
mendja, shpirti yt
me sytë e mi sheh,
si xixëllonjë e pashterrshme,
ca hapa para teje…
dhe anash mund të rri,
në cilindo krah të duash ti,
si shpresë trumcakësh,
si cicërimat, si universalja
e çerdhes, si “nektari”
që ushqen shpresën – jam
për ty secila dritë që njeh ti,
secila rreze, xixë e universit,
njësia kuantike e shpirtit,
flaka e pishtarit t’labirintit,
“elektrikat” në fund të detit,
llamba për hartat e kapitenit,
vetë flatrat e dritës, timoni,
kompasi i çdo fotoni –
më ndiq pa frikë, nëse
ndalem do ndalesh dhe ti,
por mos ik kurrë nga drita…
jam unë.

Ndërsa poezia “Medium dhe flutura” prej nga ka marrë titullin dhe libri, për mua është vetë metafora e artit poetik. Strofa e fundit është kjo:

siduket… ti megjithatë e di,
poezia është “kontakti i parë”
me fluturat, me ndjenjat,
nuk është gërvishtje e penës sate,
letër e rrahur nga makina e shkrimit,
nuk është “zanat”, ndonjë mjeshtëri
e vjershërimit, as hieroglife
digjitale në “screen”.

Ne kuptojmë nga këto vargje se autori është për një poezi që të prek në shpirt, që të emocionon, që të frymëzon dhe jo diçka tjetër, madje as dhe një “hieroglife” e pakuptueshme, e pazbërthyeshme. Më kujtohet, në një nga emailat që më ka dërguar kohë më pare Senadi, më shkruante në një vend se poezia do duhej nëse e mundur të “…na e guduliste ëmbël secilën faqe të zemrës, ndoshta sepse arti i mirëfilltë pikërisht këtë bën, e shkapurit strofullen e ndjenjave tona…” – një shprehje kjo, sa e bukur, aq dhe origjinale.

Vërtet, kënaqësia e poezisë nuk është si ajo që marrim permes shqisave tona, pasi ajo prek totalitetin e shpirtit tonë, me ndjenjat, intelektin, imagjinimin, emocionin, përvojën, kujtesën. Poezia nuk është si një ujë që e shtyjmë për të dale si burim i pakontrolluar përpjetë, por si një burim që ne e përmbajmë për të dalë sipas një trajte të dëshiruar.
Kam përkthyer dhe botuar kohët e fundit librin Poezi nga poeti francez Yves Bonnefoy, dhe dua të jap një shembull prej tij. Është poezia “Po ai zë gjithmonë“:

Unë jam si buka që ti ke me nda,
Si zjarri që ke me ndezë, si uji i kthjellët
Që ka me t’ba shoqëri në tokën e të vdekurve.

Si shkuma
Që e poqën për ty drita dhe porti.

Si zogu i mbrëmjes që fshin brigjet,
Si era e mbrëmjes që befas,
më e ashpër vjen, dhe më e ftohtë.

Edhe Senad Guraziu e di se poezia e vërtetë nuk krijohet nga hiçi. Ajo e ka burimin te bota reale, dhe veçse si e tillë, mund të na ofrojë emocionin estetik të domosdoshëm. “Çdo fjalë, thotë Jean Starobinski duke iu referuar Saint John Perse-it, vetëm nëse është e ngarkuar me kujtesën e reales, mund të na zgjojë hyjnitë e çastit, të takuara kaherë në fëmijëri, në gjirin e botës natyrale.”
Ja disa vargje të Guraziut, nga poezia “Tabula rasa e kullës“:

por vallë çfarë supi patën burrat
e kohës, gjithë ata Herkulesë
të harruar me muskuj të bardhë
si qumështi, binjakë monozigotikë
që në nismë, ngopur me ëmbëlsinë
e misërores nga saç’ i nënëlokes,
ç’ndodhi vallë, pse s’ka akrobatë
dhe sot që luhaten shkallëve
të drunjëta, faqeve të kullës, burra
me bjeshkën copa-copa në supet,
që ia falin njëri-tjetrit diellin e djersitur,
ku u tretën vallë ato hije fëmijësh
që buzëqeshin… aq burrërisht.

Por gjërat natyrisht nuk vijnë drejtpërdrejt. Kur lexojmë poezi ne ndeshemi, brenda botës së poetit, me detaje apo situate të njohura për ne, dhe themi: po, unë e njoh këtë përvojë, por nuk e kam menduar se prej saj mund të dale diç kaq e bukur! Kështu realizohet shkrirja jonë, lidhja jonë me poezinë.
Por, ja dhe një poezi do të thosha antologjike, “Baladë për zgjimin“:

O lot i valë i nënëlokës ilirike, lot djepi e strehe
kocka t’përziera me kurora, dheun e pafajësisë
lahuta në gozhdat e ndryshkura, odave të kohës
këngë e unit, zemër e harlisur, mall stërgjyshor
ja po zgjohen rojet e dritës, agimeve t’përflakura
si – eshkë e shpirtit t’baballarëve poreve të lashtësisë
dhe – vulë e pagjurmë, ballëhapur, feksim krenarie
si – fjalë e kulluar urtësie, fortesë e besnikërisë
dhe – kalitur, rrahur në kudhërat e fisnikrisë së fisit
si – qëndresë e pathyeshme në istikamet e përskuqura
dhe – zemër bujarie, peshqesh në altarin e nderit!

E denjë, do të thosha, për t’u gdhendur te New Born në qendër të Prishtinës! Si një vrujim metaforash që ngrihen ngjyra-ngjyra drejt qiellit!

Për shkak të prurjeve burimore, gjuha dhe qasja eksperimentale aty-këtu në libër, nganjëherë vjen e athët, me shijen e frutave të egra, por gjithmonë ajo është poetikisht befasuese, e iluminuar nga përndezja poetike, nga forca e imagjinimit dhe nga vetëdija e masës dhe përkujdesjes poetike. Për të ilustruar këto dy-tri fjalë të ardhura nga një bindje e shpejtë më shumë se nga ndonjë “studim”, po sjell këto vargje nga “Multiversum yjor“:

Çdo yll e qetëson lavjersin e vet
i gozhduar diku me gjilpërën
magnetike në glob, dhe pretendon
të jetë në qendër të universit.

Ja edhe diçka tjetër nga vjersha “I vartësuar nga rima“:

Një ditë Diellza, shoqe e mirë e Dritës,
më puthi në faqe, ashtu kot dhe papritur,
në qendër të klasës, mu në pikë të ditës.
Tani çdo ditë kthehem në shtëpi i ndritur,
si diell i uritur, i ditur, por dhe i mërzitur!

Tingulli “i” i fjalës dritë apo diell, e përshkon krejt poezinë si vijat në mermer.

Në një masë të madhe poezia e Senad Guraziut ndodhet në komunikim të drejtpërdrejtë me tjetrin (me lexuesin). Është poezi e hapur, është larg mbylljes në vetvete, lodhjes apo agonisë. Vetë poeti, thamë se është njeri në lëvizje, siç është njeriu modern. Kjo duhet pasur parasysh kur t’i qasemi kësaj poezie.

Nga ana tjetër, poezia “Aq afër me ty” të cilën e dhamë në krye të shkrimit, vërtetë mund t’i jetë kushtuar një njeriu të afërt, por ne mund ta marrim edhe si metaforë të krejt poezisë së autorit (të kuptimit “poezi”): poezia është e hapur për komunikim, e shëndetshme dhe e bukur!
Ajo sikur na e thotë: mos ik nga unë – jam unë!

Prill 2013