“Shock” Kulturor (Poemth, 2003)

“Shock” Kulturor
S. Guraziu, 2003

(ose kënga e lotëve të padukshëm – pulsim antipoetik)

001 Mes syrit e lotit të flet diç përjvajshëm
të rrëmben diçka… të thërret përmallshëm
kujtimet, dashurinë… ninulat t’i nanurisë
n’dhimbje a pa të, qelizat n’grevë të urisë*
mes vajit e dhimbjes t’lidhë diç në fyt
shpresimin, besimin pa mëshirë t’i mbytë
mes mishit e ashtit një krimb nga hiçgjë
lëvron indin e gjallë, të shuan diçka…
t’i gërvisht gëzimet, ëndrrat e fëmijërisë
010 mes zemrës e gjakut, n’tallaze a prajshëm
gjarpër gjithkah, mes shputës a thembrës
t’i helmatisë pa ndalë rruazat e bardha
ta ngjyrosë lëkurën – plot njolla e lara…
asgjë s’mund ta parandalojë trishtimin
heshtas a me zë, fjalët e humbin kuptimin
mes nervit e mendjes, lehtas a furishëm
ngatërrohen thimthat e kuq, të frikshëm
dhe ti… o i humbur, bindu, fute në kokë
s’ka serum serpentum, është e kotë
020 të njëjtin kanë pirë dështakët e shekullit,
mund t’i njohësh mes rafteve të hekurit
tani për një varr të ri, t’i shesin epitafet
për një guaskë të artë i thërrasin piratët
t’i përmbysin varkat, t’i shqyejnë rrjetat
vetë Apollonit mund t’ia thyejnë shigjetat
dhe t’i groposin fund-detrave të ngrysur
përsëri mund ta vajtojnë lulen e vyshkur
fatin e Dulqinave, në kullat buzë Jonit
gjembat e Burrelit, bunkerët e betonit
030 i sheh bulevardeve, në reklama statike
feksje e laryshi super-demokratike
maska të smaragda, s’e tradhtojnë sojin
rrugët nuk i ndotin, livadhet as përroin
në shtëpitë publike kanë ngjyrën-neon
edhe pse të zhveshur, s’janë kameleonë*
do t’predikojnë për veshët e këlyshëve
të baballarëve, gjyshërve, stërgjyshërve
aty ku je më së afërmi me tokën, me hijen
aty ku Akili i gjorë e pati varrosur dhimbjen
040 nga fundi i dheut, përfundi këmbëve tua
nisen për në pikëtakim legjione të huaja
si urithë të hekurt e matin gravitacionin
epiqendrën, trajektoren, destinacionin
thonë, njëjtë e patën përshkuar La Manshin
përfundi vetë detit, atë tunelin e famshëm
do të të ngrehin zhagazi katakombeve
nëpër jazbinat, tehut të fundbotëve
me miliona skrrajëza e forma të mishta
i japin lëkurës tënde nuancat e trishta
050 duhet të jesh i gatshëm deri në detaje
sytë nuk do i kesh në takimet finale
aty ku drita dështon ta ketë pushtetin
nuk u dashkan sytë as për vetë mbretin
kurse poshtë… aty ku mbetesh i tretur
nuk qenka vdekje të trazosh të vdekur
tragjike qenka me ta gjallë të ngelesh
të lidhin me fjalë, me lloj-lloj mjetesh
dhe prej qelizave të vjedhin, pikë-pikë
lëngun për vetëvrasje, lëngun anestetik
060 eutanazi pa nënshkrime, pa testamente
ndër ta ka dhe mjekë, me dokumente
një fjalë mos e thuaj, edhe t’i injorosh
të heshtësh, t’i pështysh, s’do të fitosh
të bindin se iu dhimbsen vetëm ëndrrat
prandaj ata nuk kanë nevojë për zërat
qëndro stoikisht gjersa t’jesh rilindur
apo dorëzohu, thuaj se tash je bindur
bërtit se e pranon manifestin e nëntokës
dhuroju botërisht sekretet e Penelopës
070 dhe do t’kesh shans, gati si kryedjalli
ta puthësh veten n’sarkofagun prej ari.

***
Mes trurit e unazëqafës, përngjizur…
antitruptha të rremë, imunologji e fikur
elementë të huaj, viruse, kuaj trojanë
tradhtarë, paralitikë t’gjakut, mjeranë
sabotojnë rrjetin, proceset, itinerarin
e ndotin qenien, japin, nuk marrin
080 vetëm të liga, rrena, doza mashtrimesh
shpifje, spekulime, fatura premtimesh
sillesh në pellg, zhytesh n’rërën e gjallë
dhe ndjen në zemër drithërimën e valë
klith, provon, i zgjatë duart, gjymtyrët
klithmat shteren, fyti, goja të mbyllet
dashas e padashas, lëmohet çdo pore
lëkurës gjakëthithëse, skraja ranore
gishtërinjtë gjurmojnë vrimat e lemerisë
si Krishtit… jobesimtarët pas tradhtisë
090 beftime, vagullti para sysh fillojnë lojën
iu sheh sytë e shuar, iu sheh dhe gojën
pas tyre sheh simetrinë e qytetit, yjet
centurionët tek pshurrin tinëz në nyjat
dhe veshët, këmbët e stërholla të Dalit
të elefantëve bythëtrashë të kryedjallit
në dhëmbët e palcën, plomba akulture
aty-këtu ndonjë biser, relikt diktature
fekale bakteresh kujtojnë pangopësinë
kariesi radioaktiv e shkreton gjeografinë
100 në zdralin, jargët, ngadalë a ngutshëm
me bujë a pa të, pa zë ose zhurmshëm
neuronet e thithin njelmësinë, ëmbëlsisht
pastaj në udhëtimet vdesin tragjikisht
frymëzuar nga fjalimet, klithjet skrrajore
mes rimës e vargut, këngëzat mortore
e hidhësojnë poetikën, njëlloj dhe gjuhën
e prishin, rrëzojnë, paralizojnë strukturën
plandosje për së gjati në sarkazma tipike
kujton t’kesh rënë në një gropë septike
110 rrethuar me gjallërinë, gjallesa me bisht
gjilpëra të fëlliqura për gjakun në gisht
ti e nuhat erën e gjakut, qeset plastike
rezerva t’zorit për institucionet anemike
beson marrëzisht, dëgjon zëra të largët
në detin skëterrë të katandisin dallgët
zërat përhumben përtej brigjeve idilike
monologë të krisurish, maskash mimike
duologë demagogësh, tallje, përbuzje
triologë diletantësh, servilizma, përulje
120 maratona të krisurish në kutitë magjike
triatlone palaçosh, dukeshash parazite
mund t’i ndërrosh programet, kanalet
mos ngurro, nuk mungojnë spektaklet
Gremlin-i më i madh, i gjelbërt në mes
për disa përrallëza fiton Mercedes
pastaj kukullat buzëkuqe, sylaroshe
tek vallëzojnë të zhveshura në qoshe
atashuar me çmimin super të nxehtë
në “hot” etiketat, karminin e shtrenjtë
130 për ta mbajtur butë me buzët rrethore
direkun e ndjeshëm si ndonjë akullore
i cili nuk është ai direku i drejtë, bajrak
për lecka triumfi, flamuj të mëndafshtë
nëpër reklamat, akull, montazhi idilik
“rendez-vous”, rang i lartë, suprematik
poshtë mesazhi me shkronjat e arta
si pije freskuese në zorrët e zbrazëta
“dëfrehuni salloneve, o ju të marrosur
se erdhi mëngjesi, nata është sosur
140 kur dielli t’i ketë përqafuar bulevardet
vegjëlia punëtore, neo-proletariatet
do t’jenë duke vështruar nga skutat
gjatë urinimit ndër tualetet e ngushta
artin tonë nëpër façadat e purpurta”
prapë ke gishtat, leri marrëzitë dhe ik
shko t’marrësh ajër modern artistik
mund të endesh kopshteve, bordeleve
pastaj, hamameve, saunave, hoteleve
i gjen “gejshat” me sytë prej rruazash
150 të gjalla, portretet kanë sy meduzash
mund t’u shkosh dorën flokëve të zeza
gjarpnushëzat presin, duken të fjetura
ajo çfarë dhemb, nuk vjen pas kafshimit
ashti i dhimbjes mban mishtë e lëngimit
nuk kthehesh dot në gur, sikur statujë
formulat janë përzier, nuk pihet më ujë
merr frymë lehtas, aroma e jaseminit
të pushton, t’i sjell vargjet e Eseninit
nëse nuk të pëlqen romantika e huaj
160 provo diç tjetër dhe fare mos druaj
mund t’i mbyllësh sytë, për deportim
superteknologji, zhdukje, dizintegrim
fare shpejtë n’tjetër vend do zgjohesh
n’ferr mund të digjesh, të përvëlohesh
prapë të gajasesh, të luash dhe shah
me kryedjallin mund të shkosh për gjah
buzëmbrëmjeve, horizontesh të hirta
tek minjtë ngarendin kanaleve të pista
centurionëve t’ua vjedhësh helmetat
170 gazetarëve merru germat e gazetat
dhe gjahun mund ta shëtisësh qytetit
trofe për nder, në emër të vetë mbretit
në mercedesin katran, të diplomatëve
me surle e daulle, zile të psikopatëve
do vjelësh nga buzët e marionetave
mes përmes qilimave të kuq, buqetave
buzëqeshjet e freskëta, të trëndafilta
shkëlqimet e llambadarëve të jeshilta
askush nuk të ndal t’ia mësysh detit
180 me not… apo në kuvertën e tragetit
fishkëlleju delfinëve, edhe simbadëve
përtej të premton mielli i refugjatëve
mos u huto nga sytë, bebëzat e fikëta
as nga qafëbardhat, lozonjaret, nimfa
rrezik të fundosesh por njëjtë është
amfibet, kapitenët të udhëzojnë drejt
puthjet e humbura do t’i kesh medalje
tallesh me Poseidonin pa kërkuar falje
ti humb një fije por sulesh rrufeshëm
190 çdo fund lidhet me një fund të vetëm
aty tek portat i sheh guaskat vezulluese
margaritarët, buzëqeshjet premtuese
merru erë, nuhati ëndrrat psikodelike
ngrihesh me gejzerët, frymimet magjike
nga flluskëzat, dihatje e nëndheshme
nuk është rrezik as për lëkurëdjegie
ndoshta vetëm iluzion, mashtrim optik
gurgullima pa sens peshqish epileptikë*
shtrirë në shpinë dremitshëm, të fjetur
200 në ferr çdo gjë duket prush, mërdhezur
mbase nga nxehtësia, vlimi… nga vera
përndezur nga mjedisi, nga atmosfera
mes shtytjes e përplasjes, antiklimaks
ankthet ta mjegullojnë secilin shkas
krijimet kthehen në një furrë rënkimesh
në akull ose në zjarr, ethe dështimesh
mes fjalës e heshtjes, gjuha ngatërruar
e gërryen qiellzën, e trashur, rënduar
210 t’i kullufit rrokjet, metaforat t’i ngrys
t’i këputë vargjet, rimën kthen përmbys
dementi e pafalshme, pikë a njollëzezë…
mes gjuhës a buzës, me shije a pa të
ëmbël apo hidhur, secila këngë të vdes.

***
(vëzhgime nga djepi i shpresës së gjetur)
Në tokë… luftoji paralitikët, antitrupthat e rremë
le t’ushqehen qelizat, aleatët e tu të mirësisë
220 aleatët kundër krimbave të ashtit…
kërko t’i lëpish faqet e djepit të votrës
mes strehës e çatisë, mes pragut e shtëpisë
në shkëlqimin e lotëve të padukshëm
lindin shpresat, të freskëta

Në qiell… provo ta kapësh, ta ruash në buzë
cicërimën e dallëndysheve të bardha
tek fluturojnë kah ëndrrat rinore, ngjitu
dhe më lart… shtegto mes pluhnajës e galaksisë,
vrimëzezës e yllësisë
230 në bebzat e unikorn-it të përgjumshëm
pjalmojnë ëndrrat, të kthjellëta.

* shprehje të huazuara

(Publikuar në revistën “Haemus”, Bukuresht – 2004 – sipas autorit, poema është “pasqyrë poetike” relativisht e saktë e Shqipërisë, pakashumë rreth viteve 1997-2003 – grafika ngjitur: George Condo – “Pa Titull”, 1987)