Ex Machina, Pollock dhe “Automatizmi” Artistik!

S. Guraziu – Ars Poetica, Sh 2015 (Vështrim eseistik)

(…sikur vetë arti është kthyer në një “vegël” për të pushtuar gjithçka përbri e përanash tij, sa më shumë që t’jetë e mundur artificialitete paralele, e madje dhe për ta pushtuar “vetveten” si business…)

“Jackson Pollock. Piktori i “spërkatjes”, piktor spërkatxhiu, e linte mendjen e tij të boshatisej, dhe dora e tij shkonte aty ku ajo vetë dëshironte. Jo qëllimisht, jo rastësisht; diku në mes të qëllimit dhe rastësisë. Artin e tij e quajtën art automatik. /…/ Çfarë nëse Pollock ta kishte përmbysur sfidën? Çfarë nëse në vend të bërit art pa e angazhuar intelektin, pa e lodhur mendjen, të thoshte: “E dini çfarë? Nuk mund të pikturoj asgjë nëse t’mos e dija saktësisht përse jam duke pikturuar”. Çfarë do t’kishte ndodhur? Pollock kurrë s’do ta kishte bërë as një njollë të vetme në kanavac. Nuk është sfidë për të vepruar automatikisht. Por është për ta gjetur një veprim që nuk është automatik…” – (shkëputur nga “Ex Machina” – Alex Garland, 2015)

Në skenarin për “Ex Machina” (prodhim i 2015), Alex Garland e inkuadron “automatizmin” e Jackson Pollock dhe “nëndijen” e tij artistike për të sugjeruar se në natyrë gjithçka është e programuar, ndoshta dhe vetë mendja jonë. Dhe si rrjedhojë jo vetëm inteligjenca artificiale por dhe ajo e jona natyrale e ka si “sfidë” të veprojë diku në mes të qëllimit dhe rastësisë. “Nuk është sfidë për t’vepruar automatikisht por për ta gjetur një veprim që nuk është automatik” – sugjeron Garland.

Megjithatë, inkuadrimi i “automatizmit” të Pollock ishte ajo çfarë mua më pati shtyrë ta vras mendjen, e madje eventualisht dhe të buzëqeshja. Dikujt tjetër mund t’mos i ketë rënë në sy fare çështja e Pollock. Dhe tutje ndokush tjetër mund t’ketë buzëqeshur për ndonjë arsye fare tjetër. Psh. Helen Lewis është “intriguar” lidhur me aspektin e feminizmit që “Ex Machina” ngërthen. Në një artikull të publikuar në Janar 2015 Lewis shkruan: “Alex Garland sugjeron se agësholi guximtar i Inteligjencës Artificiale nuk do të “lirohet” nga dinamikat tona gjinore. A mund të jetë një film që ka t’bëjë me një krijesë tërheqëse robotike, fanta-shkencë feministe?” – pyet Lewis.

***
Në Prill të v. 2011 piktura me titull “Les joueurs de cartes” e Cézanne qe shitur me çmimin astronomik prej 259 milionë dollarë. Llogaritet se çmimi i përshtatur tani, duke marrë parasysh indeksin inflativ të “ekonomikave” amerikane dhe të këmbimit… do ishte rreth 274 milionë. Mirëpo ca milionë më shumë apo më pak, për hir të këtij shembulli s’çojnë fare peshë. Për shkrimin tonë sot, le pra Cézanne të jetë diç si “kufiri i epërm i çmendurisë”. Ndërsa për t’mos ngelur pa “kufirin e poshtëm” atëherë le t’jetë “spërkatja No. 5” e Pollock kufizimi nga “poshtë i çmendurisë” : )

Sepse aktualisht piktura e Pollock “No. 5”, sa i përket shtrenjtësisë është në vendin e dytë, pas pikturës së Cézanne. Në v. 2006, për “aksion-spërkatjen gjysmë-të vetëdijshme” të amerikanit Pollock, për pikturën “No. 5”, blerësi David Martinez pati paguar jo më pak por 140 milionë dollarë.

Hm, duke mos e “kontestuar” as saktësinë as kredibilitetin e “automatizmit të nëndijshëm” të Pollock, në të cilin Alex Garland referohet në “Ex Machina”, megjithatë sikur duhet shtruar ca pyetje!

Athua Garland “harron” që përpara spërkatxhiut Pollock, përpara “automatizmit” të tij, kishte mjaft artistë nga e kaluara që mendonin se po ashtu ishin të “prirur nga influencat e nëndijes”!?

Athua Garland e “harron” ndikuesin më të madh në teknikën “aksion-spërkatje” të Pollock, piktorin Max Ernst, i cili qe martuar me Peggy Guggenheim, njëra nga adhurueset, klientesha kryesore dhe përkrahësja më e rëndësishme e Pollock?!

Athua Garland “harron” që sikur t’mos ishte Guggenheim (gruaja e tij dhe mikja e Pollock) shumë e pasur, ndoshta Pollock do t’kishte ngelur një alkoholist i pandreqshëm, përgjithmonë. Sikur t’mos ishte Guggenheim ashtu e “çmendur” pas artit të tij, Pollock mbase s’do kishte mundur të huazonte nga ajo shuma të mëdha parash për t’blerë shtëpi, për t’u martuar me gruan e vet (piktore po ashtu) etj.

Athua Garland “harron” që piktori Max Ernst, burri i punëdhënëses – huadhënëses së Pollock, e pati “zhvilluar një metodë” pikturimi duke përdorur “bojë që pikonte nga një kovë e shpuar”, përpara se ta bënte Pollock të njëjten. Ose tekefundit as artistja Janine Antoni nuk i përdor brushat pët t’i përlyer pëlhurat e veta në dysheme. Ajo ia bën me flokët, i zhytë në kovat me bojë dhe… i përlyen përlhurat aq bukur sa dhe vetë Pollock do t’ia kishte zili për origjinalitetin! Vallë si duhet ta quajmë tani “teknikën” e Janine Antoni!? Mos ndoshta “aksion-njollosje”, për dallim nga “aksion-spërkatje” e Pollock!

Athua Garland “harron” që termi “action-painting” qe shpikur nga kritiku amerikan H. Rosenberg, i cili aludonte në “teknikën e Pollock me bojën që pikon mbi kanavac”. Mirëpo Rosenberg, përpara se ta quante teknikën e “bojës që pikon” të Pollock (se i takon këtij), më e saktë do ishte që “aksion-teknikën e spërkatjes” t’ia atribuonte influencuesit të tij, piktorit Max Ernst!

Athua Garland “harron” se disa vepra përhumben e mbështillen në vlerën e tyre reale mes kthetrash të “fetishizmit modern” – nga vrapi në garë i koleksionisteve, disa veprave artistike iu rritet vlera deri në ekzagjerime, e disa të tjera sikur nuk “ekzagjerohen” aq sa duhet!?

Athua Garland “harron” se arti si art, siç funksionon në kohët moderne, nuk konceptohet tutje vetëm si “amusement” apo argëtim, as vetëm si vërtetësi e vizion, as thjesht si “art për hir të artit”, më tepër sikur vetë arti është kthyer në një “vegël” për të pushtuar gjithçka përbri e përanash tij, sa më shumë që t’jetë e mundur artificialitete paralele, e madje dhe për ta pushtuar “vetveten” si business!?

Athua Garland “harron” se çmimi astronomik i një pëlhure të spërkatur të Pollock prej 140 milionë dollarë, është thjesht ekzagjerim fetishistik prej biznismenësh!?

***
Apo Garland s’ka harruar asgjë, “automatizmi” i Pollock, qoftë dhe si klishe-stereotipik artistik, përputhet në mënyrë të përkryer me inteligjencën artificiale (AI) të bukuroshes robotike në “Ex Machina”. Robot i cili ndoshta është “more human, than human” (më njerëzor se njeriu), robot i cili është në gjendje t’i lexojë të gjitha mikro-shprehjet e fytyrave të njerëzimit, që mund t’i ndiejë të gjitha ndjenjat, e madje që ka dhe “një vrimë” mes këmbëve… për aventurat seksuale – sepse për diç tjetër nuk i duhet vrima robotike!

Garland shprehet: “mes qëllimit dhe rastësisë”, pra ai sikur ka dëshirë t’i jep më shumë sens non-sensit të “spërkatjes”, qoftë asaj horizontale, qoftë vertikale. Edhe pse Pollock më mirë ndjehej kur spërkaste mbi pëlhurat e dyshemesë, mbi pëlhurat e shtrira, sepse mund të vërtitej rreth e rrotull dhe sikur futej “diku brenda” artit. Garland s’ka harruar se metodat automatiste të artistëve surrealistë nuk ishin krejtësisht të pa ndjenja, të pavetëdijshme. Vizatimet-pikturimet e tyre nuk ishin 100% automatike, krijimi i surrealistëve përfshinte një shkallë të ndërhyrjes së vetëdijshme, një dozë të manipulimit të ndërgjegjshëm.

***
Arti, secilën herë e më shumë, sikur na vërtetohet se është diç mjaft kompleks si “fenomen”, do ta mësojmë këtë secilën ditë e më tepër, tek ecim andej kah e ardhmja. Kush mund ta dijë se ku jemi nisur dhe ku do të arrijmë!
Ironikisht, i gjithë subjekti për artin dhe për atë që nuk është art (por që ka t’bëjë me artin, secilën herë e më shumë) sikur tërthurohet brenda thënies së vetë Pikasos, “babait” të artit modern: “çdo vlerë pozitive e ka çmimin e vet në terma negativ… gjenialiteti i Ajnshtajnit i sjell Hiroshimat”.

Tmerri dhe pasojat e L. së Parë Botërore e patën lëkundur fuqishëm besimin në moralin borgjez, jo vetëm në aspektin “politik”. Në arenën evropiane të artit, depresioni dhe kriza “morale” sikur pashmangshëm do të çonin në shfaqjen e rrymës anti-art, të njohur si Dada. Dhe tutje dadaistët do bëheshin vetë “varrmihësit” e kësaj diçkaje të re, pikërisht nëpërmjet anti-vlerës dhe estetikës së tyre nihiliste. Kundërvlera dhe anti-arti sikur sollën përfundimisht dështimin e vetë strukturës ideatike dadaiste. Athua vallë arti i mirëfilltë e njeh dështimin – në fund të fundit diç s’mund të jetë e “vdekshme” nëse kurrë as nuk ka lindur! Por a ishte diç e re, a ishte “dështim”, a ishte “lëvizje e re”, a ishte gjallë diç e palindur?

Ndoshta ky “dështim” ishte thjesht vështirësia e “nevojshme” e procesit për një lindje (rilindje). Në shikim të parë, sikur historia e artit na paratakon me një paradoks (logjik), por jo, sepse tutje janë vetë dadaistët ata që luajtën rolin e tyre në sjelljen e risive artistike. Në fakt, sipas meje dadaizmi nuk ishte as lindje as rilindje, nuk përfaqësonte gjë… as kitsch as art, as avancim as avangardizëm, as stagnim as përparim, as kthim mbrapa as shkuarje para… Sepse si negacion ndeshej me vetë fondamentin e pozitivizmit artistik. Dadaizmi më parë ishte si “refuzim” për të lindur, qëkur anti-arti s’ka të bëjë me artin (duke qenë si kundërshti themelore e vetë artit). Dadaizmi ishte një dehje e “përkohshme” depresive e kohëlinjës artistike.
Rigrupimi i vetë dadaistëve të dikurshëm e solli lindjen e Surrealizmit!

***
Termi “art automatik” është bërë pjesë e zhargonit teknik të artit modern dhe të atij postmodern, ndoshta që nga vitet ’20-30 të shekullit të kaluar. Në fund të ’40-ave dhe fillim të ’50-ave veç e kemi të njohur një grupnajë kanadeze të artistëve të ashtuquajtur “Les Automatistes”. Pra dhe vetë emri sugjeronte për troçësinë e kësaj rryme-lëvizje. “Automatizmi” si teknikë ekspresive qe praktikuar kryesisht nga artistë-përfaqësues të Surrealizmit, mirëpo ndikimi i “automatizmit” është ndjerë dhe në lëvizjet e tjera të mëhershme, psh. edhe për Dadaistët “automatizmi” ka luajtur rolin e vet.

“Automatizmi” i referohet një teknike në të cilën artisti gjatë pikturimit ose vizatimit “lejon” të bjer nën kontroll të pjesërishëm të nëndijes së vet krijuese. Mjaft artistë surrealistë të shek. XX pretendonin “zhbllokimin” e energjisë bazike kreative, e cila gjoja na paskësh qenë gjithmonë e strukur diku në skutat e thella të personalitetit të artistëve.

Nga njohësit e historisë së artit dhe nga kritikët askush nuk e kundërshton pohimin që mbase figurat më eminente të “automatizmit artistik” ishin piktorët Salvador Dali dhe Jackson Pollock. Të tillë surrealistë, automatizmin krijues në art e shihnin si të vetmen mënyrë për shpëtimin nga “barrierat” kulturore, nënkulturore, intelektuale, e madje dhe nga kufizimet “historike”.

Kjo qasje e re krijuese, ky çlirim i energjisë nga “brendia, nëpërmjet kontrollit nëndijor”, ose automatizmi artistik i surrealistëve të “brendshëm”, bllokonte elementet e padëshirueshme të art-kulturës borgjeze, dhe mëtonte përfaqësimin e një formë më fisnike, më të lartë, të sjelljes e të qasjes artistike. Nëse për hiçgjë tjetër, atëherë sepse pikëpamja ose qëndrimi nga adhuruesit e artbërjes së “jashtme” ishte fare ndryshe; sipas surrealistëve këta të fundit e shihnin kulturën dhe edukimin personal si një lloj “këmishe” përforcuese për kreativitetin e tyre artistik.