Horizontet e “zgjeruara” të Kritikës Letrare!

S. Guraziu – Ars Poetica, Maj 2014 (Vështrim)

(…Vladimir Nabokov pati thënë se lexuesit e mirë nuk lexojnë libra, dhe sidomos jo kryevepra letrare, “për qëllim të kënaqësisë së tyre akademike me abstraksione” – sipas Northrop Frye, disa kritikë kanë tendencë ta qafojnë një ideologji të caktuar (pothuaj deri sipas shijes, shpesh pa qenë as të vetëdijshëm), dhe për të gjykuar rreth veprave letrare në bazë të besnikërisë së tyre ndaj ideologjisë favorite… )

***
Në arkivin e The New Yorker, në artikullin e D. T. Max të vitit 2006, “The Injustice Collector”, lexova që nipi i James Joyce e paskësh vënë në dyshim nëse diç esenciale t’i jetë shtuar trashëgimisë artistike të James Joyce, qofshin dhe plot 261 libra të kritikës letrare që ruhen në Bibliotekën e Kongresit. “Po t’ishte gjyshi tani këtu, do kishte vdekur (rishtas) së qeshuri…” – qenka shprehur (u quajka Stephen) në një konferencë akademike në Kopenhagë, duke aluduar që kritika letrare shpesh është qesharake – “cilido libër i Joyce mund të lexohet me kënaqësi pothuajse nga të gjithë, pa patur nevojë për udhëzime në rrugën “shkencore”, për teoritë dhe për shpjegime të ndërlikuara…” – fjalët e tij.

Le ta harrojmë Poetikën e Aristotelit (siç dihet, vepra e Aristotelit ishte ndikimi më i rëndësishëm sa i përket kritikës letrare deri në fund-shek. XVIII), le ta harrojmë Platonin, Horacin, Danten, Bokaçon, Neoklasicizmin e Renesansës, Romantizmin britanik, atë gjerman, atë francez… le t’i harrojmë të mëdhenjtë e shek. XIX… Coleridge, Schopenhauer, Shelley, Goethe, Hegel, Carlyle, Emerson, Poe, Baudelaire, Nietzsche, Zola, Wilde, Mallarme etj të panumërt – le t’i harrojmë me dhjetra e qindra kontributorë prej kolosësh sa i përket kritikës letrare të shek. XX, le ta lëmë që nga fillimshekulli anash Formalizmin Rus, Kritikën e Re… le t’i lëmë të gjitha grupet e nëngrupet, të gjitha rrymat e nënrrymat, le të kërcejmë më afër kohës sonë.

Rreth viteve ’60 e deri në të 80-tat e vona të shekullit të kaluar në arenën e letërsisë evropiane dhe botërore qe vërejtur apo qe dëshmuar një rritje interesi për “teori” letrare shprehimisht filozofike. Padyshim ky interes qe ndikuar nga strukturalizmi, më pastaj nga post-strukturalizmi etj. Shtrohet pyetja: vallë na duhet kritika letrare e “ndërlikuar, filozofike”, vallë të ketë të drejtë nipi i J. Joyce për 261 libra “kot” të kritikës, sa i përket veprës së gjyshit të vet?
Sepse fakt, ne kurrë s’do ia dalim t’i lexojmë gjithë ato libra. Ne kurrë as që do ta dimë se janë, si quhen, ku ndodhen… qëkur më e lehtë dhe më e dobishme do ishte psh. ta lexojmë “Uliksin” 2 herë, apo dhe 3 herë.

Kritikës moderne i janë ndërtuar shumë pista të reja për fluturime teorike, dmth. pse jo dhe shkencore. Aq shumë janë zgjeruar horizontet teorike, abstrakte. Ne ia themi që Teoria letrare është diskutimi filozofik rreth metodave dhe qëllimeve të Letërsisë. Por ne e dimë po ashtu, në kritikën letrare jo gjithmonë apo dhe jo medoemos duhet që të “filozofohet”. Nga ana tjetër nuk mund të mohohet fakti që kritika moderne letrare është e bazuar dhe ushqehet nga ai silosi gjigant teorik-filozofik.

Akoma as sot e kësaj dite nuk është e qartë si mund të ndahen këto dy gjëra. Deri sot askush nuk ka ofruar baza reale për një “ndarje” de facto. Dikur, siç u nënkuptua tashmë, as që ishte nevoja – sa i përket ndarjes tani sikur më shumë “kureshtare” është bërë kritika moderne. Por në praktikë është më se evidente që kritika letrare jo gjithmonë ka nevojë për teorizime, per filozofi dhe abstraksione.

“Kritika është gjithashtu dhe një përllogaritje e koncepteve letrare, si psh. letërsia si frymëzim, si imitim, si imagjinatë, si impresionizëm, si një formë e ideologjisë dhe si një mjet për afirmimin e identitetit. E fundit, e cila e sheh letërsinë si mjet për futjen e këmbëve në këpucët personale përpara se në të huajat, u jep mbështetje manifestimeve bashkëkohore të kritikës siç janë feminizmi, post-kolonializmi dhe teoria “queer”. Prandaj ndonjëherë e vështirë është të veçohen konceptet e kritikës nga ato të letërsisë, kështu që historia e njërës si e plotë shumë lehtë bëhet histori e tjetrës. Mirëpo kjo mund të mos jetë patjeter diç e keqe, sepse na e përkujton që nuk ka vijë kufizuese të prerë ndërmjet letërsisë dhe kritikës.” – thotë G. Day në “Kritika Letrare – Historia e Re”, 2008

Disa kritikë sikur ia kanë “lehtësuar” vetes gjithë mëdyshjet dhe trysninë, ata i mbajnë definicionet të thjeshtësuara dhe nisen nga fakti se kritika letrare është kryekëput aplikim praktik i teorisë letrare, mirëpo dhe sipas vendit e kuvendit. Sepse, tekefundit kritika gjithmonë do t’merret drejtpërsëdrejti me veprat e caktuara letrare, ndërsa teoria gjithmonë do jetë më e përgjithshme, apo më kryesorja: teorizimet ashtu-kështu janë abstrakte.

Mjaft kritikë të së sotmes, pavarësisht se janë ndikuar nga “trendet” e kaluara dhe ndikohen akoma nga “trende” të reja të teorive kritike, megjithatë sëfundi sikur ndjehen shumë më rehat vetëm me eksegjezen tekstuale sipërfaqësore, vetëm me interpretimin e një vepre të cilën e lexojnë, sesa të zhyten në mënyrë koncize në interpretimin e metodologjive (të paradefinuara) dhe të supozimeve filozofike.

Pse ndodhë kështu, pse ata ndjehen më komod vetëm me interpretimin dhe me hermeneutiken e “cektë”, duke lënë anash “filozofinë” teorike dhe abstraksionin?
Në shikim të parë sikur mund ta marrim dhe me mend, por kam përshtypjen pakëz është dhe sepse Northrop Frye në publikimin e vet të 1957-tës e vuri në dukje faktin që disa kritikë kanë tendencë ta qafojnë një ideologji të caktuar (pothuaj deri sipas shijes), dhe për të gjykuar rreth veprave letrare në bazë të besnikërisë së tyre ndaj një ideologjie të tillë.

Sot është akoma më e qartë, shumë nga kritikët nuk janë madje as të vetëdijshëm se kjo dukuri mund të ndodhë. Prandaj kur është fjala për “ndryshimet”… sot ndoshta kritikët vërtet janë “ngopur” me vajtje-ardhjet korridoreve të pafund të abstraksionit.

Këndvështrimi i tillë i Northrop Frye pati ndikim të madh, pothuaj sikur t’na qe ndonjë “formulë” ajnshtaniane, e ngopur me saktësi dhe thjeshtësi. Frye pati shumë ndikim në qarqet konservatore të kritikës anembanë botës. Dhe vazhdon të ketë.
Veçanërisht ky ndikim, apo më mirë të thuhet, një lupë e tillë e inspektimit letrar, kinse u përqafua nga një grumbull kritikësh teknikë shqiptarë, vështrimet e të cilëve mund t’i hanim si kuleçë të ngrohtë, si simite nga magjet dhe nga furrat e mediave tona të shkruara, anembanë.

Nëse duhet ndonjë shembull, atëherë bie fjala në dhjetra shkrime të autorit kosovar Ndue Ukaj përmendet dhe citohet Northrop Frye. Në shkrimet e tij do ta ndjenim sipërfaqësisht “influencën nortropiane”, do t’i shijonim ngjyresat e tij kritike-letrare, mbështetur ato me citate të ndryshme (mbase, bie fjala nga “Anatomia…” etj).

Mirëpo në të njëjtat shkrime, po ta ndiqnim me kryeneçësi “hipotenuzën e universales” letrare, Ukaj në rrafshin më të thellë sikur padashtas e humbte vetë thelbin, secilën herë ia huqte. Dhe e gjithë gjuha shtriqej si zhargon retorik-kritik (thuase për t’u hedhur pluhur syve atyre që lexojnë rrëshqitazi, të gazetave). Them ia “huqte” pasi që pikërisht ai vetë na e shpaloste prizmin kristalor të kritikës së tij të influencuar. Si me “spektrin” e Njutnit do paralelizoheshin nuancat, meqë ra fjala na e shpaloste simpatinë e vet për “ideologjinë” biblike të letërsisë, apo “ideologjinë” kadareane rreth botëkuptimit të Oksidentit dhe të Orientit etj etj.

Tutje, në dhjetëvjeçarin e fundit në shtypin shqiptar do ta shihnim lakuriq dhe një ves tjetër – do ta hetonim një “grupnajë” kritikësh që gravitonin rreth Shekullit (dhe organeve tjera të së majtës), si dhe në anën tjetër, një diç të ngjashme që gravitonte rreth shtypit të së djathtes. Dmth. rishtas prerje të djathit “Gouda”, ngjashëm si me thikat klanokratike të hesapeve politike. Pa sinkronizim, pa “intersection”, pa një forumizim të mirëfilltë të debateve letrare, pa ndonjë kryqëzim-tërthurim të ideve dhe të fakteve në planin vendor.

Epo, keq kur na “ngatërrohen” kulturat dhe politikat, një ngatërrim i tillë nuk pi ujë asfare nëse pandehim të flasim për kritikë të mirëfilltë – këtë e dimë po aq mirë, të gjithë. Sa për hesapet politike dhe jemi mësuar tashmë, një dukuri e tillë mbase akoma është “aktuale”, sidoqoftë dikur e pata përshkruar pakashumë kështu: “…akoma me ca “xhingo-luftrash” të verdha gazetareske, intelekto-matët e njërës anë me intelekto-matet e tjetres. Fusha të pafund, tyrlilloj kanonesh e Napoleonesh, Waterloo gazetareske të ndara si me thikë, pa mes të artë etik dhe as balans moraliteti-neutraliteti. Sipas tyre edhe morali na qenka i “kuq”, ose “blu”. Në njërën anë kemi 100% moral të pastër “blu” e në tjetrën anë aso të purifikuar, 100% moral “trëndafilash”… “! Ajme.

Nëse t’i lënim anash qarqet universitare, akademike, pra organet e shtypit na servirin formulimesh kritike sipas botëkuptimit politik të gravitantëve. U mbetet individëve (kjo nënkupton: të gjithëve) që ata vetë të orientohen dhe t’i kërkojnë mendimet e të “majtëve”. Pasi mendimet e tyre s’kanë kryqëzim-tërthurim mediatik as mbulesë në të “djathten”… (sikur dhe ansjelltas), sepse mbase kemi “letërsi-kritikologji” të polarizuar!

Në këtë vazhdë të vështrimit tonë, sikur e kemi të qartë se ideja nortropiane për influencë “ideologjike letraristike” (akëcila t’na jetë si ideologji, apo cilido qoftë një ndikim) nuk na shqitet.

Tani i bie pothuaj 10 vite më herët, në v. 2004 pata provuar ta kapërthej “influencën ideologjike” në një tregim që titullohet “Mustaqet e hekurta” (të tilla shkrime kam prirjen t’i ashtuquaj “humoreska”). Pjesërisht, ose si version i shkurtër qe publikuar në “FjalA” të Tiranës.

Tregimi nuk është “kryeveper” (larg për të qenë), por ishte atëbotë si sprovë për ta përshkruar vesin artistik të një fotografi në moshë, i cili fotografonte vetëm portrete me mustaqe. E kjo mani mustaqesh vlente madje dhe për femrat (të cilat, siç e dimë, nuk mbajnë mustaqe, por ja që ai si maniak që ishte e kishte shpikur gjenialitetin, në mënyrën e vet). Kur e gjente një objekt artistik, i cili objekt t’i plotësonte kriteret e tij specifike dhe të rrepta mustakologjike, vetëm atëherë fotografi frymëzohej për t’ia “shkrepur”… përndryshe e pamundur ta kesh një foto nga ai – dmth. sipas humoreskës.