Cesarit, ç’i takon Cesarit – Njësoj dhe Kleopatrës!

S. Guraziu, 2014 – Humoreskë

(…thelbi i humoreskës sonë është e vërteta, fjalët tona s’janë llomotitje e një traktori “transformer”, i cili kthehet herë në robot servilant, e herë në llamarinash kot…)

Grindjet, trazimet e burrave dhe mospajtimet e tyre në secilën fushë të jetës moderne, madje dhe në politikat e partive (ku burrat gravitojnë), padyshim duhet t’jenë rezultat ose pasojë e luftës së grave për “barazinë” dominante. Prapa kulisave, strikt sipas filozofisë strategjike “përçaj e sundo”, duke e përdorur si paravan “intelektual” feminizmin, ngadalë por ama sigurt gratë janë duke i kthyer fluturat dhe velat e fregatave në drejtimin e duhur.

Kjo më gëzon, dhe gjithçka përputhet me admirimin tim sa i përket impenjimit të tyre. Ashtu-kështu gjithmonë më kanë pëlqyer “feminizmat” e femrave. Anise solidarizim fare natyrshëm, caktuar nga vetë natyra, jo tinëzisht por heshturisht, s’kam bërë as bujë as zhurmë. Uroj t’mos krijohet përshtypja sikur gjoja i paskam “tradhtuar” burrat. Pasi kjo nuk qëndron.

S’i përkrahë feminizmat as me zhurmë e as me akte pompoze, sepse s’më ka hije, s’më takon, s’është as nevoja. Janë tepër qesharakë e për keqardhje ata burra që shtiren gjoja më “katolikë sesa vetë Papa”, siç ia thuhet. Janë për keqardhje burrecat që shiten gjoja më feministë sesa vetë femrat. Kjo thjesht s’pi ujë.
Nuk ndjehem i “taborrit” të grave sepse jam burrë – me diç tjetër krenohem unë, e me diç tjetër ato, aq e natyrshme kjo punë. Nuk jam burrec (si ata që sapo i përmenda me keqardhje) dhe as ndonjë mistrec i pispillosur në “catwalk”, gjoksi im është plot lesh burrërie, lesh natyral dhe pa hile.

Faktet janë dhe mbesin fakte, larg qoftë të rreshtohem anti-grarisë, sikur dhe as kundër burrërisë. Ama gjithmonë do ta them të vërtetën, femrat përherë do ta kenë admirimin tim per luften e drejtë. Pa femrat s’do kishte as jetë – jeta s’do kishte kuptim, pa to njerëzimi s’do ishte askund, thonë të mençurit. Filozofët, artistët, poetët etj. thonë se femrat janë perëndeshat e jetës, ato janë lulet e kësaj bote, që e zbukurojnë jetën me një milion ngjyrat e nuancat.

Burrat janë po ashtu “okay”, s’u mungon gjë, ama pa femrat thjesht janë diç si traktorët e vrazhdtë, gati për t’u ndryshkur. Pa femrat padyshim akoma do ishin duke bërë gjoja patinazh artistik në akullnajat e Ice Age. Janë ato që burrave ua falin shkëlqimin e vërtetë – pikërisht femrat. Gjithçka shkëlqen me trëndafileshat pranë, edhe traktorit më të ndryshkur sikur i vjen ajo vizëllima metalike.

Nuk i kuptoj ca tipash tek përshfaqen si shovinistë mjeranë, por mbase të tillë janë nga ligësia, nga dobësia e tyre. Më kujtohet, një thënie e vjetër kroate thoshte se “pecit t’ligësht secila qime ia zë udhën”! Vallë pse kroatët e shpikën dikur këtë thënie, e pra… mendoj se ata e dinin fort mirë pse.

Mirëpo shkëlqimi i ka ca kushte, gjërat janë të ndërlidhura reciprokisht, dihet dhe kjo. S’do mend se, femrave u duhet ndihma e burrave, sikur dhe këta që s’munden pa femrat. Fillimisht (jokushtimisht) burrat duhet t’ua trasojnë shtigjet e veprimit, t’ua sigurojnë binat teatrale. Ashtu-kështu burrat janë ata që duhet ta djersitin zinxhirin e zhvillimit materialist.

Mund t’i marrin gjithë Nobelat, s’ua ndalon kush. Sa i përket “nobelizmit” mund t’i diskriminojnë sa të duash gratë (siç janë duke bërë tani), por duhet dhe ta praktikojnë në realitet secilën shkencë, duhet ta aplikojnë në praktikë secilën gjë të shpikur. Le t’shpikin ata, le t’krenohen për miliona patente, le ta shpik Edisoni llambën a Teslla elektricitetin, por dhe duhet ta zhvillojnë botën realisht. Burrat e tjerë që s’u ka shkrepur mendja të shpikin gjë, duhet t’jenë te hijshëm, qafëtrashë e muskulozë, duhet ta kenë vullnetin e çelikosur, duhet t’i përvjelin mëngët.

Burrat duhet ta shpikin çdo gjë ekzistente dhe joekzistente, qoftë idetë qoftë formulat ajnshtaniane, qoftë fitilin qoftë dinamitin… si cilido Nobel i kësaj bote. Duhet t’i ujdisin dhe një milion veglurina të tjera (gjoja aparate të shkencës e të luftës), edhe kjo qëndron. Meqë shpikja, sado gjeniale na qoftë, ngelet diç e kotë, nëse nuk i ndërton fabrikat, nëse nuk i djersitë muskujt, nëse nuk i prodhon me miliarda poçesh për ta ndriçuar botën. Koeficienti “nobelistik” i së tashmes nuk paraqet gjë realistike, mund t’jetë madje pakëz fals, mund t’jetë dëshmi e “paturpshme” e mentalitetit dekadent të burrave, trashëguar që nga lashtësia.

Se burrat duhet t’i shpojnë Alpet dhe shkëmbinjtë e Zvicrrës, gjithë tunelet e kësaj bote, se duhet t’i ndërtojnë minierat dhe t’i përpunojnë lëndët e para – kjo sepse e caktuar nga natyra. Duhet t’i ndërtojnë shkritoret, uzinat e fabrikat, dhe përveç tankseve, nëndetseve e raketave, duhet t’i prodhojnë me miliona automobila e rekuizite teknologjike (meqë ra fjala, diç si kuriozitet: automobili është gjenialiteti  më “bindës” dhe më joshës që ka shpikur njeriu ndonjëherë).

Burrat duhet t’i çajnë bjeshkët në dysh, t’i ujdisin hekurudhat, t’i ndërtojnë avionët, raketat, kozmodromet, aeroportet, anijet dhe portet, t’i bëjnë gati autostradat, rrugët anembanë rruzullit, duhet t’i lidhin kontinentet, akullnentet, duhet t’i ndërtojnë panumër komplekse industriale, jo vetëm për industritë vitale të jetës dhe të zhvillimit, por dhe për fabrikimin e panumër produktesh që u pëlqejnë grave.

Pastaj duhet t’i ndërtojnë ato mega-qendrat tregtare, me lloj-lloj dyqanesh të tipit Versace, Cartier, Gucci, Louis Vuitton, Balenciaga, Armani, Dior… dhe t’i mbushin plot e përplot me mallra, pasi që gratë duhet t’kenë ku të bëjnë “shopping” modern. Ka ikur tashmë koha e “bazareve” babilonase plot pluhur e baltë, madje as gjysheve të Malcis s’ua hedh dot, gjoja t’i palosësh thurimat e qëndismat, çorapet e leshta, vezët e qepët skaj rrugës plot pluhur dhe t’na bësh “business”. Etj. etj, panumër të tjera, panumër gjërash që burrat duhet t’i ujdisin, miliona të tjera të ngjashme, zinxhir.

Dhe s’ka asgjë “tragjike” në këtë mes, s’duhet dramatizuar si ata macho-shovinistët e dobët. Janë gjëra që i bëjnë burrat e vrazhdtë, meqë natyra e pati caktuar që t’jenë të fuqishëm e muskulozë, si traktorë. Sikur që s’qe caktuar që t’ngelin shtatzënë – ky privilegj hyjnor u qe caktuar femrave.

Dihet se traktorët janë diç si “stupid machines”, të nevojshme po, por aq, asgjë më shumë. Me ta kryer punën thjesht mund ta harrosh cilindo traktor, madje dhe aty në fushë, nën qiellin e hapur. Asgjë s’i gjenë, mund t’rrinë në diell, në acar, në shi a shtërngatë, duket sikur ndryshken një grimë por një shkundje duhet. Me shkundullimën e parë… me kollitjen e parë u vjen fryma, prapë rrokullisen ashtu traktorçe, me zhurmë, tym e oshtimë.

Puna punë, e ka rëndësinë e vet, duhet zhvilluar bota, duhet përparuar. Mirëpo jeta nuk bëhet me traktorë. Jeta e mirëfilltë dhe puna, s’duhet ngatërruar këto, janë dy gjëra të ndryshme. Për ta shijuar jetën duhet diç më luksoze se traktorët. Diç më praktike, më komode – mbase veturat! Asnjë i krisur, qoftë dhe më i krisuri i kësaj bote nuk niset në Ibiza a në Mallorca me traktor? Edhe pse s’përjashtohet mundësia e ndonjë rasti të izoluar, e pabesueshme t’ketë ndodhur.

Për pushime, për rehati e për promenada veturat janë të pazëvendësueshme. Sikur dhe rekuizitet përcjellëse që duhen, sa më luksoze që t’jetë e mundur. Edhe veturat, rekuizitet, gjithçka të kësaj bote “materialiste” duhet ta ujdisin burrat, me gjithë xingla-minglat e nevojshme. Është detyrë e tyre, e paracaktuar.

Thelbi i humoreskës sonë është e vërteta, fjalët tona s’janë llomotitje të një traktori “transformer”, i cili kthehet herë në robot servilant, e herë në llamarinash kot. S’ka si kontestohet fakti: sikur t’mos ishin femrat, ky zinxhir i ndërtimit të botës as që do ishte bërë zinxhir. Kurrë s’do nisej për t’u bërë “zinxhir”. Do ngelej një tojë, një sixhim i leshtë, sepse s’do ishte nevoja për zhvillime, për ecje përpara.

Pa femrat bota do kishte stagnuar, padyshim dhe vetë evolucioni, Darvini e dinte fort mirë, tjetër se pati heshtur. Sepse gjërat që dihen si fakte ordinere s’është nevoja të përsëriten me shkencat e hipotezat. Meshkujt akoma dhe sot e kësaj dite do flinin nëpër drunj. Sipas skenarit më të mirë, le t’themi nëpër kasollet prej gjethesh, si të Tarzanit në xhungël. Pa gratë, burrat ende do ishin duke i fshirë merimangat me mjekrrat e tyre të gjata, ndër shpellat e Kohës së Gurit.

Me triumfin e “feminizmit”, me luftën e drejtë të grave për “barazinë” dominante (burrat 49 = gratë 51), s’do ndryshonin gjërat thelbësisht. Të gjitha hesapet “burrërore” do t’ngeleshin aty ku dhe janë – thonë ekspertët e së tashmes. Sa i përket zhvillimit, ndryshime aq rrënjësore s’do kishte as në të ardhmen. Mirëpo nga ana e politikës (shikuar politikisht), me fitoren e grave gjëja më interesante që do fitonte njerëzimi do ishte paqja absolute dhe koherente, paqja globale.

S’do kishte tutje kurrë luftra (siç burrat i patën gjatë gjithë historisë, dhe akoma s’ndalen). Me fitoren e feminizmit luftrat do ishin të paimagjinueshme. Vallë, a mos na qenka kjo “pak”, si fitore e njerëzimit?! Në epokën e grave të futurizmit do flitej për historinë e turpshme të burrave, do flitej pa “fjalë”, ashtu shurdhër, me gjuhën e memecërisë. Do flitej për “Kohën e Gurit” të tyre, për kohën e maçungave e të çomangave. Kjo vetëm sa për hir të historisë, si dëshmi për gjeneratat e futurizmit, do t’argumentohej me heshtje e me infografikash të zbehta holografike.

Me fitoren e femrave për barazinë (burrat 49 = gratë 51) e ardhmja s’do ishte ndonjë qilim falas i mbuluar me trëndafilash, por sëpaku do t’ishte absolutisht “rozë”. Kështu mendon bie fjala dhe ai pronari i “Miss Universe”, ai pasaniku i madh, Trump. Magnati amerikan është përkrahës i pashoq i grave, ai dhe e ka dëshmuar publikisht zemrën fisnike, sikur dhe largpamësinë e vet, me lloj-lloj kampanjash e shampanjash.

Kuptohet se futurizmi i dominancës feministe s’ka vend as për “amazonash” të xhindosura, gjoja “businesswomen” arrogante, aso që vishen si djalli në Prada, femra që janë murrizash të “egra” dhe ndaj vetë femrave. S’ka vend as për shtrigash të rrezikshme, për shtrigëzeza të imagjinates përrallore a la Grim, as për anti-heroinash hollivudeske. Feminizmi i vërtetë s’ka të bëjë me egoistikat, me alter-egot as me ego-centrizmat.
Futurizmi feministik do t’kishte vetëm thashetheme, secili kufi i shteteve do ta kishte nga një Everest me shpifje e thashetheme. Sëshumti do t’kishte zënkash verbale, shigjeta prej shikimesh përvëluese, do t’kishte xhelozi dhe mbase shuuumë shtete që nuk flasin mes vete. Ama, siç e cekëm, do celebrohej triumfi, do mbretëronte paqja globale, paqja absolute. Luftrat do ishin diç si “histori e turpshme” e njerëzimit – thonë ekspertët.