Zenë Kapllani dhe Zenun Digitruni

S. Guraziu, 2006 (Humoreskë)

[ Thesari ]

Kulla e Zenë Kapllanit ndodhej në anën e djathtë të sheshit. Zena shpesh tregonte nëpër oda se ishte shtëpi mjaft e vjetër, “shumë herë e meremetuar”, blerë nga Ramë Tamlarizi, i cili tani nuk jetonte më në Sukë. Rama e pati shitur “gjithë tokën, edhe tru’llin e ri, edhe mullinin, edhe tufën e dhenve… dhe ishte shpërngul n’Përzeren”. Shtëpia datonte “qysh nga koha e Ali Pashës“ – thoshte Zena.

Fshatarët, pothuaj të gjithë, kujtonin se po të hulumtoje mirë e mirë në tavanin e saj, vrimave e skutave, patjetër do gjeje napolona të harruara nga Kapllani i Manit, nga Kapllani koprac, babai i Zenës. Pastaj “pare t’mretit”, në mos dhe ndonjë “qyp me lira”. Nuk përjashtohej mundësia t’kishte edhe napolona të Manit, Man Jeminit, babagjyshit t’Zenës.

Sa i përket thesareve të tavanit, ca të tjerë ishin skeptikë dhe thoshin se s’do të gjeje asgjë. Sepse dhe nëse t’ketë patur diç, të gjitha do t’i ketë zbuluar qëmoti Xaja, i vëllai i Zenës. Ndërsa ec e bjeri n’fije Xajë Karkalecit. “Kund bytha vend nuk i nxe! Sa n’Shkodër sa n’Shkup kërcen” – thoshte vetë Zena për Xajën.

Mirëpo s’ia mbante kujt ta fuste kokën në tavanin e Kullës. As Zena vetë kurrë s’pati guxuar të ngjitej i tëri atje lart, përpos me gjysmë trupi nga shkalla, sa për t’i mbushur xhepat “palloshka” dimrit. Ose sa për t’marrë ndonjë “tramak”.
Ndërsa kureshtar, ishte mjaft kureshtar. Gjithmonë pyeste mëvete: “A thue, ç’kâ atje në skej’?! Ndoj’ bollë… aso me flokë hakubet, minj sa macja e Bujarit tem po se po… Jaaa, ec e guxo, more burrë…”. Dhe ndalej. S’guxonte as të mendonte më tej.

[ Porta ]

Porta e oborrit (autori i këtyre rreshtave ka dëshirë ta cilësojë si një vepër arti të mirëfilltë) thurur e ujdisur nga vetë Zena, me thupra frashëri marrë nga Kroi i Gixhës, i jepte sheshit jo pak hijeshi. Për dallim nga ca të tjera aty rrotull që dukeshin si gojë-zgavra veloresh të fundosura, aso të piratëve pas dyluftimeve me topa, porta e Zenës ishte më e avancuar. Ajo s’linte përshtypjen si të tjerat; që dukej sikur donë “ta kullufisin gjith’ sheshin e pluhërosur, Lamën e Kuqe”.

Porta e thurur pushonte ngulur mbi një bazament të drunjtë aty në njërën anë, ku mbështetej direku për muri. Bazament i trashë arre, ngulur thellë, hedhur një pëllëmbë mbi tokë, “si plisat e goranëve” – pati thënë Zenuni, me një vrimë të “tyrvjeluar” thuaj gati-gati në qendër. Ky precizitet s’ishte i rastësishëm. Zena e pati llogaritur mirë mesin, me sahat dhe zinxhirin-çëstek duke e rrotulluar. Pastaj pati shpuar me shumë kujdes dhe pati qenë tejet i kënaqur me përfundimin.

Mirëpo puna mori n’thua gjatë nguljes. Sa për sherr, nuk e kishte vënë si duhet në nishan, dhe një e çarë… “vëëëërrr” tamam kur nuk duhej. Ia kishte çarë “loçkën e zemrës”, sepse sipas tij, bënte dhe pa atë goditje. Assesi s’arrinte ta kuptonte se ç’e shtyri të merrte hov me çekanin dymbëdhjetëkilësh (huazuar nga Zenun dyqanxhiu) pikërisht në momentin e fundit. Goditje e fundit që ia pati prishur “qejfin tej qaty”, – i qe shprehur pastaj Zenunit, fqinjit me të cilin kishte “fort muhabet”.

Porta mbështetej dhe në një rrotëz në tjetrën anë, mekanizëm i huazuar nga kombajni i vjetër “Zmaj”, i Xhem’ Ramushëve. Ashtu me ndihmën e rrotës, hapja dhe mbyllja e portës bëhej me aq lehtësi, aq sa e pati habitur dhe vetë Zenën. Sidomos kur kallamazi ishte taze. Direku kryesor që mbante portën ishte përforcuar me gozhda të trasha, “pesëmbëdhjetëshe”5, (kushedi, ardhur ndoshta nga Hekurana e Shkupit), zgjedhur nga vetë Zenuni, për hir të “muhabetit”.

Direku qe gozhduar në hatllat-çift, ndoshta një metër e gjysmë gjatësi. Ndërsa hatllat ishin ngujuar përsëgjati në mur, në një lartësi përafërsisht “deri n’shokë”, sipas Zenës. Hatlla të thara, murosur enkas për këtë qëllim.
– Baskiat s’janë krejt çelik… bezbeli ka ngapak çelik nëpër to. I mbaj veç për nevoja t’mia. Ama për ty… Zenë, ja për ty ja për askend! – i pati thënë Zenuni.

Hatllat dhe cungu i shpuar në tokë ishin elementet kyç, pjesët më vitale të portës. Në to mbështetej e gjithë pesha dhe funksionimi i sigurt i portës ndër vite. Prandaj Zena herë pas here e kishte siguruar direkun dhe me ndonjë “pej t’Ballkanit”, aso që nuk janë “mahi-pej”, gërshetuar tre-katër fish (ose dhe më shumë). Sidomos në krye direku bazohej tërësisht në një këso “trake t’Ballkanit”, dhe për rrjedhojë direku sikur nuk stabilizohej dot, por “dridhej” kryeneçësisht, si “bishti i shejtanit”.

Traka e “Ballkanit” i kishte hujet e veta, sillte vibracione të çuditshme, sipas ligjeve dhe më të çuditshme të fizikës së “trakave t’Ballkanit”. Kjo e kishte nevrikosur Zenën vazhdimisht, por duke mos gjetur zgjidhje, e kishte lënë ashtu. Më vonë vetvetiu i gjithë ky siklet do t’shkiste në harresë.

[ Rrethoja ]

Oborri ishte rethuar me një mur pa llaç, por mjaft të lartë. Mur me gurë të blerë “në madenet e Shkozës, prej Asllan Kazmës”, mbuluar me gëllinja dendur ose ngjeshur për s’trup, krasitur e rënduar me nga një gur aty-këtu. Me gëllinjat sipri, të cilat të thara, mjaft të moçme aq sa kishin marrë një ngjyrë plehu, muri dukej edhe më i lartë.

Të dëgjoje… brenda oborrit, mund të dëgjoje çdo gjë. Edhe kecat e uritur, edhe Flamurin qaraman (djalin më të vogël të Zenës), edhe sëpatën e angazhuar për punë “sakicash” aty tek cung-dardha n’mes të oborrit, edhe kollitjen e Zenës, edhe përplasjen e derës së nevojtorës… Edhe çdo gjë.

Mirëpo askush s’mund të shihte se ç’ndodhte në oborrin e Zenë Kapllanit. Përveç nëse ngjiteshe në “bagremin kushedi sa vjeçar të Myrtezit, karshi stogjve”, andej në anën e djathtë. Gjithashtu dhe nga ndonjë helikopter o fluturake tjetër. Kjo dihet, por njëjtë dihet se këso gjëra s’kishte askush nga fshati. Madje Zena flinte i qetë thuase dhe ai kishte menduar për helikopterët. Thuase dhe ai ishte i sigurt për faktin se helikopter s’kishte as vetë Presidenti, ai “prezidenti i urtë e i meçëm që rri n’kryeqytet, daktorr Rugova”.

Por jo. Natyrisht Zena kurrë s’kishte menduar për helikopterët, sëpaku jo në lidhje me murin e tij. Ndërsa kuptohet, ai e dinte mirë se ç’janë helikopterët. Ai e dinte fort mirë se ç’janë dhe “rraketat”. Nuk ishin të panjohura për të as tankset “Panzer t’Allamanit”, as “aropllanat Mig, t’Rusit, t’njëjtë ashtë kah i përdor shkavi” – thoshte. As shumçka tjetër. Për shumë gjëra kishte dëgjuar e mësuar tashmë nga televizioni. Sipas Zenës këto i dinte gjithkush, i madh e i vogël. Sëpaku, secili që ka “tivilizor”. E dihet, “tivilizora kanë i gjithë katuni”.

[ Tivilizori ]

Kishte tre-katër vite që Baftiari, dajua i Sokolit, ua pati sjell një televizor si dhuratë. Ai Baftiari që punon n’Gjermani. Zena i qe falënderuar sa s’ka më, thellë deri në “loçkën e zemrës, …nera t’u rrit, o Bafti, kofsh gjithmonë faqebardhë” – disaherë qe shprehur, por nuk i kishte dhënë aq rëndësi “aparatit tiviliziv”. Më shumë e pati marrë si “g’zim për kalamajtë”, si lodër për ta.

Tani, kohët e fundit besa fort i kishte hyrë në zemër. Ia dinte tani dhe markën, “Pilip”, herë thoshte “Fillips”, ndonjëherë tjetër i përzihej “Phillips”. Mirëpo marka i ngatërrohej vetëm kur e pyesnin. Dhe ata që e pyesnin se si ia gjenin kohë e pakohë. Sepse kishte raste kur nuk i kishte mendtë andejpari, pastaj arsyetohej “s’ashtë marre me harru ‘i markë tivilizori, emni i tivilizorit s’ashtë emën evladi. Për k’so gjana pyete Zenunin. Digitrun hesapi, as vetë tivilizori s’din ma shumë. Nuk thonë kot Zenun-Digitrun. S’di a i ke pâ najherë kur t’bahen bashkë me Shahinin e Mulla Ymerit. Krejt politikajt’ e Amerikes e t’Avrupes i dinë n’gishta, krejtë emnat, krejtë dipllomatat, krejt dallaveret e dynjesë… Zenun-Digitrun. Shahin-Melun…!”.
Dhe kishte shumë të drejtë. Gati se vërtet ishte ashtu.

[ Ankesa ]

I kishte hyrë në zemër dhe Baftiari, sepse ishte “kallxu gurbetxhi i zoti”.
– Baftiari e blejti tru’llin n’Përzeren, pati maru sh’pinë, pati pru ujin nga “Dardha e keqe”, krejt thoshin: âshtë budall Baftia. A vjen uji prej “Dardhës keqe”! Se nime, atje n’Dardhishtë t’tyne boll kijamet ashtë. Gurë e nëpër shtatëdhjet’ kodra duhet kanalli.… E tash… tash me t’u rritë ymri sall bahçen me pa. Tevonaj, pati martu Shaipin, atë dal’farçin… Pa kqyrja veç floktë, si hakubet, kuçuretë përpjetë. Tânë ditën e lume veç me tramafil anej-k’nej. Vëëësht-çvëëësht… S’ka kurxhâ prej tij… parazit hesapi. Po thonë edhe n’kafe asht bâ pidah, mas lavireve e mas rakisë. Krejt paret e devizav n’Kristal po i len, tuj hangër pula e tuj pi raki – i pati folur Zenun-Digitrunit në dyqanin aty afër, ku ulej ndonjëherë e ndërronte ndonjë llaf.

– Po, aaa! I paska ble limuzinë Baftia, po atij u’ dy-tri buallica ia kisha ble – ishte habitur Zenun dyqanxhiu.
– Qe de! Po m’dhimet Baftiari, për atë dalfarç n’shpi… I shkon muni kot! Qështu ma ka bâ edhe Xaja i jem. Unë n’Vardar tuj u përdredhë, ai ladro teposht-përpjetë. Unë tuj hjekë si thiu, ai tuj u zgërdheshë. As aletet s’mi rujke. Besa dhe m’i shitke, për cigare t’grymta.
– Jooo o Zenë… mos men’o asisoji. Xajën e kanë marrë n’qafë t’tjertë, shoqnija e keqe, se nuk u kânë i keq ai.
– Qysh je vetë, me t’njejtë zatetesh. Hoxhë n’kofsh, hoxhallartë t’lyhen mas, qen n’kofsh, qentë t’lyhen, ose ta prejnë udhën…
– Zatetesh… e besa edhe t’ngjiten. Deshte-s’deshte! Ka ‘iherë t’kapen o Zenë, s’ki kah ia mbanë! – e pati ngushëlluar Zenuni
– Po, po… – ofshante pastaj Zenë Kapllani, “e njoh u’ mirë atë qafir…”.

[ Lama e Kuqe ]

Katundi Sukë ishte i madh, kishte shumë lagje dhe ndoshta dhjetë ose njëmbëdhjetë dyqane. Sidoqoftë, dyqani i Zenun Digitrunit dalngadalë nisi t’bëhej mjaft i rëndësishëm për furnizimin, kryesisht të lagjes Azemavinjtë.
Sheshi Lama e Kuqe, për të cilin po flasim, nuk ishte qendra e fshatit. Nuk ishte as sheshi kryesor. Në kohën e “ngjarjes së tregimit” tonë, ishte thjesht njëri nga sheshet në pjesën e epërme të fshatit. Një shesh fshati, pa infrastrukturë dhe asgjë tjetër të mirëfilltë (siç ndoshta mund të mendojë njeriu kur kujton sheshin e ndonjë qyteze si Rahoveci, që kuptohet do të jetë shesh më i avancuar).

Ca kanale anëve, mbushur mbeturina nga më të ndryshmet. Ca gurë, aty pranë derës së dyqanit, vendosur nga ndokush sa për t’mos u mbështetur me prapanicën në pluhur ose në baltë. Ca porta oborresh nga më të çuditshmet rreth e rrotull. Ndonjë qen, gomar ose mace tek çapitet mërzitshëm për në anën tjetër, secili rrugës së vet.

Mund të thuhet se sheshi i ngjante një korzoje, mirëpo jo si të tjerat. Lama e Kuqe sigurisht se ishte korzo origjinale, e llojit të vet. Jo aq moderne si korzoja e Malishevës, kuptohet dhe kjo. Gjithsesi, me çdo detaj autentike. Verës, pluhuri ta ëmbëlsonte frymën dhe arrinte ndonjëherë deri në zog t’këmbës. Dimrit, skllotë e baltë deri nën gjunj. Thonë, i tillë ka mbetur dhe sot e kësaj dite, nëse nuk llogaritet përmendorja e ngritur pas luftës. Monument i punuar me gurë të latuar, me një pllakë mermeri në ballë dhe një shqiponjë të hekurt në majë (shumë të “besueshme” me simetrinë e shqiponjës së flamurit, vizatuar e prerë me aparat autogen).

[ Birra maqedonase ]

Me hapjen e dyqanit, Lama e Kuqe qe gjallëruar dukshëm. Nuk ishte gjithmonë njëjtë, por verës, buzëmbrëmjeve vlonte nga njerëzit që dilnin të çlodheshin pakëz pas punëve të ditës. Të ndërronin nga një llaf me të tjerët për argatshtinë, ta pinin nga një Jupi, e pse jo dhe nga një birrë. Për fat të keq dyqani i Zenunit nuk mbante birra t’Pejës, aso birra sahë, me ujë të ftohtë nga burimi i Drinit t’Bardhë. Sall një markë e ardhur nga Kumanova. Sepse me atje diku e kishte lidhur “biznisin” dyqanxhiu.

Në fillim, ata që njiheshin si ekspertë, njohës pa hile të birrave, ia kishin zënë për të madhe Zenun Digitrunit. Një lloj bojkoti ndjehej në ajri, edhe pse kush s’e thoshte një fjalë. Njerëzia rrallë porositnin birrë. Nuk i refuzonin vetëm nëse ndokush qeraste, sepse ashtu s’kishte kuptim. Kur dikush ta ofron një pije, është nder. Sikur që është dhe zgjatja e cigares. Prandaj dhe thuhet “t’u rritë nera…”, nuk thuhet kot, kjo ka domethënie. Tekefundit është diç si kod i pashkruar. S’ka kuptim të refuzohet cigarja, përveç nëse nuk je duhanxhi. Ashtu po. Dihet kjo. Ashtu sikur t’rri nën sqetulla një respekt nga gjithë të pranishmit. Respekt i heshtur për joduhanxhiun.

Nuk refuzohet as birra, qoftë dhe maqedonase. S’do kishte fare kuptim. Sepse nëse për asgjë tjetër, birra kushton sa një pako e tërë cigaresh. Kuptohet, jo aso “Marlboro” por një pako është pako. Qoftë “Partner” shferc-komerc, qoftë “Drina” qyl-bylbyl e mykur. Pastaj nëse fyti t’është tharë e shkrumbuar, refuzimi s’do ishte gjë tjetër pos marrëzi.

Pra refuzimi i një birre nuk ishte praktikë në Lamën e Kuqe, e as nuk do t’ishte ndonjë mençuri. S’ka qenë në kohën kur ishte Lamë, s’ishte as tani në kohën e Zenun Digitrunit. Kështu që, me kohën, dhe ata më “të ndjeshmit” qenë mësuar me shijen krejt ndryshe të birres maqedonase.

[ Hilet e Zenunit ]

Shumkush dyshon se kjo na ishte po ashtu njëra nga ato taktikat e Zenun Digitrunit. Përndryshe s’do e quanin kot Digitrun. Për çdo detaj i bënte llogaritë, deri në detajet më të “padukshme”. Dyshimi bazohej në faktin se ai duke ua hapur ndonjë konzervë mishi të grirë “narezak”, u thërriste: “…hëëë ku di dhia ç’ashtë taxhia, ku dini ju qysh pihen birrat, fytin plot kashtë e pluhun nga prashitja e do m’u knaqë me birrë, fytit duhet me ia ndihmu pak o xhanëm!”.

Sekretin e “Vegetës”, aso prodhuar nga “Podravka” e Kroacisë, nuk ua zbuloi dhe për ca kohë. Kur një delegacion pati ardhur nga Kumanova për çështje biznesi, tek atëherë ca fatlumë që do qëllonin aty e kuptuan se dhe “narezak”-ut duhet t’i ndihmohet. Dyqanxhiu, siç e lyp zakoni, bënte çmos që musafirët “biznismenë” ta ndjenin veten si në shtëpi. Nuk kursente gjë, Zenuni do e hapte zemrën, konzervat, vegetat, shumçka. Vetëm e vetëm që biznismenët të ndjeheshin të kënaqur. Por pakëz gjithashtu që maqedonasit ta kuptonin se dhe këndej njerëzia i ditkan marifetet e birrave.

Pastaj, këta fatlumët që patën rastin ta mësojnë sekretin e “Vegetës”, nuk e mbajtën këtë sekret vetëm për vete. Tani të gjithë klientët e Lamës së Kuqe e dinë si duhet t’i ndihmohet fytit. Ç’është e vërteta, shijen e çuditshme të birrave të Zenun Digitrunit mund ta ndjesh eventualisht dhe më tej ngapak. Sidomos gjatë birrës së parë.

Por me t’ia filluar të dytës, çdo gjë rregullohet e bie nën kontroll të mishit të grirë dhe të “ingredientëve” të vegetës. Asaj pra, më të mirës kroate, “Podravka”. Ndoshta dhe normale kjo dukuri, thjesht “fenomen” i zakonshëm. Tekefundit as nëpër gjelltoret e Prishtinës, domethënë të vetë kryeqytetit, asnjë çorbë… pa i ‘çik kripë nuk ia vlen!