Shpikjet dhe avancimet teknologjike – Lindja e Internetit!

S. Guraziu – Ars Poetica, Mars 2023 (vështrim eseistik)

(…s’duhet ta harrojmë “parakushtin”, ne vetë duhet ta gjejmë balansin mes të mirave dhe të këqijave që teknologjia na i ofron (+ imponon)

***
Nëse ta shtjellonim një thënie të gjeniut Tesla, qëllimi përfundimtar i shpikjeve është zotërimi i plotë i mendjes sonë mbi botën materiale. Mendoj se Tesla e pati “thuktuar” gjithë konceptin në mënyrë të përkryer filozofike. Shtjellimi i “rezonimit” të Tesla na thotë se shpikjet janë diç si “armor” i intelektit, diç si parzmore e vetë mendjes, diç si “mbështjellje” e vetë natyrës njerëzore, për nevojat e shfrytëzimit të diçkaje në rrafshin materialistik.

Një iPhone i kohës sonë s’është diç ndryshe nga siç ishte dhe vetë guri i parë i “mprehur” nga paranjeriu. Njësoj si ashturinat tibiale të imagjinatës së Kubrick, përdorur nga njeriu dikur që ta kryente “vrasjen e parë”. Njësoj si gjithë gjërat e mprehta, qoftë për t’i montuar në shtizat, për t’i përdorur si armë, si vegla-tehurina të gjahut, a për cilëndo nevojë tjetër. Njësoj dmth. siç dhe akëcila vegël e shpikur gjatë historisë njerëzore, qoftë primitive a qoftë superiore si avancim.

Është supozuar që veglat t’jenë për të mirën e njeriut, në “shërbim” të njeriut. Shpikësit dhe teknologët, ashtu me impulsin e natyrshëm kreativ, shpikin dhe krijojnë teknologji, inicojnë përparime e tekno-avancime. Qasja e tyre sikur është e ngjeshur me “motivin” që ta bëjnë jetën e njeriut më të lehtë, dhe botën më të mirë. Dhe vetë shpikjet e ndihmojnë “shpikjen” e diçkaje tjetër – herë shpikjet ekzistente avancohen, e herë shpiken gjëra që s’na duhen, totalisht të panevojshme. Gjërat shpesh lëvizin në drejtimin e kundërt, të “gabuar”. Mirëpo gjithmonë parakusht është që ne vetë ta gjejmë balansin, t’i filtërojmë, t’i “shoshisim” të mirat nga të këqijat teknologjike.

Bie fjala, NASA do ta shpikte “telekomunikimin në distanca të gjata”, shpikje e cila në të pastajmën do u “ndihmonte” dhe panumër shpikjeve tjera. Nga përspektiva e sotme, shpikje pothuaj marramendëse. Dikush nga ata të NASA-s atëbotë e pati shprehur entuziasmin e vet, “kjo teknologji ka potencialin për ta krijuar një botë më të mirë”.
Le ta ilustrojmë komentin e tij me shembullin modern të “smartphone”, që i përdorim sot.

Vallë si imagjinohet bota pa iPhone tani! Mirëpo ç’do bënte dhe vetë iPhone pa aparatet ndihmëse (qofshin këtu poshtë, qofshin ato orbitale atje lart)? Janë panumër shpikjesh, miniaturizuar e paketuar në një pako, që aparati ynë i xhepit i përdorë. Madje, thuase pa e patur ne as idenë, detajet teknike s’na interesojnë. Sikur s’jemi të “vetëdijshëm” si funskionon iPhone (për nevojat e veta). Neve na intereson kompaktësia funksionale, na intereson nevoja jonë, kaq.

Dhe në rregull kjo, ama psh. nëse aparati i quajtur iPhone t’mos ishte i “lidhur” me sivëllëzërit e vet s’do ishte i avancuar, s’do ishte “smart”, s’do ishte i “mençur”. Ndoshta do kishte ngelur relativisht “stupid” : )
Madje iPhone sikur është bërë vetë “marramendja” e kohës sonë. S’na duhet vetëm për komunikimin, sa për ta shuar mallin me të dashurit tanë, kudo t’jenë, qofshin 100 hapa larg, apo në Hong Kong, në Vladivostok, a në ISS atje lart. As jo vetëm se telefonat e së sotmes janë kompjuterë në fakt, panumër herë më të “fuqishëm” se dikur ata që i përdorte NASA gjatë vizitave në Hënë, dhe na duhen për çështjet administrative, për secilin detaj teknik rretherrotull biznesit, për ta shfletuar Internetin, pastaj Intra-netet institucionale, ato të korporatave, për ta gjetur secilin dokument të shtetit, gjithë formularët e kësaj bote etj. etj një milion etj.

Në fakt, sikur është kthyer në “vartësi” (me plotkuptimin e fjalës), thuase njëri nga ingredientët e iPhone na ishte dhe kafeina, apo në rastin më te keq dhe nikotina. Ruana zot nga “tekno-narkotikët” e tjerë që s’i njohim, që ende s’dimë gjë, përveç shpikësve të tyre (që dinë gjithçka). Falë GPS që e pati shpikur NASA, iPhone e di në çdo kohë se ku ndodhemi “gjeografikisht”, e di çfarë bëjmë dhe çfarë duam. Andaj vetë iPhone thuase e “ushqen” ego-n tonë në bazë ditore, thuase e ka një persistencë a vazhdimësi djallëzore. Qëkur na i servir një “miriadë” gjërash që na pëlqejnë, pothuaj gjithçka që u teket mediatikëve, sikur dhe dyqanxhinjëve modernë.

Thuase iPhone e di saktë çfarë bluhet ne mendjen e përdoruesit (pronarit). Me miliarda iPhone i njohin me miliarda pronarë – miliarda iPhone komunikojnë mes vete, ama aparati jonë komunikon vetëm me neve. Jemi ne pronari, ne e kemi “gishtin” dhe butonin. Ta zëmë bota ka përdorues që janë “vartësuar” vetëm nga porno-industria, nga avancimet në këtë lëmi të aktivitetit njerëzor (s’ka pse çuditet lexuesi, mund t’jetë dhe kjo e saktë). Ja që iPhone si aparat di gjithçka – dhe kështu dinë miliarda sivëllëzër-aparate aneskaj botës.

Të “vartësuarit” ndoshta tërë ditën merren me video-grafikat e bukurosheve. Sipas qejfit të pronarit, iPhone s’u përzihet, larg qoftë, ama thjesht është fakt që s’ka kufizime në asnjë drejtim të interesit. iPhone është aparat i fuqishëm dhe askend s’e le në “baltë”, ofron gjithçka. Ama dhe “di” gjithçka, sepse i nevojitet për të qenë funksional. Gjërat që eventualisht ende s’i ka “mësuar”, thjesht i pyet sivëllëzrit-aparate, sa herë t’jetë nevoja…

Me miliona çupërlinash e çunash mund t’i zgjedhin lojërat “favorite”, s’i kursen kush as fëmijët, i bombardojnë me miliona video-games, me lloj-lloj joshje-ëmbëlsirash. Njësoj na serviret materia përmbajtësore e gjithë revistave të botës, materia e secilës gazetë që e fsheh Interneti, lloj-lloj “breaking news” na vinë taze. Me miliona lajme rreth politikave thuase freskohen automatikisht, rreth eventeve sportive globalisht, rreth biznesit e berzave, rreth kripto-bizneseve e shkëmbimeve, rreth modave e stileve, reklamat e gjithë dyqaneve të botës, gjitha teoritë e botës “konspirative”, të gjitha historitë, të gjitha legjendat… e madje dhe memoria shekullore e “trungut tonë familjar”, tek ruhet nëpër dosjet diku në “clusters, iCloud”.

Thjesht deshëm ta vërtetojmë se entuziasmi i dikurshëm i zyrtarit të NASA pati qenë “ok”, e dinte fort mirë se ç’po thoshte. iPhone sot na e lehtëson jetën dhe punën aq shumë, mund t’marrim pjesë në video-konferencat e korporatës kudo që qëllojmë, qoftë dhe nën dush, na edukon madje (qëkur mund t’i ndjekim dhe kurset universitare përmes tij), na informon etj etj. Ka aq shumë të mira e lehtësira…

Vetë definicioni i së “mirës” është relativistik, s’duhet ta harrojmë “parakushtin”, ne vetë duhet ta gjejmë balansin mes të mirave dhe të këqijave që teknologjia na i ofron (+ imponon). Disa gjëra mbase “ecin” si rrezet e diellit, në të gjitha drejtimet, si kah e mira si kah errësira. Ne jemi ata që zgjedhim, vetë mendja jonë duhet të përkujdeset, sa më larg lajthitjeve…

Disa shpikjesh s’na duhen dhe aq, disa të tjera as hiç. Me qindra patente e shpikjesh e mbanin emrin e Alfred Nobelit – lista e gjatë “patent-ike” e tij kishte t’bënte me shpikje eksplozivesh, me rishpikje të barotit, me përmirësime të eksplozivitetit, me përmirësime minash e bombash etj. etj. lloj-lloj këso shpikjesh. Keq nëse dinamitin e përdorim për luftrat e për armët, s’ka si t’jetë “mirë”. Dhe vetëm “kujtimi” i Luftës I Botërore na tmerron, deri atëherë bota sikur ende s’e dinin mirëfilli potencialin djallëzor të shpikjeve. Pothuaj sikur ra “lufta” dhe bota e kuptuan 100%.

Kishte ca dekada që pati vdekur, por vetë Nobeli si industrialist i kishte mbi 90 fabrikash që operonin anembanë botës, prodhonin lloj-lloj gjërash të “frikshme”. Madje sa ishte gjallë, gazetat franceze e quanin “tregtari i vdekjes”.
Nga ana tjetër, kur dinamiti na duhet për hapjen e tuneleve, inxhinierët dhe ata ekspertët e shkëmbinjëve s’mund ta marrin me mend si shpohet bjeshka pa eksplozivët.

Veç e thamë, disa shpikjesh s’na duhen aq, disa të tjera mbase fare, ka dhe të tilla. Psh. as “shpikja” e bombës atomike s’na duhej, më mirë t’kishte ngelur e “pashpikur”. Sidoqoftë, një herë a dy i provuam, dy prova dhe e “kuptuam” – s’na duhen. Që nga atëherë s’i kemi përdorur më. Padyshim jemi mbushur mend, e ushqejmë shpresën se i gjithë njerëzimi është “akorduar”. Është ky ndoshta shembulli më ilustrativ i “zgjedhjes” ta ruajmë tekno-balansin, të rrimë sa më larg të keqes teknologjike.

Veglat dhe tekno-shpikjet janë për të mirën e njeriut, në “shërbim” të njeriut. Të krijohet një “botë më e mirë”. Dhe kjo nuk është pak, përkundrazi, është shumë. Ashtu-kështu bota gjithmonë ka “vend” për më mirë. Dhe gjërat janë të lidhura, zinxhir. Të gjitha avancimet sociale e kulturore gjatë historisë kanë shkuar “paralelisht” me avancimet teknologjike. Dhe kjo vlen për të gjitha kahjet, në çdo drejtim sikur na “rreshtohen” paralelizmat. Vallë ç’do bënte mjekësia e sotme pa mijëra shpikjet dhe avancimet gjatë historisë. Sa e sa aparate të avancuara i shërbejnë njerëzimit nëpër spitalet e botës, pothuaj të panumërta janë dhe vetëm ato të Philips, si kompani e vetme.

Apo, nëse e marrim shembull “paralelizmin” ushtarak, bie fjala s’do mund të flisnim për “fallangat” (si diç më e avancuar luftarake), nëse t’mos na ishin shpikur fillimisht shtizat. Pa ato shtizat e gjata as fallangat s’do i kishte Aleksandri, për t’u krenuar pastaj me sukseset e me fitoret. S’po i përmendim “paralelizmat” ushtarak të së sotmes, s’është nevoja, gjërat kanë vajtur përtej marramendjes. Kemi “shpikur” lloj-lloj monstruozitetesh, lloj-lloj “cluster-bombs”, e hedh 1 të vetme dhe shumëzohet si vetë djalli i largqoftësisë, e shfarosë një armadë të tërë…

Sidoqoftë, nga ajo ana e “mirë” e balansimit na mrekullon shumçka, jo vetëm iPhone por dhe një “miush” i vogël. Kujtohu ai miu që na bënë “ekspertë” rreth përdorimit të kompjuterit, qe shpikur nga NASA. Sikur dhe vetë kompjuteri që e përdorim në zyrën tonë, për nevojat moderne të përditshmërisë, edhe ky shpikje e NASA. GPS (Sistemi i Pozicionimit Global), pa të cilin as iPhone në xhepin tonë s’funksionon siç duhet, qe shpikur nga NASA. Qelulat solare që e konvertojnë energjinë e rrezeve në elektrikat, po ashtu. E edhe LED-llambat etj.

Nga NASA erdhën sa të duash shpikje tjera që janë të dobishme në jetën tonë. Shumë shpikje të NASA patjetër se e kanë bërë botën tonë “më të mirë”. Të cilat shpikje i përdorim çdo ditë, pakashumë në mënyrë rutineske, pa menduar për to, pa qenë të “vetëdijshëm”, sepse aparatet komplekse janë ndërthurur tashmë me jetën tonë. Shpikje për të cilat komercialisht s’e kishim as “idenë”, por që NASA veç i përdorte gjatë proceseve dhe nevojave të veta. Shumë gjëra që janë shpikur dikur, gërshetuar me shumë risi e shpikjesh shkencore, i përdor iPhone… të cilin e përdorim ne.

***
Gjithë librat e kësaj bote, vetë germat, vetë shpikja e Gutenbergut, gjithçka e shkruar para dhe pas shpikjes së tij, në thelb kishin të “bënin” me komunikimin njerëzor. Sepse njeriu është socio-qenie, sepse komunikimi është gjithçka. Që nga zanafilla e njerëzimit, s’do mend se komunikimi ishte njëra nga “hallkat” kyç sa i përket zhvillimit shoqëror e kulturor.

Për të komunikuar në distancë, çerokët, apaçët, siuksët, navajot… dhe fiset tjera indigjene të Amerikës merreshin vesh me anë të “tymit”. Sidomos nëse duhej nisur “mesazhe” lidhur me çështjet strategjike. Njësoj si apaçët, edhe ushtarët e Murit Kinez, në gjithë gjatësinë prej mijëra kilometrash, e koordinonin funksionimin dhe vigjilencën me anë të tymit.

Padyshim se Interneti është njëra nga shpikjet më të rëndësishme të njeriut, e cila shpikje thuase e ka “ndryshuar” konceptin e funksionalitetit të botës sonë. Është diç si super-vegël ndërkomunikuese. Thuhet se Interneti u shpik në v. 1983, mirëpo dihet se ishte në përdorim që nga vitet 1960. Atëbotë, diç si Rrjet i Agjencisë (Amerikane) për Projektet e Avancuara Kërkimore (ARPANET). Po ashtu dihet se sot DARPA, pasardhëse e ARPA, është diç si avangardë tekno-shkencore, studimet, kërkimet, tekno-hulumtimet e tyre gjithmonë janë pararendëse të shumçkaje (njësoj sikur dhe ato të NASA, anise dhe bashkëpunimi mes tyre vetiu nënkuptohet).

Në kohën kur ndoshta ende s’e kishim as idenë ndër-rrjetësore (internetike), rrjeti i tyre qe krijuar për t’ua mundësuar kërkuesve qeveritarë shkëmbimin e informacionit. Shkurt, për qëllimin ndërkomunikues. Duhet theksuar se rrjeti ARPANET synonte gjithashtu që Departamentit të Mbrojtjes t’ia mundësonte komunikimin efektiv në rast të ndonjë sulmi bërthamor, eventualisht. Meqë asgjë s’duhej përjashtuar, ca dekada më parë vetë amerikanët i patën sulmuar japonezët me bomba bërthamike. Kështu që, who knows… kurrë s’duhet thënë kurrë. Atëbotë gjithçka “vërtitej” rreth brengave të Luftës së Ftohtë, gjithçka ishte e mundur, asnjë “skenar” imagjinar nuk përjashtohej.

Imagjino, të sulmojnë me bomba atomike, prishen telat e shtyllat, këputen linjat telefonike, shkatërrohet gjithçka, ekzekutivët e qeverisë federale dhe ushtarakët, strategët e Pentagonit janë strukur nëpër strehimoret nëntokësore, të blinduar, dikush në Arizona e dikush në Virginia (kudo t’ketë qëlluar bunkeri më i afërm), shëndosh e rehat po… por ja që të “shurdhër, e memecë”, s’do merreshin vesh për koordinimin e rezistencës tutje as për kundërsulmet. Kështu që “rrjeti” ishte diç si projekt super-sekret, njësoj siç më parë ishte projekti “Manhatan” (projekt gjigant rretherrotull krijimit të bombës bërthamore, sekret madhor, top-secret, fshehtësi në shkallë federale).

Meqë dihet tashmë, kështu shkojnë punët e teknologji-kave sekrete, e sidomos nëse aso “ushtarake”. Secili shtet duhet t’ia ketë “frikën” një shteti tjetër. Se pse na ka ngelur ky “ves”, s’e kemi idenë – ama frika s’është sekret, që nga lashtësia e njëjta “frikë”, s’ka ndryshuar gjë. Shpikja e “rrjetit” ARPANET qe bërë veçanërisht urgjente pasi Bashkimi Sovjetik do ta lançonte satelitin Sputnik, i cili siç dihet pati qenë “suksesi i parë” me ato hesapet satelitore. Krenaria sovjetike aspak s’u “pëlqente” amerikanëve. S’po themi se kishin “faj”, kur njeriut i imponohen “garat”, nëse herë qëllimisht e herë spontanisht futesh në garime të tekno-shkencës, kuptohet ashtu gjithkujt do i vinte inat : )

Në v. 1965, Lawrence Roberts do i lidhte 2 kompjuterë që t’komunikojnë me njëri-tjetrin. Për herë të parë 2 aparate qenë marrë vesh siç u kishte hije. Roberts e përdori një linjë telefonike dhe një modem akustik për transmetimin e info-pakove, transmetuar si të dhëna digjitale. Ky sukses do ishte fillim i mbarë, nëse 2 aparate ia dalin të “merren vesh” mes vete, atëherë patjetër dhe “marrëveshja” kolektive e më shumë aparateve do ishte e mundur. Krijimi i rrjetit ARPANET do përfshinte punën e përbashkët të shumë inxhinierëve, shkencëtarëve, programuesve. Thuhet se Vinton Cerf dhe Robert E. Kahn ishin ndër kontributorët kryesorë. Si të tillë, që të dy e kanë merituar nofkën “baballarë të Internetit”. Pa ARPANET ndoshta s’do kishte as Internet, s’do vinte Interneti i mëvonshëm.

Sidoqoftë, ARPANET nuk ishte “rrjet global”, jo se teknologjia ende s’kishte “ambicje” botërore por thjesht ishte projekt amerikan. Që moti, në fillimvitet 1900, vetë Tesla e pati teorizuar krijimin e “world wireless system”. Ideja e tij për një kohë të gjatë pati ngelur ashtu, vetëm si teori, si shkrepje gjeniale, si shkrepje e mrekullueshme ideatike. Do duhej të kalonte pothuaj një shekull, gjenialiteti do i shkrepte dikuj tjetër, në v. 1989 britaniku Tim Berners-Lee do ta shpikte rrjetin “World Wide Web”.

Rrjeti “WWW” i Berners-Lee fillimisht qe konceptuar rreth idesë për shkëmbim të automatizuar të informacionit mes universiteteve dhe instituteve shkencore të botës. Dmth. ngjashëm siç dhe Internet-koncepti i dikurshëm ARPANET, qe ideuar për shkëmbimin informativ panamerikan. Tani koncepti i Berners-Lee do ishte “botëror” (world wide).

Berners-Lee punonte pranë CERN*, Gjenevë. Faqja e parë e internetike e CERN (dhe dmth. faqja e parë e gjithë botës) iu kushtua vetë projektit “World Wide Web” dhe qe strehuar në kompjuterin “NeXT” të Berners-Lee. Po ashtu thuhet se Berners-Lee e pati “ngarkuar” foton e parë në Internet përmes World Wide Web, rrjet që e krijoi ai vetë. Fotoja e parë internetike ishte një foto e 4 grave që punonin së bashku me shpikësin Bernes-Lee në CERN.

Pra Berners-Lee e pati krijuar faqen e parë, ndërsa thuhet sot në Internet ka mbi 1.7 miliard faqe. Kuptohet se ky numër vazhdon me “luhatjen”, herë do ketë më shumë e herë më pak. Nëse sot ka mbi 1.7 miliard faqe (ose numri mund t’jetë dhe më i lartë), megjithatë vetëm rreth 200 milionë prej tyre janë aktive. Mendohet se të paktën 1.5 miliard faqe internetike janë joaktive.

Për fat të mirë, para një dekade (në v. 2013) CERN vendosi ta “ripunonte” faqen e parë internetike, dhe e cila të përshfaqej pikërisht siç ishte projekti fillestar në një adresë të veçantë. Kjo i bie të jetë diç si përkujdesje “muzeale”, që të ruhet tekno-projekti i Berners-Lee dhe trashëgimia origjinale. Natyrisht, u lumtë atyre të CERN për kujdesin, i lumtë dhe shpikësit të Internetit, pastaj shpikësit të Web-it, dhe gjithë shpikësve të botës varg e varg, çfarëdo që t’kenë shpikur.

Na takon t’jemi mirënjohës, dhe t’mos harrojmë, e si t’mos i jemi mirënjohës Gutenbergut! Na takon, sepse gjenialiteti i tyre e solli botën dhe shoqërinë njerëzore këtu ku është sot. Ylli i Hollivudit, ajo bukuroshja Monroe ia pati shprehur mirënjohjen dhe vetë shpikësit të “takave” – sipas saj, vallë çdo bënin femrat e botës pa takat! Se pse kjo mirënjohja për takat, s’e kemi idenë. Mund t’jetë se Monroe pati menduar pikërisht të “kundërtën”, apo ndoshta nganjëherë këpucët pa taka thjesht s’janë “cool” : )

* CERN është Organizata Evropiane për Kërkime Bërthamore, është laboratori kryesor i botës shkencore për fizikën thërmijore. Selia është në Gjenevë. Aktualisht shtetet anëtare të CERN janë: Austria, Belgjika, Holanda, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Bullgaria, Izraeli, Italia, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Spanja, Suedia, Zvicra, Republika Çeke dhe Mbretëria e Bashkuar. Rumania është kandidate për anëtarësim, Serbia është anëtare e asociuar në fazën paraprake të anëtarësimit. Ndërsa India, Japonia, Federata Ruse, ShBA, Turqia, Komisioni Evropian dhe UNESCO e kanë statusin e vëzhguesit.

[ grafikat ngjitur – foto e Tim Berners-Lee, faqja e parë internetike, dhe dokumente origjinale të WWW-s – burimi CERN ]