[ pak fjalë – sguraziu, prill 2023 ]
64-vjeçarja Madonna, e konsideruar “mbretëreshë e pop-muzikës”, beson se “muzika është shpirti i universit”, lidhur me universalizmin e muzikës pati sqaruar:
“…pavarësisht se ku ndodhemi. Ku udhëtojmë. Pavarësisht me kë jemi apo çfarë gjuhe flasim, kur dëgjojmë muzikë, edhe nëse fjalët s’i kuptojmë, mund të lidhemi me atmosferën, me shpirtin, me ndjenjën, me emocionin që muzikanti e ka vënë brenda muzikës. S’ka rëndësi në çfarë gjuhe njerëzit këndojnë, në çfarë ritmi apo zhanri. Ne gjithmonë, në një mënyrë parësore, do jemi të lidhur përmes muzikës…”.
Në moshën 60 vjeç Madonna deklaron të jetë “Madame X” (një alter-ego i saj – nofkë e vjetër, që nga kur ishte 19 vjeç) dhe sakaq e inçizon studio-albumin e 14 të saj me titull “Madame X”. Thuase asgjë, thuase rutinë ky albumi i 14 i karrierës, mbi 50 minuta i gjatë!
E qartë, thjesht e pandalshme, s’ka rëndësi mosha nëse energjia artistike e pashterrshme, vallë ç’na qenkan 60 vjet mosndalje… asgjë, dikur me këngën “Give It 2 Me” (2008), thoshte “s’kam nevojë të marr frymë, kur dritat fiken dhe s’ka mbetur njeri, mund të vazhdoj përgjithmonë…” : )
Se kush është “Madame X”, më së miri e pati sqaruar Madonna vetë:
“Madame X është një agjente sekrete. Udhëton nëpër botë. I ndryshon identitetet. Lufton për liri. Thërret “sillni dritë në vendet e errëta”. Ajo është një vallëtare. Një profesoreshë. Një nënë, një fëmijë, një mësuese, një murgeshë, një këngëtare, një shenjtore, një kurvë, një spiune në ‘shtëpinë e dashurisë’. Unë jam zonja X”.
Këngën “I Don’t Search I Find” (Nuk kërkoj, unë gjej) kritikët muzikës e paskan konsideruar të jetë njëra nga këngët më të mira nga albumi “Madame X”, (2019). Kënga qenka titulluar sipas një thënie nga Pablo Picasso (bazuar në një artikull të v. 1936 nga Graham Sutherland, Picasso dikur qenka shprehur “Unë nuk kërkoj unë gjej” – sqaronte Rachel Flynn, 2019, në një artikull publikuar nga Tate, UK).
***
“Madonna është e njohur gjerësisht për rishpikjen dhe shkathtësinë e saj të vazhdueshme për prodhimin e muzikës, për shkrimin e këngëve dhe për prezantimin vizual. Ajo i ka shtyrë kufijtë e shprehjes artistike në muzikë, ndërkohë duke vazhduar ta ruajë kontrollin mbi çdo aspekt të karrierës. Këngët e saj përfshijnë tema sociale, politike, seksuale dhe aso rreth religjionit, kanë sjellur polemika e kontradikta, por dhe vlerësime kritike pozitive. Një figurë e shquar kulturore e shek. XX – XXI, mbetet një nga “figurat më të mirëdokumentuara të epokës moderne” – (thoshte faqja e saj voluminoze sa “lufta dhe paqja” në wikipedia, s’e kush i shkruan tekstet atje s’e kam idenë, por dhe vetëm faqja për këngën “I Don’t Search I Find” ishte voluminoze sa 1 libër i tërë, e qartë se përkushtimi i disa wiki-kontributorëve e tejkalon jo vetëm parapritjen e lexuesve por dhe vetë marramendjen : )
