Trepça e “Fjetur” – Kapaciteti i Pashfrytëzuar dhe Vështirësitë

S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2023 (pak përsiatje, dhe retro-histori…)

(…Trepça përbënte 70% të gjithë pasurisë minerare të ish-YU, ishte nr. 1 në Evropë, e 5-ta në botë për shkrirjen e plumbit në v. 1985, dhe një nga më të mëdhatë për përpunimin e zinkut. Mirëpo gjithashtu, një Trepçë e vetme (si kompleks industrial) përbënte atëbotë rreth 70% të BPV-së së Kosovës…)

***
Qeveria aktuale e Kosovës, në programin e punës së vet, përveç tjerash zotime e detyrime, e parasheh dhe përmirësimin e sektorit minerar. Nga buxheti i 2022 qeveria do i ndante 40 milionë € për financimin e investimeve në Trepçë dhe në Telekom. Problemi është se ca dhjetra miliona për Trepçën janë diç si mikro-mbeturinat ndër dhëmbë-zorët e makinerive të ndryshkura, Trepçës i duhen nja 500-600 milionë. Në rregull, shtrohet pyetja ku t’i gjejë Kosova me qindra miliona? E njëjta pyetje mund të shtrohet dhe për autostradat – ku i gjeti Kosova miliardat?!

Nganjëherë Kosova sikur i parapëlqen autostradat e shtrenjta, me verdhushka publike ndërtohen autostradash 1-miliardëshe. Ndoshta sepse duhet çarë kodrat, duhet blerë tokat (kahdo t’bjer udha e auto-udhës), duhet hapur tunelet, duhet ndërtuar urat etj etj. Autostradat kanë mjaft xingla-mingla, ndoshta më e lehtë të veçohen ata milionat e “xhepave”. Apo ec e merre vesh, s’e kemi idenë pse janë më “atraktive” si biznes politikanësh : )

Zyrtarët e administratës kosovare madje dinë (pasi ta kenë matur kah do bjer autostrada) t’ia “falin” ndokujt 50 hektarë tokë, ia shesin gjoja nga 50 € arin. Vetë ia rregullojnë letrat, të gjitha vulat e nevojshme, madje dhe ia mundësojnë 150.000 €, 250.000 €, nëse nevoja dhe 500.000 € kredi bankare. Për ta kompenzuar pastaj si “shtet” të njëjtën tokë, të njëjtit 50 hektarë nga 5000 € arin, me parat publike të autostradës. Si i ndajnë pastaj milionat e allishervishit pa zënka, pa fjalosje e grushtosje, pa bujë e poterë, s’e kemi idenë. Aq të zotët janë kosovarët, 50 € nuk është “njësoj” me 5000 €, ama ata e bëjnë 50 = 5000.

Dy sosh u ndërtuan me para publike, kushtuan padyshim mbi 1.5 miliard €. Nëse t’mos llogariteshin 1 miliard e kusur € remitenca të diasporës, Kosova s’qe ndihmuar nga jashtë. S’e ka përmendur kush, në autostradat s’pati investuar as Evropa as Amerika. Përkundrazi, Bechtel Corporation e ShBA i pati vjelur kosovarët (e edhe shqiptarët e andejshëm) me shtrenjtësi prej qindra milionash. Sipas gjermanëve, autostrada “I. Rugova” ishte ndoshta më e shtrenjta e Evropës.

Vallë a nuk është ironike që Kosova më së paku vetura në Evropë, por autostradat më të shtrenjta të Evropës! Aq sa çuditen dhe vetë gjermanët, vetë shpikësit dhe pionierët e “Autobahn”. Vetë ata e patën shpikur autostradën që para një shekulli, para amerikanëve, para eskimezëve dhe para gjithkujt, pothuaj ende para kohës së “mirëfilltë” të Fuhrer.

Amerikanët gjoja sipas traditës “miku mik, por kosi xhixha”, jo vetëm ca miliona… qindra miliona më shtrenjtë. Në fakt, vetëm nga ngutulushizmi i Berishës dikur, Bechtel i pati vjelur 400 milionë $ njami-njami. Në Mars të 2014 FMN do i jepte Shqipërisë 457 milionë $ hua, gjoja pjesërisht për t’i shlyer borxhet e krijuara me projektin e auto-udhës. Nga ekspertët britanikë, atëkohë e pata lexuar se marzhi i fitimit të Bechtel ishte fort i “majmë”, rreth 32%, ose 400 milionë $. Pra e qartë, FMN e pati ndihmuar Berishën që ky t’mos “koritej” me miqtë e Bechtel.

Në programin e qeverisë aktuale kosovare figuron zotimi se do t’angazhohen për shfrytëzimin optimal të burimeve minerare, se do të përmirësojë kornizën ligjore, se do ta analizojë gjendjen e Trepçës, sikur dhe të minierave tjera të Kosovës. Të gjitha masat, ndërhyrjet, përmirësimet rreth e rrotull këtij sektori, sipas vlerësimit të qeverisë, do t’bazoheshin në aspekte të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale dhe mjedisore.

Mirëpo Kosova s’paska bërë ndonjë analizë të detajuar të vlerës reale të kompleksit Trepça. Se pse, s’e kemi idenë, por padyshim sepse (për arsye të kompleksitetit) procesi i tillë ngelet akoma i vështirë. Sidoqoftë, në v. 1992, qenkësh thënë atëbotë se potenciali material i Trepçës mund t’ishte deri 85 miliardë $. Kahdo të rrotullohet, potenciali i Trepçës, për një ekonomi relativisht të “vogël” siç është ajo e Kosovës, s’do mend se është i madh. Urojmë që Trepça t’mos ngelet tutje “dytësore”, urojmë t’jetë prioriteti i radhës, urojmë t’jetë më parësore se ndonjë autostradë e radhës.

***
Në shkrimet e ndokujt nga shkollarët mund të haset se historia e dyndjeve të popujve si dhe konflikt-kryqëzimi historik bizantin, bullgar, serb, shqiptar, turk etj. na e “shpjegon” trashëgiminë e pakënaqësive dhe të padrejtësive të vjetra, e që të cilat ishin “baza” e trazirave politike të 1990-ave. Ka teori se dhe lufta e Kosovës, se intervenimi i perëndimorëve pati qenë i “frymëzuar” nga hesape të mirëllogaritura rreth resurseve të Trepçës.

Ka teori se, nuk ishte vetëm “ombrella strategjike” si motiv (çështja e sigurisë, kokëdhimbja e armatimit bërthamor, aspektet strategjike ndaj Lindjes, trashëguar që nga vitet e Luftës së Ftohtë), apo dhe nëse ishte ky motiv… “mbulesa” e kostove të operacioneve qenkësh llogaritur se (herdokurë) do kompenzohej nga resurset natyrore të Kosovës. Pasi amerikanët asnjë luftë se niskan falas, sa për t’luftuar e rrezikuar as hiç se hiç. Të tilla “teori” analitike, qofshin analizash politike a teori të historianëve, e qartë se do jenë “lakrash pro-ruse”, kripëzuar e shijezuar ndoshta për audiencat e pan-sllavizmit.

Ashtu-kështu historia aq e vështirë si “shkencë”, jo vetëm sepse shumë fije tërthurohen me politikat, por dhe sepse njeriu gjithmonë do jetë i penguar nga lloj-lloj “bias” (siç i quan bota anglishtfolëse – vetë, meqë termi “paragjykim” s’më duket adekuat, e quaj mjaft “shkencërisht”, pothuaj Jungurisht – elemente natyrale të psiko-korrupsionit të ndërdijshëm : )
Për t’i refuzuar si të pabaza, për t’i hedhur posht, për t’i zhvlerësuar, për t’i mbrojtur, për t’i dëshmuar disa gjëra të historisë, thuase do ishte e mundur vetëm nëse alienët (eventualisht) t’ia fillonin me shkrimin e historiës tokësore, vetëm kronikat e tyre do e kishin neutralitetin absolut – përndryshe ngelet e pamundur. Meqë alienët s’do kenë “bias”, memet e tyre s’lidhen me hiçasgjë të Tokës, s’kanë asnjë motiv për shtrembërime, kështusoj do jenë 100% neutralë.

Përndryshe krijohet përshtypja sikur njeriu s’do e ketë kurrë sigurinë e plotë rreth “historisë” së vet, asnjë historian, asnjë studius. S’ka të vërtetë absolute, thonë filozofët. Nëse s’ka vertetësi absolute, atëherë do ishte absurd të pretendohet siguria e vertetësive historike. S’do rehatohet kurrë në qetësinë e vet, s’do e ketë paqen asnjë historian, asnjë studius. Kot nëse t’i ketë hulumtuar të gjitha arkivat e botës, kot nëse brenda kafkës ta ketë ngjeshur një bibliotekë të “Aleksandrisë”. Ose, në fakt i bie dy sosh, qëkur ajo e djegura (si më e pasura e botës antike) dhe biblio-modernizmi i Aleksandrisë së tashme, realisht bëjnë dy biblioteka.

Larg nga “lakrat pro-ruse”, s’na duhen lodhje të tilla teorike. Madje (sipas meje, kuptohet) me 1 fakt të vetëm do i kthenim në diç si “teori konspirative”. Bie fjala, jo dhe aq larg në kohë, Brown University e pati kryer një studim ekstensiv të impaktit njëzetvjeçar rreth aktiviteteve ushtarake të ShBA, në luftën kundër terrorizmit. Për 2 dekada (nga 2001 deri 2021), ShBA u desh të ndërmerrnin operacione në mbi 85 shtete të botës. Kostoja buxhetore pati arritur në 8 trilionë $, dhe atë madje të gjitha “borxh publik” (kosto që do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme).

Po aq vite, 2 dekada kaluan nga çlirimi i Kosovës – nëse Trepça t’na ishte “motivi” i perëndimorëve dikur, vallë pse pra gjatë 20 viteve as BE as ShBA nuk i ndanë 500-600 milionë $ për ringjalljen denjësisht të Trepçës. Ç’janë 500 milionë krahasuar me 8 trilionë $, ç’janë 500 milionë verdhushka për 50 + 30, për 80 shtete së bashku!

Nga ana tjetër, për fat të mirë historia ka dhe fakte të lehta, edhe plot të vërtetash. Të tilla na kënaqin me embëlsinë e me thjeshtësinë. Disa fakte të historisë mund të “lëvrohen” si arashkat, janë pothuaj sipërfaqësore. Psh. është fakt, e gjithë bota mbarë e di se serbët qenë dyndur. Po ashtu s’e mohon kush se dhe turqit qenë “dyndur”, patën ardhur nga përtej djerrinave aziatike, njësoj si dikur armadat e Persisë, dhe desh e patën zaptuar “përgjithmonë” gjysmën e Evropës. Dyndje aq këmbëngulse, me shekuj e shekuj, aq sa tani Evropa madje i ka pranuar t’jenë dhe ata “Evropë”. Etj. etj.

Është fakt i thjeshtë se dhe romakët qenë dyndur, me vesin e tyre të dyndjes patën bredhur “rretherrotull” Evropës, jo vetëm në Britani por patën vajtur dhe në Afrikë. Etj. etj. ka sa të duash fakte të vërteta, aty-këtu sikur as qielli s’ka yje e xixëllimash më shumë se ç’ka historia të vërteta.

***
Është fakt po ashtu se Stantërgu njihet si minierë funksionale që nga periudha romake. Padyshim kronikat e dëshmojnë krenarinë e qytetit Municipium Dardanorum, si kryeqytet i provinces romake në Dardani. Me rënien e perandorisë Romake dhe, kuptohet për shkak të faktorëve të tjerë gjatë historisë, aktiviteti i minierave do ulej e do pezullohej, deri në epokën e Mesjetës së vonë.

Meqë Stantërgu ishte njëra nga minierat më të pasura të Evropës me plumb, zink, argjend dhe ar, mbreti serb Millutin do e ujdiste pikërisht aty një punëtori për prerje monedhash. Historia thotë se “banka” e tij me metalurgjikat e Stantërgut pati funksionuar më gjatë se një shekull. Perandori Dushan do e caktonte një “knez” të veçantë për administrimin e Trepçës.
Miniera do e arrinte kulmin gjatë sundimit të perandorit Urosh, pasuesit të Dushanit. Në v. 1363, Uroshi do i jepte Vuk Brankoviqit titullin “sundimtar i Drenicës, i Kosovës dhe i Trepçës”. Shih pra, Trepça diç si “entitet” i posaçëm, diç speciale, sepse tepër e rëndësishme. Trepça do qeverisej nga Brankoviqi deri në v. 1396, kur qe kapur nga osmanlinjtë.

Trepça madje kishte përfaqësues nga qytetesh të pasura tregtare, si Spliti, Kotori i asaj kohe. Sa e sa fisniku i pasur do jetë pasuruar “extra”. Dubrovniku madje e pati emëruar një konsull enkas për Trepçën, sepse aq e rëndësishme. Mirëpo, nën sundimin e perandorisë Osmane, Trepça dhe shumë miniera të tjera do ia fillonin me përkeqësime. Gjatë Luftës Austro-Turke nga 1683-99 miniera qe shkatërruar, pas v. 1690 aktiviteti minerar do pezullohej pothuaj plotësisht.

Pas L. I Botërore, për t’i lehtësuar detyrimet e borxheve dhe të kredive të luftës, mbretëria serbo-kroato-sllovene i nisi kërkimet gjeologjike të minierave, e sidomos në Trepçë. Kërkimet qenë inicuar dhe ishin nën mbiqkqyrjen e Kryeministrit të atëhershëm Nikolla Pashiq. Në v. 1927 qe fuqizuar kontrata me anglezët, ose dmth. siç e dëshmon historia, filloi shfrytëzimi i Trepçës nga shoqëria aksionare londoneze “Trepça Mines Ltd”.

Në v. 1930 filloi prodhimi i rregullt. Një dekadë më pas, në v.1940 filloi funksionimi i shkritores së plumbit. Tutje do ishte Lufta II B. sidoqoftë, në v. 1950 qe ndërtuar tutje e zgjeruar. Në v. 1964 të gjitha minierat e plumbit dhe të zinkut qenë integruar në “Trepça”. Tre vite më vonë, në v. 1967 ia filloi punës fabrika e baterive në Mitrovicë. Në v. 1970 do themelohej Universiteti i Prishtinës, mirëpo 3-4 vite më pas dhe për Trepçën do krijohej një strategji e re zhvillimore. Ca vite tutje, në v. 1981 të gjitha fabrikat e Trepçës (në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Vushtrri e gjetiu) ia filluan prodhimtarisë së rregullt.

Të njëjtin vit, 1981, protesta e studentëve të Prishtinës (për kushte më të mira, për ushqim sadopak më të denjë në menzën e tyre) do e “ndizte fitilin” e protestave mbarëkosovare. As 1 dekadë me universitet, pothuaj ende në prag të mëkëmbjes kulturore, Trepça në kulmin e vet të industrializmit, e furnizonte gjithë Beogradin me rrokaqiej e me mirëqenie, thuase Beogradi na shtyhej me Manhatan-in Njujorkez, historia s’e “harron” frazën e njohur të kohës “Trepça punon, Beogradi ndërton”, Trepça ishte bërë kolanë ekonomike e mbarë federatës, përbënte 70% të gjithë pasurisë minerare të ish-Jugosllavisë, atëbotë ishin të punësuar më shumë se 20.000 punëtorë – ama ç’e do, një grusht studentësh të pakënaqur me menzën prej varfanjakësh. Thuase 6 republika së bashku, thuase kasa federale s’kishte verdhushka për ndonjë supë më të shijshme në një menze studentësh të provincës.

Asnjë grimë as “gram” dashuri për studentët. Sepse diç s’ishte në rregull me politikat e me praktikat federale. Udhëheqësia e Kosovës e dinin fort mirë, por s’është se kishin dhe aq “ujë në sy”. Tekefundit ishin çunash të zgjedhur dikur me kokallë të titoizmit. Vëllazërim-bashkimi duhesh ruajtur si “drita e syve”, ashtu e kërkonin jo vetëm parullat e kuqe por dhe ideologjikat e kosovarizmit të kohës. Protestat do shuheshin me ndërhyrjen masive të policisë, qe bërë “parat” madje dhe ushtria. Mesazhi i politikanëve kosovarë ishte i qartë, “për hir të nënave shqiptare, shpërndahuni” – populli do e ulte kokën. Do pasonte periudha e represionit dhe e diskriminimit politik.

Do kalonin dhe ca vite, themelet e federatës do ia fillonin me dridhje-lëkundjet, me korrupsionin e me nacionalizmat, sikur gjithçka ishte nisur drejt një “tragjedie” te pashmangshme. Ca vite më tutje dhe për shqiptarët e Kosovës do vinte “zezona” politike e nacionalizmit serbo-sllav, do vinte epoka millosheviqiane.

Sidoqoftë, nga v. 1930 deri 1985 Trepça qe kthyer në një kompleks të madh minierar, qe bërë diç si konglomerat prej 40 minierash e fabrikash, me “zemrën” në Stantërg (minierë e famshme, siç thamë, që nga koha romake). Thuhet se në periudhën 1945-1990 prodhimi vjetor në minierat e Trepçës i arrinte 600.000 tonë xehe. Konsiderohej si një nga kompanitë më të mëdha, jo vetëm në Kosovë por në gjithë YU-federatën. Trepça konsiderohej shtylla kryesore industriale e ekonomisë së Kosovës (vetëm kompleksi Trepça përbënte atëbotë rreth 70% të BPV të Kosovës). Përveç aseteve në Kosovë, 31 asete të gjigantit Trepça ndodheshin në republikat e ish-Jugosllavisë, përfshirë dhe fabrika, zyra dhe objekte të tjera.

Sipas llogaritjeve bërë në v. 2017, vlera e prodhimit të kompleksit Trepça në v. 1975 ishte 360 milionë $, dhe 340 milion $ në v. 1987. Trepça ishte nr. 1 në Evropë, e 5-ta në botë për shkrirjen e plumbit në v. 1985, dhe një nga më të mëdhatë për përpunimin e zinkut. Trepça prodhonte mbi 80% të plumbit të rafinuar dhe mbi 50% të zinkut të rafinuar në Jugosllavi.

Rënia e prodhimit do fillonte në vitet ’90 (të shek. XX), regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme ndaj Kosovës, duke mbyllur pothuaj gjithçka, me biznes e institucione. Rrethanat politike të kohës do e bënin të veten, punëtorët e komunitetit shqiptar do largoheshin nga puna. Nga shtypja e demonstratave në v. 1981 deri në prag të luftës, për shqiptarët do bëheshin dy dekada ngulfatje e represion politik, ekonomik, kulturor. Ekonomia kosovare qe plaçkitur e nëpërkëmbur, shumë kombinate kosovare qenë katandisur mozomokeq.

Aparati millosheviqian do e shembte a rrënonte çdo sistem të mundshëm, qenë pezulluar të gjitha rutinat ordinere të qytetarisë e të mbijetesës. Qenë mbyllur të gjitha “dyert” e arsyes, një popull i tërë sikur qe hedhur në rrugë, një popull i tërë sikur kthyer në kukulla të heshtjes. U desh një dekadë “gandiane” dhe e arsyes, një dekadë urtësi dhe impenjim për sensibilizimin e botës së qytetëruar, një dekadë thirravajesh e kultivim miqësish, një dekadë politikisht “duarlidhur”, si marionetash të hutuara në udhëkryqin e kohës së pakohë, lidhur me lloj-lloj fijesh të absurdit.

Pas një dekade ngërçi ekonomik e politik, pas luftës në v. 1999 Trepça u vendos nën administrimin e UNMIK-ut. Anise do përballej me lloj-lloj problemesh edhe pas luftës. Makineritë e vjetëruara dhe pamundësia e mirëmbajtjes së tyre ishin dhe ende sot e kësaj dite janë probleme të vazhdueshme. Në v. 2002 Trepça fillon të menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Pas difektit, i cili nuk qe mënjanuar për 4 vite të tëra, në v. 2005 Trepça e vazhdon disi punën me një kapacitet minimal.
Në v. 2008 Trepça do menaxhohej tashmë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Tutje në v. 2015 Trepça qe ndodhur para falimentimit total, meqë AKP-ja s’kishte arritur ta hartonte një plan për të ardhmen e minierës, qeveria do e ndërmerrte hapin e shtetëzimit, do regjistrohej si shoqëri aksionare, 80% e aksioneve qeverisë, 20% punëtorëve.

Aktualisht, thuhet se në v. 2020 kapaciteti i minierave të Stantërgut dhe Novobërdës i arriti 165.861 tonë, në v. 2021 i arriti 220.185 tonë, për v. 2022 qe planifikuar të arrihen 250.178 tonë. Edhe tani, Stantërgu dhe Novobërda janë dy minierat më të mëdha operative të kompanisë. Për fat të mirë, edhe përkundër vështirësive Trepça operon në tregun evropian, plumbi dhe zinku eksportohen në Evropë përmes tenderëve publikë ndërkombëtarë. Të ardhurat nga shitja e plumbit dhe zinkut në v. 2021 ishin mbi 13 milionë €. Gjatë v. 2022 ishte planifikuar të arrihej shuma prej 18 milionë €.

E megjithatë, pagat e minatorëve variojnë nga 600 € – 800 €, varësisht nga përvoja dhe kualifikimet. Thuase për të qenë ironia akoma më “ironike”, asnjë nga punëtorët s’ka sigurim shëndetësor apo të jetës. Sepse… sepse, për fat të keq Kosova ende s’i ka rregulluar disa gjëra, e as çështjen e sigurimeve shëndetsore. Derisa dikur Trepça ishte krenaria e gjithë federatës jugosllave, fillikat e vetme e rehatonte 70% të BPV-së kosovare, i kishte më shumë se 20.000 të punësuar, vitet e fundit s’ka patur më shumë se 1300 punonjës.

Që të ripërtrihej funksioni prodhues i Trepçës dhe të shfrytëzohej kapaciteti sadopak më denjësisht, nevojiten investime për makineri bashkëkohore. Aktualisht mjetet s’janë në dispozicion. Dhe askush s’e ka idenë nëse do jenë, apo kurë do jenë – fjala është për investime sa të një “gjysmë-autostrade”.

Thuhet se minierat tani kanë rezerva prej 60.5 milionë tonë xehe, kjo “përkthehet” të jenë 3 milionë tonë plumb, 2 milionë tonë zink dhe 4500 tonë argjend. Rikthimi i kapacitetit të kompleksit Trepça do sillte shumë vende pune dhe kuptohet, ekonominë e vendit do e vitalizonte dukshëm. Mirëpo vlerësohet se përmirësimet e nevojshme do kushtonin shumë, pa investime të huaja ekonomia kosovare sikur s’ka kapacitet për investime të tilla. Sipas disa statistikave, kompleksi Trepça s’mund të rigjallërohet pa të paktën 600 milionë $ investime.

Nga ana tjetër, Kosova se kah i gjenë mjetet për investime në autostradash e foristradash. As federalistët e 50 shteteve të ShBA s’kanë foristrada më luksoze, më të zeza e më shkëlqimtare se qeveritarët kosovarë. Urojmë që Trepça t’mos ngelet tutje “dytësore”, urojmë t’bëhet prioriteti i radhës, urojmë t’jetë më parësore se ndonjë autostradë e radhës.

[ ngjitur: kristalet e Trepçës, Muzeu i Kristaleve dhe Mineraleve – Bujar Tërstena, RFE/RL ]

Referencat:
– AKP (Agjencia Kosovare e Privatizimit)
– Minir Dushi – Trepça – AShAK, Prishtinë, 2002
– Oto Bihalji-Merin – Little Encyclopedia Prosveta – Beograd, 1986
– Thomas Stalder (saharagems)
– Novak Bjeliq – “Politika”, Beograd, 2018
– Radosh Ljushiq – Enciklopedi e popullit serb, Beograd, 2008
– Branislav Nikoliq – “Politika”, Beograd, 2017
– Jean Feraud – The Trepca Mine, 2013
– RFE/RL (Luljeta Krasniqi-Veseli, Bujar Tërstena – foto ), 2022