Danteja frymëzues, dhe “Pranvera e Përjetshme” e Rodin

(s.guraziu – ars poetica, pr 2023 – plotësuar, aktualizuar shk 2024)

(…është supozuar që penat e poetëve t’jenë diç si shpatat e musketirëve, jo vetëm të mprehta dhe përvëluese por dhe të qëndrushme, të rezistueshme, sikur s’do pinte ujë që vetë shpatat e musketirëve me ta parë një pikë “gjak” të dobësohen, të lakohen, të alivanosen, të kalamenden : )

Pranvera e Përjetshme” (Eternel Printemps, 1903 – A. Rodin (1840-1917)  – vepër e cila ndonjëherë titullohet “Zefiri dhe Terra (Toka)”, ose dhe “Kupidoni e Psika”) ishte një ndër skulpturat më famoze të skulptorit Rodin. Por dhe nga më të suksesshmet sa i përket aspektit komercial, qenë punuar plot versione e kopje. E gdhendur nga një bllok i vetëm mermeri, skulptura vërtitet rreth temës pasionante të “puthjes… të qafimit”, dhe renditet ndër interpretimet më të arritura të artistit.

Tema rreth “puthitjes” së të dashuruarve e preokuponte mjaft shpesh skulptorin Rodin. Njohësit e rrethanave të Rodin, dhe të artit skulptural, thonë se alegoria mund t’jetë frymëzuar nga historia e Paolos dhe Françeskas, dmth. e “mëkatarëve” simpatikë të Dantes (Komedia Hyjnore), të cilët nga pena e tij qenë dënuar ta kalonin përjetësinë të kurthuar në një vorbull pasioni.

Kishin “faj”, kishin bërë mëkate (prandaj në ferr) mirëpo ja që për Danten ishin mëkatarë simpatikë, dhe s’do e kishin ndonjë dënim tepër të “madh”. Varet si shihet, varet nga përspektiva interpretuese, por thjesht do vërtiteshin përgjithmonë në vorbullën e pasionit seksualistik. E cila gjë, siç dihet jo patjetër na qenka (ose medoemos do jetë) dashuri – dhe pra ky detaj do duhej t’na ishte “dënimi” (për mëkatarët Paolo dhe Françeska).

Në fakt, Dantes i qe “lejuar” metafora e madhe e udhëtimit nëpër ferr thjesht për faktin se e donte Beatriçen e vet tepër shumë. Dashuria e tij për të ishte më e kulluara, më e pastra, as vetë Kishoti i Servantesit pastaj s’e pati dashur më fisnikërisht Dulçinenë e vet. Beatriçja s’shte gjallë, e dashura e Dantes tani ishte në parajsë dhe kështusoj, edhe andej (në jetëpërtejmën) në njëfarë mënyre do ishte shpëtimtarja e tij. Për Danten ajo ishte diç si simbol i vetë dashurisë hyjnore.

Nga “përspektiva danteske”, meqë dashuria e Dantes për Beatriçen pati qenë virtuozitet i kulluar, dashuri shpirtërisht e vulosur me të gjitha bekimet hyjnore, e njëjta dashuri më parë do ta ndihmonte rreth gjetjes së dashurisë hyjnore, sesa të tretej në askundësinë e amshimit. Dashuria e kulluar për Beatriçen s’do kishte kuptim të shkonte huq, në fakt nga aspekti psikologjik pastërtia e asaj dashurie Dantes i shërbente si dashuri “intermedietrale”, si urë ndërlidhëse e shpirtërores-hyjnores. Dhe kështu, “pelegrinazhi” artistik i Dantes në ferr, do ta ndihmonte që vërtet ta gjente dashurinë hyjnore dhe shpëtimin shpirtëror.

Anise (do i lëmë të tjerat) temë më simpatike për t’i vargëzuar sot 2-3 fjalë na duket ajo e “gjykimit”. Kur është fjala për “gjykimet” e Dantes, saherë t’na kujtohen gjykimet e tij, nuk përjashtohet as mundësia e buzëqeshjes. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për faktin që s’pati lënë kend pa e takuar në ferr. Madje dhe veten e pati takuar, një “version të vetes” si Dante – pra ishte fort i sinqertë. Sa e sa papët, sa priftërinjtë, sa e sa mëkatarët, por dhe filozofë e personalitetesh të njohura i pati takuar andej.

Gjykimi i Dantes për vetveten, për shpirtin e vet, është skajshmërisht simpatik, pothuaj sikur i ngjanë atij “Papirusit të Hunefrit”. Ndoshta s’e keni vrarë mendjen por dhe vetëm për këtë “similaritet” të përafërsishëm sikur na imponohet buzëqeshja, s’kemi si i shmangemi. Hunefri ishte një shkronjës zyrtar (kronist, kopjues profesionist i dorëshkrimeve, manuskripteve) dhe administrator i faraonit Seti I (Dinastia XIX e Egjiptit të lashtë, ~ 1300 pes). Papirusi i Hunefrit ishte njëri nga versionet e shumta të ashtuquajtur “Libra të të Vdekurve” (tekste funerare).

Teksti i Hunefrit e përfaqëson njërin nga shembujt klasik të këtyre teksteve, qe shkruar nga vetë ai. Në papirusin e tij Hunefri si autor e ka kaluar TESTIN e matjes së zemrës në Peshoren e Mat. Sa e çuditshme, po aq dhe detaj simpatik, sepse nëse i “vdekur” dhe duke iu matur zemra, s’do duhej t’ishte shkruar nga ai vetë.

“Peshimi i zemrës” ishte ceremonia e hyjnorëve në Sallën e Dy të Vërtetave (Salla e perëndeshës Mat) çdo person i vdekur duhej t’i nënshtrohej. Duke i peshuar zemrat, zotat do ta gjykonin denjësinë e secilit shpirt. Pastërtia shpirtërore do t’ishte faktori përcaktues nëse personi i vdekur ishte i virtytshëm, nëse do t’i lejohej hyrja në Aru (diç si parajsë e sunduar nga Osirisi).

Në njërën anë të peshores rrinte penda e strucit, simbol i perëndeshës Mat (pendët janë të lehta, kuptohet). Në tjetrën anë vendosej zemra e të ndjerit. Nëse zemra rezultonte më e lehtë (apo dhe baraz) me Pendën e Mat, i vdekuri mund të kalonte në të përtejmën. Nëse eventualisht peshorja të thoshte s’ka lehtësi (as barazpeshë) por “zemër e rëndë”, kjo nënkuptonte zemër e ligë, e rënduar nga mëkatet etj. Në të tilla raste keq pra, kuptohet, jo mirë.

Në rastin e papirusit tonë (shembullor) Hunefri i gjallë, shëndosh e rehat në të këndejmën, ende s’ka vdekur, por është duke shkruar “Librin e të Vdekurve”. Sipas atij vetë, si “përpilues” i Papirusit të vet (sipas shkronjësit të gjallë) zemra e tij pas vdekjes ishte “okay”. Dhe kështu, neve sot 3300 vjet më vonë, papirusi i tij si dëshmi e ngelur na e paraqet pikërisht këtë skenar të vërtetësisë (rreth zemrës së tij : )

Edhe në rastin e Dantes, jo se ka ndonjë “ngjashmëri” ekzakte me Hunefrin, por se ç’ka një aspekt simpatik rreth “gjykimit” dantesk. Danteja aq i sinqertë, ndryshe nga Hunefri ky madje as shpirtin e vet s’e pati “falur”, e pati plasuar në ferr. Mirëpo analogjia e të vërtetave shpesh ëmbëlsohet dhe nga vetë “dallimi” mes tyre, apo jo.

Meqë shumë prej të dënuarëve atje në ferr s’e kishin idenë se Krishti ekzistonte (pasi në kohën e tyre ende nuk ekzistonte), sipas Dantes si mëkatarë nuk ishin dhe aq të “fajshëm”. Atyre u takonte vendi në rrethin e parë (njësoj si dhe vetes – meqë as ky vetë nuk ishte ndonjë engjëll, sidoqoftë, sipas gjykimit të vet s’ishte nevoja më “thellë”, aq i keq dhe nuk ishte, kishte dhe më keq se ai vetë : )

Në Limbo do e takonte ​bie fjala Homerin, Sokratin, Ovidin, Aristotelin, e madje dhe Jul Cesarin. Paçka se, meqë ra fjala, Kleopatra (e dashura e Cesarit) sipas Dantes na qenkësh më mëkatare, krahasuar me Cesarin. Historia s’e pati fshehur, edhe Danteja e dinte se vrasjet e Cesarit ishin të “panumërta”, duart të “përgjakshme” mozomokeq, qëkur ai vetë si gjeneral-strateg u printe ushtrive të ndryshme.

E megjithatë Kleopatra ia kalonte, ishte mëkatare më e madhe. Thuase duhej t’i lante mëkatet e gjithë dinastisë ptolemaike, që nga Ptolemeu i parë e madje dhe ato të Aleksandër-Madhit. Thuase duhej t’i lante dhe mëkatet e 6 Kleoptarave para saj. Të dashurës së Cesarit, Kleoptarës së 7 vendi i takonte më “thellë” në rrethin e 2-të, psh. së bashku me Akilin e Trojës, Parisin e këso… Ec e mos buzëqesh, Cesari lart, Kleopatra poshtë (dmth. lidhur me gjykimet e tij : )

Diku thellë, fare në thellësi, atje ku sundonte vetë “djalli”, vendin ia pati gjetur madje dhe vetë profetit Muhamed, sepse sipas Dantes ky na e kishte “tradhtuar dhe përçarë” Krishterimin. Mëkatet e profetit, sado profetike ishin absolutisht të pafalshme, i takonte e zeza e më të zezës, pika më e thellë e humnerës. Nëse ferri ta kishte një “fund” (ashtu duke zbritur rrathëve të pafundësisë) pikërisht atje në fund të thellësisë i takonte vendi profetit Muhamed.

Sidoqoftë, viktimat e romancave sekrete, Paoloja dhe Françeska i dhimbseshin paksa, e dinte se dashuria e tyre në njëfarë mënyre ishte mjaft e “pafajshme”. Sepse për mëkatin e tyre qenë nxitur nga historia mëkatare por e stisur e Lancelotit dhe Ginevrës (nga përrallat e “mbretërisë arturiane” – të cilat mund t’kenë qenë thjesht përralla, kurrë të vërteta). Do ta paguanin me jetën e tyre – në të kendejmën jetësore do i vriste i vëllai i Paolos (burri i Françeskas). Dhe meqë të vdekur për mëkate, Danteja do i përdorte si “shembull” ideal letraristik (për temën… që i nevojitej).

Sipas Dantes real, sipas shkronjësit të gjallë, sipas penës së tij realistike, sipas gjykimit përnjëmend, ai Danteja i “ferrit” madje qe alivanosur kur e pati dëgjuar rrëfimin e Françeskas rreth fatkeqësisë së saj. Dantes i qe këputur shpirti nga dhimbja e keqardhja. Sipas Virgjilit, edhe pse Danteja na ishte poet, ja që megjithatë tepër i “dobët” (kështu duhet ta kuptojmë ne). Dmth. nga përspektiva jonë sot, e dimë që Virgjili pati qenë dëshmitari i vetëm i alivanosjes së tij (nëse ta kenë parë dhe shpirtrash të tjerë… psh. do ta ketë parë dhe vetë Françeska, por kjo s’na ndihmon gjë, pasi rishtas këtë detaj mund ta dinte vetëm Virgjili).

Dmth., nga përspektiva jonë sot, s’ka si shpenzohet habia sepse prore ngelet çudia për “dobësinë” poetike të Dantes! Si u alivanoskan burrat nga rrëfimet rreth dashuriçkave tinëz (dashuria e Paolos dhe Françeskas pati qenë aso tinëzisht, dashuri e “ndaluar” sepse ishte dhe tradhti – Françeska ishte e martuar, qe vrarë nga burri i vet për tradhtinë). Kuptohet, vrasja ishte dënim ekstrem, asnjë shpirt s’e meriton dënimin absurd (vetëm e vetëm sepse qenkesh dashuruar), mirëpo “alivanosja” e versionit imagjinar të Dantes, si truk i penës së Dantes real… ku ta dimë, na del mjaft e “stisur”, jo dhe aq bindëse!

Pa le që burrat do duhej t’jenë sadopak më të “fortë”, e dinte dhe Virgjili (anise ai e pati kursyer Danten, i dhimbsej, s’e pati ngucur). Tekefundit me penat e tyre poetët do duhej të përshfaqen më të fortit e artistikave të kësaj bote, më stoikët. Është supozuar që penat e poetëve t’jenë diç si shpatat e musketirëve, jo vetëm të mprehta dhe përvëluese por dhe të qëndrushme, të rezistueshme. Sikur s’do pinte ujë që vetë shpatat e musketirëve me ta parë një pikë “gjak” të dobësohen, të lakohen, të alivanosen, të kalamenden : )

***
Në v. 2019 “Pranvera e Përjetshme” qe shitur për 362.500 $ (supozoj do ketë qenë njëra nga kopjet), dmth. nëse do donim ta kishim një kopje nga Rodin duhet bërë gati pothuaj gjysmë milioni verdhushka. M’u kujtua se vitin e kaluar pata komunikuar me ca kompani kineze që merren me “kopje” të mermerëve (atëbotë, më kujtohet për momentin isha kureshtar, ia filluam… dhe pastaj kisha dëshirë të informohesha rreth mundësive dhe bizneseve të tyre). Meqë dihet, kinezët munden të kopjojnë pothuaj gjithçka, madje ndoshta “plotësisht” gjithçka, thjesht mos kërkoni ndonjë kopje të “familjarëve”, zor se mund ta kopjojnë babain, nënën a motrën tuaj.

Sa për të tjerat ia vlen të pyesni, kurrë s’duhet thënë kurrë – sepse nuk i dihet, sa për piktura a skulptura no problemos : ) Pra, meqë ra fjala, nëse eventualisht ju mbushet mendja, një kopje kineze prej mermeri të “Pranvera e Përjetshme”, një famozitet artistik të skulptorit të famshëm francez, mund ta porositni tek kinezët. Ka panumër punishte artistësh dhe firmash që merren me skulptura, as mermeri dhe as kopjet e Rodin s’janë më kualitative. Tjetër se me vulat e historisë së artit janë “vulosur si origjinale”. Ama nëse nisemi se mermeri mermer, padyshim e ruan të njëjtën ftohtësi, si dikur si tani. Sëpaku kopja kineze s’do ju kushtojë 300.000 $, por ndoshta jo më shumë se 2000-3000 $ : )