Bondsteel, dhe “bujtinat e Ligatinës” kosovare!

Kampi Bondsteel... dhe Ferizaji

S. Guraziu – Ars Poetica, N 2018

…meqë Bondsteel është kamp ushtarak, kuptohet nuk është Disneyland, atyre që jetojnë e punojnë në Bondsteel nuk u lejohet t’i sjellin gratë apo familjet me vete, kazermat e ushtrisë janë kazerma, s’mund të ketë as kalamallëqe as bebesh që qajnë për biberonin – mirëpo për 7000 ushtarët (e kapacitetit të kampit) s’është dhe aq tragjike… Kampi Bondsteel mund t’i strehojë 7000 ushtarë, gjë që e bën bazën më të madhe në Ballkan.

***
Në një faqe speciale, enkas për bazat ushtarake, po kënaqesha duke lexuar sepse padyshim i “etur” për info te panjohura (andaj dhe qe shpikur leximi, apo jo).

Meqë mënyra e jetesës së kosovarëve është “tjetërfare” (nga ç’janë mësuar trupat amerikane – gjera keto që njihen dhe botërisht, ama autoritetet “pentagoniste” e dinë më mirë se kushdo), andaj u ofrohet një shumëllojshmëri e madhe e lehtësimeve, për t’i bërë kampistët të ndjehen si në shtëpi. Derisa kosovarët janë të zënë me specat e Krushës, me konservimin e zarzavateve… ushtarët e stacionuar në Bondsteel s’hanë speca turshi. Ata mund t’rrinë nëpër restorante, nëpër “Grande”, nëpër kafenetë a nëpër baret, çdo ditë të gjithë vitit, ditë për ditë e vit për vit, kudo që t’kenë qejf. Mirëpo vrasja e kohës për kampistët vetëm nëpër kazino e bare do ishte monotoni vrastare, andaj kampi na i paska edhe luksozitetet e veta. Bie fjala “thai-masazhat”, aso sallonesh të masazhit udhëhequr nga gratë profesionale, ardhur enkas nga Tajlanda, dmth. aso zonjash e demimondash “pro”, të zanatit. Veç u muar vesh, e thamë më lart, kazermat janë kazerma, s’janë për çiftesh e për “lifestyle” familjar.

Autoritetet e larta (ushtarake, qofshin të NATO-s a të Pentagonit, it’s the same) e dinë që sallonet e masazhave s’janë as “thai-kamuflazh” as justifikim për bordelet, ruana zot… larg qoftë. S’është nevoja, pasi Gjilani a Ferizaji me baret e me bujtinat e panumërta ofrojnë gjithçka. Për më tepër bujtinat e sotme të Gjilanit a te Ferizajit s’janë si ato hânet e “Ligatinës” së Musa Ramdanit, assesi jo – kot ai romani i tij, mund të shitej për “letërsinë” jo dhe për ushtrinë. Bujtinat e Kosovës së tashme janë ultra-moderne. Se mos vetëm të Gjilanit e Ferizajit, Kosova s’është Rusi e paskajshme, një orë i duhet njeriut nga skaji në bisht. Ashtu-kështu një “pëllëmbë”, e sidomos pas ndërtimit të autostradave gjithçka e shkurtuar. E gjithë hartografia në pëllëmbë – të gjitha hânet e bujtinat, të gjitha motelet e bordelet, të gjitha saunat e hotelet.

Duket ekzotizëm i tepruar hapja e “thai-salloneve” në një kamp ushtarak njësoj si në Las Vegas, ama kur njeriu ka dollarë si tepër atëherë pse jo. Dollarët dhe milionat ashtu-kështu janë para të kosovarëve, firmat amerikane kujdesen për asfaltin, për autostradat e shtrenjta miliardat i paguan populli. Ushtarakëve kurrë s’iu bëhet vonë, kampistët kanë sa të duash kohë, fjala është për dekada. Ndërsa të “fitohen tenderat” e asfaltimit pikërisht nga amerikanet, kuptohet për këso detaje kujdesen ambasadorët dhe miqtë përmes “diplo-kanaleve” të Dinastisë Hashimiste. Tekefundit (sa u përket tenderave) keshtu ishte skemografia e rutës diplomatike të deritashme. Për tutje askush s’e di, “analistët” e politikave dhe mediatiket thjesht heshtin, sepse s’e kanë idenë si do shiten tenderat e së ardhmës.

Sidoqoftë, le ta cekim dhe ndonjë detaj-kuriozitet për kampin madhështor, le t’kënaqet sadopak dhe lexuesi eventual i artikullit tonë. Psh. shërbimi postar i Bondsteel (PX – Post Exchange) ofruaka shkëmbimin më të madh të postës ushtarake në Evropën Juglindore. Dmth. s’ia kaluaka vetëm Kosovës së “vockël” (sa një ranç i Bush-Juniorit në Texas) por gjithë rajonit të Evro-Lindjes. Kampi Bondsteel e ka dhe spitalin e vet (natyrisht që e ka), madje pretenduakan ta kenë spitalin më të avancuar në Kosovë. Anise shumica e kosovarëve dyshuakan që ky pohim t’na jetë vërtetësi, sipas vendorëve duhet t’jetë ekzagjerim 🙂 Tutje kampi i paska dy palestra, dy ndërtesa rekreative me gjithçka të nevojshme, me telefona, kompjutera, lidhje interneti, biliardo, pishina, video-lojëra e çfarë tjetër jo. Pastaj një “tempull fetar” me shërbime të ndryshme për religjionet dhe për aktivitete të tjera (dmth. mbase kishë, xhami, sinagogë, ndonje tempull per orakujt e Delfit, dhe… gjithçka), paska fusha futbolli, volejbolli e tenisi, paska menzë të madhe, stacion zjarrfikësish, stacion policor (polici ushtarake), dy bare për cappuccino, Burger King, Taco Bell, pizzeri Anthony’s Pizza, berberhane, lavanderi (që punësuaka kosovarë, vendas), pastrues kimik, rrobaqepës, u vërtitkan shitës të ndryshëm vendorë që shesin shalqi, dardha, qershi… “suvenire” dhe lloj-lloj produktesh kosovare.

Për lakmi… të gjitha varg e varg, e megjithatë (s’duhet mohuar) më së shumti intersante sallonet, ato “pro-gejshat” e Tajlandës. Thai-masazhat janë testuar për më shumë se 3000 vjet, duart e buta tajlandeze i ka testuar mirëfilli historia, të gjitha perandoritë aziatike e dinin, varg e varg me mijëra vjet, të gjithë perandorët e dinastive kineze, e dinte madje dhe perandoria mongoleze e Xhingis Khan-it. Trupat e ushtareve trajtohen aq butësisht, me katër elementët tradicionale të thai-ekzotizmit, plus me barëra, aromash e me masazh. Dihet me mijëra vjet tashmë që thai-masazha i qetëson simptomat fizike e psikologjike, e stimulon qarkullimin e gjakut, e rregullon sistemin limfatik përmes të cilit energjia vetëm sa vjen duke u rritur. Trupi ndjehet si ato bateritë “Duracell”, ndërsa dihet, askujt s’i duhet energjia më shumë sesa ushtarëve.

Kampi Bondsteel... dhe Ferizaji

Kampi Bondsteel… dhe Ferizaji