Jeffrey McDaniel – Botë e Qetë

BOTË E QETË
Jeffrey McDaniel [ 1967, ShBA ]

Në përpjekje për t’i bërë njerëzit
ta shohin njëri-tjetrin në sy më gjatë,
dhe gjithashtu si solidarizim me
memecët, qeveria ka vendosur
t’ia caktojë çdo personi saktësisht
njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë
fjalë, në ditë.

Kur cingëron telefoni, vë dëgjonjësen
në vesh pa thënë “alo”. Në restorant
kërkoj supën e pules me gisht.
Jam duke u përshtatur mirë
me mënyrën e re.

Natën vonë, i telefonoj të dashurës
larg, krenar i them që i kam
shpenzuar vetëm pesëdhjetë e nëntë,
sot. Të tjerat i kam kursyer për ty.

Kur ajo s’më përgjigjet, e di që i ka
përdorur të gjitha fjalët e veta,
kështu që lehtas i pëshpëris “të dua”
tridhjetë e dy e një të tretën e herës.
Pas kësaj, vetëm ngelim në linjë duke
përgjuar frymën e njëri-tjetrit.

– – –
© 1998 J. McDaniel – Burimi: The Forgiveness Parade (Manic D Press, 1998), via Poetry Foundation (ShBA)
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2016