Robin Becker – Dita e Shenjtë (Yom Kippur)

DITA E SHENJTË (YOM KIPPUR)
Robin Becker [ 1951, ShBA ]

Jam zgjeruar si derë e enjtur në verë
për t’u përshtatur me dimensionin tim. Vetmia

jote është letër që e lexoj dhe ia lë harresës
kujtesë e përditshme në krrokëritjen

e laraskës se ende e kam aftësinë
të shkaktoj dhimbje nga kjo largësi.

Si një pikturë, e folura jonë e dendur
me përshkrime, me gjysmë të vërteta, peizazhe,

fraza të shtresëzuara me kalimin e kohës.
Kur ajo hyri në jetën time s’pata hezituar.

Apo vetëm duket kështu tani, duke kujtuar
të shkuarën? Apo vetëm është mënyra
jote e akuzës bazuar në të dikurshmen?

Para shumë kohësh kjo shkretëtirë ishte
një det i brendshëm*. Në bjeshkët
ende mund të gjesh guaska.

Janë pikërisht këso devijime të çuditshme
që kam filluar t’i dua: dielli mesditor
në rrëpirat rozë; muzgu në gurëzit gri të rërës;

vrimat në gishtat e këmbë-duarve përgjatë
njëqind metrave të ngjitjes në Acoma Pueblo,

ku shpirti i të vdekurve rri pezull mbi shtëpinë
e vet tokësore për katër ditë, para se
shkopinjtë e lutjeve ta përzënë.

Sot gjithë hebrenjtë e mirë i mbledhin krimet
e tyre si rrobat e vjetra për larjen
dhe që t’ua falin të varfërve.

Më kujtohet se si babai e mbante babanë
e vet për shpatullat tek ecnin drejt sinagogës
së vjetër në Filadelfia.

“Edhe pak arritëm, Pop”, i thoshte, “dhe ca
blloqe tutje”. Dua të të them se dhe ne
pothuaj kemi arritur atje,

meqë dikush me kaq kuptim e ka vënë në kartë
këtë fushë vjeshte, dhe cilado ditë Tetori
që mërzitet në mua do t’hapet për t’i zbuluar

emrat tanë – të gravuar ose të munguar – mes
gjembave të tharë dhe barishtakut të mbaruar.

– – –

* Yom Kippur – në Judaizëm dita më e shenjtë e vitit, agjërimi më solemn religjioz, “Dita e Shlyerjes” (së mëkateve), dita e fundit e dhjetë ditëve të Pendimit, të cilat fillojnë me festën Rosh Hashanah* (Viti i Ri hebraik) – qendrore janë “vulosja e fatit (vjetor)” nga Perëndia, pendimi dhe lutja për faljen e mëkateve personale (por dhe të “mëkateve” kombëtare), shpresohet për faljen, praktikohet agjërimi, abstenimi nga kënaqësitë fizike, pezullimi i punës, shërbimi i lutjeve (5 herë, ndryshe nga 3 herët e zakonshme, dhe ndryshe nga 4 herët e së Shtunes (Sabbath) – si njëra nga festat më të rëndësishme kulturore hebraike, Yom Kippur respektohet dhe nga hebrenjtë laikë (sekularë), besohet se në këtë ditë të shenjtë fati i secilit person vuloset për vitin vijues, hebrenjtë fetarë tradicionalisht e respektojnë me mbi 20 orë agjërim dhe me lutje intensive.

* Rosh Hashanah – festiviteti i Viti të Ri, shënohet duke i fryrë shofarit*, dita e parë e Tishrit* – sipas besimit hebraik, në ditën e parë të vitit, në Rosh Hashanah shkruhet fati i secilit person për vitin e ardhshëm në një libër (në Librin e Jetës), dhe Perëndia pret 10 ditë (deri në Yom Kippur) për ta “vulosur” aktgjykimin rreth fatit – gjatë kësaj periudhe të pritjes (Ditët e Frikës) një hebre lutet dhe kërkon falje për gabimet (që eventualisht, mund t’i ketë bërë ndaj Perëndisë si dhe ndaj qenieve njerëzore), zotohet për t’u përpjekur në përmirësimin e sjelljes, për të qenë vazhdimisht i devotshëm ndaj etikes njerëzore dhe ndaj Perëndisë (shkurt, për t’mos bërë mëkate e gabime), në fund të “Yom Kippur” shpreson të jetë i falur (t’i jenë shlyer mëkatet).

* Tishri (Tishrei) – në kalendarin hebraik muaji i parë i vitit civil, dhe muaji i shtatë i vitit klerikal (ose fetar), muaj 30-ditor, emër me prejardhje nga Babilonia e lashtë (apo dhe më gjerë, nga ndonjë regjion tjetër i Mesopotamisë antike) – besohet se termi vjen nga gjuha e vdekur “akadine” (dikur “lingua franca” e pjesës dërrmuese të Mesopotamisë) e që do t’përkthehej “duke filluar” – në ekuivalentin kalendarik gregorian përkon me pjesë të Shtatorit e Tetorit, dmth. është muaj i Vjeshtës – derisa “Rosh Hashanah” është dita e parë… “Yom Kippur” është dita e dhjetë e Tishrit)

* Shofar – një bori e bërë nga briri i dashit, përdorej nga hebrenjtë e lashtë në ceremonitë fetare, dhe në rast luftrash, për sinjale në betejat

* det i brendshëm – det brenda kufijve tokësor të një shteti; por dhe det që lidhet me oqeane a me detet tjerë me anë të ngushticave.

– – –
© R. Becker, 1996 (Titulli i origjinalit: “Yom Kippur, Taos, New Mexico” – Burimi: All-American Girl (1996), via Poetry Foundation, USA
© Përkthyer nga S. Guraziu – Ars Poetica, 2018

Maurycy Gottlieb (1856-1879) – Hebrenjtë duke u lutur në sinagogë gjatë “Yom Kippur”, 1878