Branko Maleš – Si të të drejtohem

SI TË TË DREJTOHEM
Branko Maleš [ 1949, Kroaci ]

gruan e zuri gjumi në shtrat!
televizori vetë u fik dhe u kthye
në orendi, unë mora frymë thellë dhe
tash zhytem!
në aso qetësie çdo gjë ka sukses!
si rrufeja, çliruar nga qesja plastike,
gruas i shkëlqeu mjekra!
kur u kthye mjekrën e kishte
si filozofia! sa Hegela në krevat!
i dhashë trëndafila dhe i thashë:
çfarë dite! i shmangeshim
sintaksës denoncuese,
nuk dihej, në fakt, kush me kend fliste
e kush flinte! isha aq i sjellshëm
sa dhe llamba u dogj!
do t’ia fillojmë? thashë
duke treguar errësirën,
drita më në fund u bë tema jonë!
nuk e dija nëse më braktiste kur ajo u nis,
kur ai u nis kah poçi i molisur?
ndoshta tash është bërë e shenjtë!
ndoshta diku tashmë e festojnë si datë!
ndoshta e njelmët është nën mjekrën?
kush ta dijë, i dashur?
instaluesit e ujit janë njerëz të kthjellët,
por ku ta gjesh aq shpejtë një instalues
të kthjellët në Zagreb
që është qendër ekonomike, politike
dhe kulturore e Kroacisë?
duhet menjëherë të shkoj në Hënë!
sa mbeturina?! haa!
do t’bërtas kah rruga “Zajeç”!
gruaja ëndërron, e unë ëndrrën
e saj shoh! do ta zgjoj, imazhi
po keqësohet, ngjyrat leshatuke janë!
nëse zgjohet, do të flasim
për video-rekorderin!
gjithçka temë është!

– – –
© 2002, B. Maleš – “Shkëlqyese asgjë”, përzgjedhje nga poezitë 1978-1998 – Publikues: Lunapark, Zagreb, 2002 – via Poetry International, Rotterdam
© Nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica (Impulse postmoderne), 2008