Hester Knibbe – Përmbajtja

PËRMBAJTJA
Hester Knibbe [ 1946, Holandë ]

Le t’i djegim

letrat e vjetra, të gjitha ato fjalë të bukura
nga shiu qullosur, nga dielli përhirosur dhe rreshtat
t’i shohim si zhduken me flaken, por paturpshëm

ta ruajmë përmbajtjen. Kemi
patur fat, o sa kishim ne –

Le pastaj të njohim

qytete të tjera, të bredhim nëpër rrugë
të reja, me muzikantë e me gjumashë të parkut,
të ambientohemi dhe të ikim.

Le t’hamë atje

e të pimë dhe t’i japim

këngëtarit mjaft sa për t’u dehur,
lypësit çfarë të ketë mbetur.

– – –
© 2014 H. Knibbe – Burimi: Archaïsch de dieren”, via Poetry International – Rotterdam
© Nga holandishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2015

– – –

Notë:
poetja Hester Knibbe (1946) ishte fituese e VSB-Çmimit për Poezi, 2015 – është ky çmimi më prestigjioz për Holandën dhe Belgjikën… ndahet çdo vit, në Janar, për përmbledhjen më të mirë poetike.