Mary Szybist – Ide të Lumtura

IDE TË LUMTURA
Mary Szybist [ 1970, ShBA ]

E kisha idenë e lumtur ta lidhja
një rrotë biçiklete në stolin e kuzhinës
dhe ta shoh si rrotullohet. – Duchamp

Unë e kisha idenë e lumtur t’i pezulloj
ca globusë të kaltër në ajër
dhe t’i shikoj si bëjnë “puf”.
E kisha idenë e lumtur ta vë kalin
e vogël të bakrit në raft kështu që
t’mund ta shihnim njëri-tjetrin
gjatë gjithë mbrëmjes.
E kisha idenë e lumtur ta krijoj
një boshllëk brenda meje.
Pastaj ta quaj të natyrshëm.
Pastaj të mbinatyrshëm.
E kisha idenë e lumtur ta mbështjell
një shall blu rreth kokës dhe të vërtitem.
E kisha idenë e lumtur që diku
duke lindur një fëmijë, i cili larg të ishte
si Helena a si Jezusi, përveç
në kuptimin e ndryshimit të gjithçkaje.
E kisha idenë e lumtur që një ditë
do t’i gjeja edhe kënaqësinë
edhe ndëshkimin, se do t’i njihja
dhe do t’i ndieja, dhe se,
duke e bërë, do t’ishte pothuaj
njësoj mirë sa vetë pretendimi.
E kisha idenë e lumtur ta quaj
veten të lumtur.
E kisha idenë e lumtur se qeni
tek gërmonte vrimën në oborr
në muzg do ta kishte hundën e vet
thellë në jetë-mykosje.
E kisha idenë e lumtur se ajo që
s’kuptoj është më reale sesa ajo ç’bëj,
dhe pastaj ideja më e lumtur
ta mbërthej veten në dy këpucë
kadifeje blu.
E kisha idenë e lumtur ta lustroj
xhamin reflektues dhe ta përshëndes
vetë shpirtin tim blu.
Përshëndetje, shpirti blu. Përshëndetje.
Ishte kjo ideja më e lumtur e imja.

– – –
© 2013 M. Szybist – Burimi: Incarnadine (Graywolf Press, 2013), via Poetry Foundation, USA
© përkthyer nga S. Guraziu – Ars Poetica, 2018