Rita Mae Reese – Lexues i Dashur

LEXUES I DASHUR
Rita Mae Reese [ ShBA ]

Ti ke harruar gjithçka.
Ke harruar emrin tënd,
ku ke jetuar, cilin ke
dashur, pse ke dashur.
Unë thjesht jam
kujdestarja jote, lakonike
dhe shëmtaraçe shenjoj kah
gjërat dhe ta kujtoj ç’janë:
karrige, libër, vajzë, supë.

Dhe kur ngelemi vetëm,
ta them atë që vjen në çdo
drejtim: Këndej është vdekja,
ndërsa këndej, pas ca hapave
më shumë, është vdekja,
dhe andej është vdekja,
por ti nuk e sheh, derisa
të afrohet para hundës.

Njëherë kur mbesa jote
ishte për vizitë të fola diç
për mënyrën si duhet ta duash,
si duhet ajo të të dojë, ose diç
të padobishme si këto, ti
shtrëngove parakrahun
tim furishëm dhe the,
ajo është gjithçka – më
shkunde – gjithçka për mua.
Dhe pastaj re përsëri në pus.
Thellë në pusin e gjithçkaje.
Unë rri në buzë dhe thërras:
karrige, libër, vajzë, supë.

– – –
© 2011, R M Reese – Burimi: The Alphabet Conspiracy (Arktoi Books, 2011), via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica