Wislawa Szymborska – Fotografia e 11 Shtatorit

FOTOGRAFIA E 11 SHTATORIT
Wislawa Szymborska [ 1923-2012, Poloni ]

Ata kërcyen nga katet që digjeshin –
një, dy, dhe ca më shumë,
më lart, më ulët.

Fotografia i ndali në jetë,
dhe tani i mban
lart mbi tokë drejt tokës.

Secili është ende i plotë,
me fytyrë të veçantë
dhe gjaku i fshehur mirë.

Ka mjaft kohë
për flokët të shprishen,
për çelësat e monedhat
nga xhepat të ikin.

Ende janë brenda përqafimit të ajrit,
brenda busullës së vendeve
që sapo i kanë hapur.

Mund vetëm dy gjëra të bëj për ta –
ta përshkruaj këtë fluturim
dhe t’mos shtoj vargun e fundit.

– – –
© 2005 W. Szymborska – Burimi: Monologue of a Dog (Houghton Mifflin Harcourt, Inc. 2005)
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008

Richard Drew – “Njeriu në rënie”, 2001
(S. Guraziu – Koment, pak fjalë…)

Sipas “Time”, imazhet më të njohura nga sulmet e 11 Shtatorit 2001 janë ato të avionëve dhe të kullave, jo të njerëzve. Mirëpo “njeriu në rënie” është foto e veçantë. Time po ashtu sqaron se fotografia qe shkrepur nga Richard Drew.
Një foto jashtëzakonisht e veçantë, fotoja sikur ia jep përjetësinë asaj “ikjes” finale, dramës njerëzore individuale. Në një foto-dokument është kapur “ikja nga vdekja (prej flakëve të zjarrit) e një të gjalli për t’u nisur drejt vdekjes tjetërfare, drejt një vdekjeje më të preferuar, më të shpejtë e më të lehtë”. Edhe Time e quan foton si një “simbol i individualitetit”, pohimi përforcohet me faktin se “njeriu në rënie” është fotoja e vetme në histori që na flet “me gjuhën direkte se dikush është duke vdekur, fare ca çaste ‘larg kufirit’, aq afër vdekjes”.
 
Natyrisht, sulmet e 11 Shtatorit ishin një tragjedi masive, me mijëra e patën humbur jetën. Por disi sikur kjo foto e vetme e ka “aftësinë t’na rrëfejë për dhimbjen e të gjithëve”, si simbol jashtëzakonisht i qetë, duke e kapërthyer faktin e një tragjedie personale, “e ngjashme” me mijëra tragjedi të tjera atë ditë.
 
Time sqaron se fotoja qe publikuar menjëherë gjithandej ndër media të ShBA, por sikur qe “shtyrë në sfond” nga euforia e komenteve dhe e traumës kolektive, dhe se ende ka ngelur i panjohur identiteti i burrit, i personit si subjekt i fotos. Mirëpo fuqia e vërtetë megjithatë, do ishte – shton Time – jo se kush është subjekti i fotos në fjalë, por më shumë që ai u bë një “ushtar i panjohur” (i luftës kundër terrorizmit), i një luftë shpesh të panjohur e të pasigurtë, “njeriu në rënie” u bë i paarritshëm dhe ka ngelur i “pezulluar” përgjithmonë në histori.