Sibila Petlevski – Java e Shenjtë

JAVA E SHENJTË
Sibila Petlevski [1964, Kroaci]

Kemi fryrë balona plot gjashtë ditë,
duke menduar se është mënyra e vetme
të kornizohet frymëmarrja. Nga qielli binte mana
e ëmbël dhe e vakët si qumështi nga sisa. O Zot!
Kemi mundur dhe me puthjet ta arrijmë të njëjtën,
fare t’njëjtën gjë, kemi mundur dhe me
afshin në xham, në pasqyrën e pastër për ne
mjegulla të shkruajë se frymojmë, me shkrim
ngrohtësinë pa prekje dhe zëra ta përçojmë,
thjesht të ndodhemi këtu, e jo në rrjetin e gjakut
pështjelluar, jo si qenë të uritur, jo si zemër
përjetësisht e uritur që nga gjoksi ulërin.
Frymë balona dhe pastaj i shpuam me thikat
plot gjashtë ditë. Të shtatën kemi pushuar.

– – –
© 2004, S. Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International (Rotterdam)
© nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008

Notë :
…në poezitë “Java e shenjtë”, “Qeni di më mirë”, “Parullat e Harresës”, “Mish që nuk prishet” (etj.) të poetes kroate Sibila Petlevski, ironia “poetike” është e thellë dhe ka t’bëjë me katrahurën e ish-Jugosllavisë, me dridhjen e themeleve të ish-federatës dhe me shpërthimin e luftrave (fillimisht në Slloveni, në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë…), autorja sikur e përqesh natyrën konfliktuoze të njeriut dhe të politikave të veta, sikur tallet se dhe “qeni do dinte ta kufizonte botën e vet”, zonën politike të influencës, perandorinë e vet të interesave, për rikufizim të ca entiteteve tjera politike s’ishte e nevojshme gjithë ajo gjakderdhje, gjithë ajo tragjedi kolektive e popujve, ekzistonte një ngrehinë politike dhe shpresa ishte diç si “lulet mbjellur në asfalt”, për ndarje e ca kufinj të tjerë vallë pse duheshin gjithë ato luftra e gjakderdhje, pse gjithë ajo “…pështjellimë në rrjetin e gjakut, si zemër përjetësisht e uritur që nga gjoksi ulërin”, autorja thuase ironizon me vetë dhimbjen, me copëzimin e përgjakshëm të federates, me nacionalizmat e me ambicjet politike megalomane, me kufijtë e me ngatërresat, me kompleksitetin e “përzierjes” politike, me enklavat politike e demografike të popullsisë kroate, serbe, boshnjake etj…
(sguraziu)