Sibila Petlevski – Peizazh me Tri Hëna

PEIZAZH ME TRI HËNA
Sibila Petlevski [1964, Kroaci]

Shteg si një skelet peshku me kreshta
që përfundojnë n’shkurrishtë ose humbasin
në myshnjë, ngatërruar me brezoret e drunjve
të moçëm. Mbi të, jo që moti shfaqen drapërinj
të hënave ndriçuese – dy, tre ose më shumë sosh.
Çdo ecje përgjatë cungut të asaj udhe e barabartë
është me heqjen dorë dhe nënkupton më tepër sesa
rrugëthyerjen. Nata është më e dukshme se kurrë.

Dhe aromatike: ngjashëm me aromën e gjethit
shtypur mes gishtit e shuplakës. Bukur është
t’jesh këtu, në peizazhin i cili ndryshimet e veta
nuk ia ka borxh dorës së njeriut dhe as natyrës.
S’mund të zgjedhësh: shtigjet hapen vetiu
si petalet e lulëkuqes. Ndërlidhen dhe shemben
thepisur, bien si ujëvara shkëlqimi të trupave
shumëzuar: dy, tre ose më shumë. Degëzohen
shtigjet e amputuara: plagët e vjetra të
vendimmarrjeve të vështira sonte mbulohen me bar.

– – –
© 2004, S. Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International (Rotterdam)
© nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008