Boris Maruna – Më e Lehtë nga Larg

MË E LEHTË NGA LARG
Boris Maruna [1940-2007, Kroaci]

(Pour Bernadette)

Ishte më e lehtë të të doja nga larg,
Të isha me ty në debatet
e pafund letrare të natës
Derisa mjegulla e detit ngrihej
dhe sakaq i fshihte gjymtyrët
Ato kujtimet që nuk përputheshin
Nëpër fjalitë e pakëputura të mallit:
Asgjë s’mund ta cenonte
imagjinatën për ty.
Tani nga afër më sforcon
të të ndjej si dhëmbin e kalbur
Si plagën e hapur, si çekanin nervor,
si mishin e gjallë të së pakuptimtës
Sëmundje ndaj së cilës
që të dy jemi të pafuqishëm
Si para një deklarate të vërtetë
Dhe të shembeshim.
E ndonjëherë dashuria
ishte si përjetimi i vetmisë
E pastër dhe e mirëfilltë
Personazhe dhe peizazhe
që i thërrasin kujtesës
Si leshterik deti që luhatet nga valët.
Larg ditët nga ti, mbrëmjet
e pafund letrare
Botë kjo pa njëmendësi, por
e vetvetes dhe fundimtare
Si një poezi e mirë e mbyllur
fort në të gjitha anët
Dhe unë në tymin e llullës
pas banakut detrave të largët
Që na ndajnë në secilin moment
admiral iluzionesh.

– – –
© Boris Maruna – Burimi: “Ngushëllimi i kaosit” – Antologji e poezisë bashkëkohore kroate
© nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2016