PANTOUM* PËR DEPRESIONIN E MADH*
Donald Justice [ 1925-2004, ShBA ]
Jetët tona e shmangen tragjedinë
Thjesht duke vazhduar tutje,
Jetë pa fund dhe me pak kuptim të dukshëm.
Oh, kishte stuhi dhe katastrofa të vogla.
Thjesht duke vazhduar tutje,
Ne ia dolëm. S’pati nevojë për heroizëm.
Oh, kishte stuhi dhe katastrofa të vogla.
S’i mbaj mend të gjitha të veçantat.
Ia dolëm. S’pati nevojë për heroizëm.
Pati festime të zakonshme, pikëllime të zakonshme.
S’i mbaj mend të gjitha të veçantat.
Përtej gardhit, fqinjët ishin kori ynë.
Festime të zakonshme, pikëllime të zakonshme.
Falë Zotit askush s’tha gjë në vargje.
Fqinjët ishin kori ynë i vetëm,
Dhe nëse vuanim thjesht e ruanim qetësinë.
Kurrë s’tha kush diç në vargje.
Ishin keqardhjet e zakonshme dhe frika që na konsumonte,
Nëse vuanim thjesht e ruanim qetësinë
Askush s’do ta dijë ndonjëherë historinë.
Ishin keqardhjet e zakonshme dhe frika që na konsumonte,
Mbledhur në verandat; hëna ngjitej qiellit; ishim të varfër.
Kush do ta dijë ndonjëherë historinë tonë?
Përtej dritareve bota aktuale ndriçonte.
Mbledhur në verandat; hëna ngjitej qiellit; ishim të varfër.
Dhe koha kalonte, e tërhequr nga kuaj të ngadaltë.
Diku përtej dritareve bota ndriçonte.
Depresioni i Madh* kishte hyrë në shpirtrat si mjegull.
Dhe koha kalonte, e tërhequr nga kuaj të ngadaltë.
Vetë s’e dinim çfarë do ishte fundi.
Depresioni i Madh kishte hyrë në shpirtrat si mjegull.
I kishim mangësitë tona, ndoshta ca virtyte personale.
Por ne vetë s’e dinim çfarë ishte fundi.
Njerëz si ne thjesht vazhdojnë tutje.
I kemi mangësitë tona, ndoshta ca virtyte personale.
Është rastësia e verbër që i shmangemi tragjedisë.
Dhe s’ka asnjë komplot në këtë;
thjesht poetikja s’ka këtu vend.
– – –
© 2004 D. Justice – Burimi: Collected Poems, “Alfred A. Knopf, Inc.”, 2004 (via Poetry Foundation, USA)
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2015
– – –
* pantoum – një formë malajziase e vargjeve, që përbëhet nga citatet me një skemë AB/AB të rimës, e lidhur me linjat e përsëritura.
* Depresioni i Madh ishte kriza ekonomike më e gjatë, më e thellë, kriza më e përhapur e shekullit XX, e njohur si depresion i rëndë ekonomik në mbarë botën, në vitet 1929-1930. Kriza filloi në ShBA me dështimin e tregut të aksioneve, ku nga pasojat pastaj papunësia u shenjua deri në 25%, por në disa vende papunësia pati arritur deri në 33%. Depresioni i Madh pati efekte të rënda ekonomike në vendet e pasura dhe të varfra anembanë botës, psh. të dhënat flasin se tregtia ndërkombëtare dhe qarkullimi monetar qenë zvogëluar për më shumë se 50 % të volumit të atëhershëm.
(sguraziu)