Maarten van der Graaff – Listë Këngësh Qytetarie

LISTË KËNGËSH QYTETARIE
Maarten van der Graaff [ 1987, Holandë ]

Sonte dua t’flas me një fashist.
Nën dritën e zbehtë e duke pirë birrë,
për Evropën
dhe për bosët, për bosët e bosëve.
E gjitha do t’jetë si në një sallon,
tretje ushqimi e një qyteti nënujor.
Në gjysmë-errësirë, sipas dëshirës
reciproke
do ta shohim Evropën duke e ditur
që diç e vjetër na është vjedhur.

I uritur para televiziorit. Qytetar i një
shteti jam,
ha lakër jeshile ngrohur në mikrovalë,
shikoj një përsëritje të Frasier.
Është detyrë e imja të ha salçiqe
dhe kanaqen me lëng ta boshatis.
Në Internet lexoj një polemikë shkruar
dikur nga unë,
dhe përkundër stilit të varfër, kalkulimi.

Papritmas kuptoj që s’jam duke pritur
të ardhmen
dhe se Zotin e kam braktisur,
familjen, shpirtin që strehohej në mua.
Ç’regjistroj tani?
Jo mall për vendlindjen as për ëndrrat
e shtëpisë,
por menjelehtësi, zemërim, politikë
të vdekur.
E urrej këtë gjymtimë dhe po ashtu
ardhmërinë.
Jam diç e vërtetë si mineral i pastër
rrethuar nga motra dhe vëllezër.

Jam parazit i një diçkaje të panjohur.
Vëllezër e motra kam rreth e rrotull
e shpesh trembem nga një gjumë i dehur.
Ulur në autobusin e vonë e shoh hënën
mbi fushat e Flakkee-së.
Sektor bujqësor, kam punuar në ty
dhe tani larg nga bukuria jote e zymtë,
e cila e kapshme është nga romantika
funksionale e një autobusi nate,
por jo ndryshe.

Megjithatë jam kënaqur me trupësinë
e zhardhokëve lëkuror, me kokëzat
e tulipanëve.
Anise jo punë e imja, jo patjetër duhet bërë.
I kam parë biotopet e dijes
dhe shkallës së pasurisë jam ngjitur.
Trupi im ishte muskul sezonal i verës,
tani jam kreativ.

Këndellem në Flakkee, ishull i zymtë,
ku fillimisht një mazohist religjioz isha,
e më vonë shpirtin e njerëzimit kërkova.
Tani hëna me shkëlqimin e vet mbi fushat
dhe unë i sjell në mendje idetë, të tretura.

Shëmbëlltyra ime në Stad aan ‘Haringvliet.
Ç’po ndodhë këtu?
Gjithandej shkëlqen privatja, por
qyteti për diç tjetër dëshiron të flet.
Jeta e klubit pllakosur nga qetësia.
Shtëpitë dhe shtyllat e dritave ftohen.
Në fushën e futbollit s’ka njeri.
Ndalem në mesfushë dhe i shoh vijat.
Shkruaj një poezi për dushin pas ndeshjes.
Për trupat e bardhë rinor, për homofobinë
tonë.
Trupat e shokëve të skuadrës ishin
infot e mia.
Kujtimet rreth diçkaje kolektive.
Dhe tani çfarë?

– – –
© M. van der Graaff – Burimi: “Dood werk” – Botues: Atlas Contact, Amsterdam, 2015 – via Poetry International – Rotterdam, 2016
© nga holandishtja S. Guraziu – Ars Poetica, 2016

– – –
* në vitin 2014, me vëllimin poetik “Autopoezi fluturimthi”, Maarten van der Graaff e pati fituar çmimin letrar holandez “C. Buddingh” si debutanti më i mirë për v. 2014 – me rastin e pjesëmarrjes së tij rishtas në festivalin “Poetry International, Rotterdam”, në vitin 2016, qe sjellur në shqip nga unë një cikël poezish, cikli qe publikuar në “Metafora” (botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë)
(sguraziu)