Ardita Jatru – Përditshmëri Krimesh të Padukshme

PËRDITSHMËRI KRIMESH TË PADUKSHME
Ardita Jatru [ 1972, Tiranë ]

1
Janë ca dashuri që nuk shkruhen,
veç i sheh
me dy-tri ngjyra fytyrës
me dy-tri burbuqe në buzë
e një pikë diell i bën prush
e ngazëllehesh.
Ca dashuri të mëdha,
si fëmijë naiv e të paqshëm.

2
Janë ca ditë që nuk ia gjej krahët vetes
ca ditë me flokë të shprishura
me kokën rrëmujë
ca ditë të gjata që ikin si ujë
të grindura
e brenda meje tjerrin vetminë.
Sa shpesh më ndodh!

3
Janë ca gjëra të thjeshta
ca gjëra njerëzore
një laps
një letër
një pikë shpirt
dhe një peizash i bukur, të kesh ç’të thuash.
Ca gjëra në jetë, kaq të thjeshta
që humbasim.

4
Janë ca mërzi të vogla që të këputin
ca mërzi si grimca nëpër kokë
e bëhen arsye.
Kështu e përcolla veten dje,
të humbur,
kështu u kthye dhe sot.
Janë ca mërzi të vogla
që më lidhin shtratit
ca mërzi dimri, në ditë me diell
e bëhen lëmsh.
Kush e di se ç’kohë ka atje,
O zemër, kush të prêt?

5
Janë ca vetmi të bukura
që i ftojmë të vijnë
dhe me to ndajmë shtratin e rrëfimit.
Por janë ca vetmi si puse të thara.
Fundi është i zi
e nuk gjen një pikë ujë të lagësh shpirtin
gjëkundi nuk duket një dorë,
gjëkundi as dita.
E dalëngadalë,
ti bëhesh pema e mërzisë në mes të botës
që veten ha.

– – –
[ © A. Jatru, 2015 – poezi nga vëllimi “66 kg vetmi”, 2015 – Sh. B. Albas, Tiranë ]
(fotoja: Gazeta Mapo, 2012)