Siduket “frika” nga AI kurrë s’do na shqitet

(s. guraziu – ap, dhjetor 23 – koment)

…paska 1 milion $ shpërblim, nëse e zgjidh problemin e madh të shkencës, ja shansi për ndokend të bëhet milioner, sa për vete e pranoj shkurt e troç, mjaft modestisht mund t’them “kokë pa kapacitet… s’ka kapacitet”, por kjo s’do të thotë që s’duhet t’i njoftojë të tjerët, andaj mos më “kritikoni” eventualisht në të ardhmen se nuk ju pata lajmëruar me kohë për shansin, padyshim i pari që po jua sjell në shqip lajmin e shpërblimit 1-milionësh $ : )

…revista e shkencës “quanta” sapo e ka publikuar një video mjaft interesante (them sapo meqë ende s’i ka as 1 ditë, as 20 orë), ashtu-kështu redaksia “quanta” gjithmonë sjellin përmbajtje kualitative (në rregull, aty-këtu ndonjëherë sikur e teprojnë pakëz me ngulshimin, me entuziasmin shkencor… sidomos nëse fjala t’jetë për “vrimat e zeza”, për “materien e errët”, për “energjinë e errët” e këso temash të “zeza” shkencore… përndryshe janë ok : )

…fjala videografike ishte për temën “p vs. np” (problemet polinomike vs. problemeve eksponenciale jo-polinomike… siç thonë shkencëtarët kjo e fundit është ajo “kokëdhimbja” reale e kompjuterave, sado të avancuar qofshin), në fakt fjala është për problemin më të madh të pazgjidhur të shkencave kompjuterike – që në hyrje thuhet se 1 milion $ shpërblim, dollarët i takojnë secilitkujt që e zgjidh problemin…

…fare lehtë mund t’jetë videoja më e mirë e javës në Youtube [ adresa: https://youtu.be/pQsdygaYcE4 ] në mos dhe e muajit, flitet aty për shumë gjëra, fillimisht rrahet historia e shkurtër e shkencave kompjuterike në përgjithësi, flitet pastaj për operacionet dhe algoritmikat logjike “buleanizmat”, për makinat “Turing”, për klasat e ndryshme të problemeve kompjuterike, për fushën e meta-kompleksitetit etj etj…

…më bëri përshtypje dhe përmbyllja, sepse njëri nga ekspertët e shpalosi brengën e vet, u shpreh pakashumë si vijon “…nëse qytetërimi të zgjatë mjaftueshëm, do priresha të mendoj se ndoshta problemet e tilla si “p vs. np” do t’zgjidhen një ditë, por pasiguria ime kryesore është, do jenë njerëzit ata që e zgjidhin apo AI? Çfarë nëse problemin “p vs. np” e zgjidh GPT 10 për ne? Dhe nëse po, a do jemi në gjendje ta kuptojmë zgjidhjen e realizuar nga AI?” – përmbyllet vërejtja e tij, e përcjellur me buzëqeshjen… sepse siduket “frika” nga AI kurrë s’do na shqitet : )