Alienët (jashtëtokësorët), dhe Largpamësia e NASA

…fakti që teoricienët konspirativë nuk ndalen me titujtë e llojit “NASA ka ndërmend të dërgojë foto nudo në hapësirë, e ndoshta dhe video-pornografika, në mënyrë që t’ua vjedh vëmendjen alienëve” etj., këmbëngulja dhe vazhdimësia konspirativiste padyshim gjithkujt i duket e çuditshme – sidoqoftë, ne nuk pajtohemi me dramatizimet e tilla, ne distancohemi, më mirë urojmë që t’mos ketë fare “alienë”, jo t’jetë kozmosi i zbrazët por urojmë që alienët t’mos ekzistojnë…

…ka kaluar gjysmë shekulli tashmë, NASA ashtu-kështu desh e pati bërë gaz njerëzimin, jo vetëm në v. 1972 me fluturaken “Pioneer” i pati nisur figurat e njeriut “nudo”, 100% cullak, cipo-lakuriq në hapësirë, por madje ca vite më vonë NASA pandehte se kozmosi patjetër do ketë alienë që dinë turqisht, ose psh. ne v 1977 Ballkani ynë “alienëve” eventual të kozmosit u qe prezantuar me një këngë nga Bullgaria, thuase bullgarët na qenkeshin kusherinj me ta, dhe se alienët do mallëngjehen me muzikat e tyre : )
(kjo ishte shtojcë… dhjetor 2023, shtojcë me shkas – me poshtë fragment)

| – – – f r a g m e n t – – –
Në v. 1977 NASA do t’i lançonte 2 fluturake “Voyager”, të dyja që t’niseshin në pakthim, qe supozuar të “humbisnin” në hapësirën e thellë përjashta Sistemit Diellor. Anise dhe më përpara fluturaket qenë pajisur me pllaka të vogla metalike (për identifikim të vend-origjinës), tashmë NASA do ta instalonte një mesazh shumë më ambicioz, një lloj “kapsule kohore” që synonte komunikimin me jashtëtokësorët (eventual). Mesazhi nënkuptonte një regjistër fonografik, një disk bakri veshur me flori, mbushur me audio dhe imazhe të zgjedhura, për ta portretizuar sadopak laryshinë e jetës dhe të kulturës tokësore.

Përmbajtja e “Diskut të Artë” atëbotë qe përzgjedhur nga një grup i kryesuar nga Carl Sagan. Do t’i mblidhnin 115 imazhe dhe një llojshmëri tingujsh të natyrshëm (tinguj të erës, të vullkaneve, të bubullimave, të zogjve, të balenave dhe të kafshëve tjera). Do t’shtonin dhe zgjedhje muzikore nga kultura dhe epoka të ndryshme, pastaj përshëndetje në 55 gjuhë, duke filluar me gjuhën Akadiane (Sumeriane, të vjetër rreth 6000 vjet) e duke përfunduar me dialektin modern kinez, Wu. Ndërsa përzgjedhja eklektike 90-minutëshe muzikore përfshinte klasiken Perëndimore / Lindore, si dhe dhe një larmi etno-muzikore të popujve të ndryshëm.

Pra, “Disku i Artë” i NASA dedikuar për alienët e universit i kishte ose i ka 90 minuta muzikë. Nga ky minutazh afro 30 minuta u takojnë “klasikëve”; qenë zgjedhur 2 muzika të Betovenit, 2 muzika të Bahut, 1 muzikë e Stravinskit dhe 1 muzikë e Mozartit. Pjesa tjetër “muzikore” do t’përfshinte lloj-lloj muzikash nga e gjithë bota. Psh. Ballkani ynë “alienëve” eventual të kozmosit u qe prezantuar me një këngë nga Bullgaria. Ndër të tjera “Disku…” i NASA do t’kishte dhe këngë të indianëve Navajo, pastaj këngë të aborigjinëve të Australisë etj.

Përveç fotografive, përveç muzikës, përveç tingujve karakteristik të planetit, pjesa tjetër e diskut do t’përbëhej nga “Përshëndetjet për Universin”, inçizuar enkas për “alienët”, në 55 gjuhë të ndryshme të botës. Madje dhe në Serbisht, e në Turqisht, për fat të keq jo dhe në Shqip (kuptohet bota i ka me mijëra gjuhë e dialekte, NASA s’mund t’i përfshinte të gjitha).

Gjithsesi, përshëndetja e inçizuar në Turqisht, na del mjaft “alogjike” po aq sa dhe simpatike. Meqë i bie sikur atëbotë NASA pandehte se kozmosi patjetër do ketë alienë që dinë turqisht. Përshëndetja turke për alienët qe inçizuar si vijon: “Të dashur miq turqishtfolës, nderimet mëngjesore qofshin mbi kokat tuaja”. Ec e mos buzëqesh me largpamësinë e NASA : )
| – – –
[ fragment nga “Liria artistike, universalizmat, ndërlidhja e ëmbël e koinçidencave” – S. Guraziu – Ars Poetica, Prill 2021 ]