Kravata kaltroshe e solidarizimit mbretëror

(s. guraziu – ap, dhjetor 23 – rishtas rreth mosmarrëveshjes greko-britanike)

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë shteti mikpritës i “Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2023” (të njohur si COP 28). Vetë s’kam qenë prezent në Dubai gjatë hapjes së Konferencës, s’më ka ftuar kush : ) as s’kam patur punë, por sipas mediave mbreti Charles III atë ditë e paska zgjedhur një kravatë klatroshe të stolisur me flamujsh grekë.

E qartë se zgjedhja e tij nuk i paska “pëlqyer” gjithkujt në Britani, shumkush i paska “rrudhur vetullat”, pallati mbretëror Buckingham i paska refuzuar komentet lidhur me kravatën solidarizuese të Charles III. Ndërsa në Greqi kravata e monarkut britanik qenka interpretuar si një gjest solidariteti me kauzën e tyre rreth pronësisë së Mermerëve të Partenonit. Sipas David Tusing (National News – EBA) monarku britanik është supozuar të jetë mbi politikën, por në Greqi e shohin zgjedhjen e tij të kravatës si shenjë solidarizimi.

Sipas meje shenjë fort e mirë kjo, kuptohet se dhe unë qesh “solidarizuar” (kam shkruar madje), e edhe pothuaj gjithë Evropa janë solidarizuar me “pikëllimin e statujave”. S’është nevoja t’jesh patjetër “grekofil a helenofil” për ta përkrahur të drejtën e statujave dhe të frizave greke. Cilat statuja do “donin” t’jenë të thyera, të çmontuara, të përgjysmuara, të plaçkitura, të abuzuara!

Mund t’jenë solidarizuar e gjithë bota, tekefundit ashtu “tinëz”, në heshtje, mirëpo ndryshe nëse “solidarizohet” vetë Charles III, kjo është mrekullia. Anise ndokush rishtas mund të “çuditet” pse duhet shkuar aq larg në Dubai për t’u solidarizuar me kravatë – mbreti mund ta vishte kravatën dhe në shtëpi. Dihet se babai i mbretit Charles III, Princi Philip ka lindur në familjen mbretërore greke, dhe se Charles ka lidhje të thella me Greqinë.

Kudo që ai si mbret t’i shpalos sentimentet dhe ndjenjat solidarizueze me të “drejtën e mermerëve të Partenonit” ia vlen. S’jam duke thënë se do ishte njëjtë që Charles III të shkonte në Mars dhe atje ta shpaloste gjoksin e krenarisë solidarizuese… jo, atje do ishte tepër “larg”, do ishte falsitet, do ishte sa për “sy e faqe” të yjeve, por në Dubai është okidoki, s’është aspak “larg” : )