Gustav Klimt – Teatri Antik në Taormina, 1886-7

Nudistika Imagjinare – Gustav Klimt – “Teatri Antik në Taormina”, 1886-7 [ detaj – tavani i teatrit “Burgtheater”, Vjenë ]
(s. guraziu – ap, d 23)

Foto: Teatri Antik në Taormina – Sicili, Itali
…rreth shek. 3 pes., në Taormina të Sicilisë qe ndërtuar një teatër madhështor, teatri antik kishte diametër prej 107 m dhe mund t’i akomodonte rreth 10.000 spektatorë, 3-4 shekuj më vonë, romakët e patën rindërtuar teatrin (mbase rreth kohës së perandorit Trajan, v. 98 -117, ose të Hadrianit – ky pati sunduar ndërmjet v. 117-138 es )…

***
Ndërmjet viteve 1886-88, tavani i teatrit të mirënjohur “Burgtheater” në Vjenë qe zbukuruar me piktura të vëllezërve Gustav dhe Ernst Klimt, si dhe të Franz Matsch. Grupi i artistëve atëbotë qe punësuar nga shteti. Pikturat në tavanin e teatrit madhështor vjenez e “përshkruajnë” historinë teatrale që nga antikiteti e deri në fillim të shek. XIX.

Piktura e parë e tyre në tavanin e “Burgtheater” ishte tablloja “Teatri i Shekspirit (Romeo e Xhulieta), 1886” (kreditohet grupi, por dihet se kryemjeshtri i saj kryesisht konsiderohet Gustav Klimt). Piktura e paraqet skenën finale nga drama shekspiriane “Romeo e Xhulieta” në teatrin “Globe” të Londrës.

Gjithsesi, ndër të tjera punime, si pikturë e Klimt në tavanin ishte dhe “Teatri Antik në Taormina”, 1886-7 (detaj, ngjitur)

Pasi qe përfunduar dekorimi artistik i tavanit, do dilte në pah se grupi sikur i pati tejkaluar të gjitha parapritjet, në v.1888 vetë perandori Franz Jozef (në fronin e Perandorisë Habsburgiane për 68 vite, 1848-1916) pati qenë jashtëzakonisht i impresionuar nga puna e tyre. Aq sa i nderoi me nga një “Yll të Artë” për shërbimet ndaj shtetit dhe ndaj artit, dhe secilit ia caktoi një pagë personale. Gjesti i perandorit padyshim duhet t’i ketë zënë galuç në “surprizë” artistët, pasi ishte gjest i veçantë dhe i papritur. Deri atëherë s’pati ndodhur që artistët në shërbim të shtetit të dekoroheshin e t’u ndaheshin paga aq të mira (madje ishte e zakonshme, paguheshin mjaft keq).

“Burgtheater” është një teatër në Vjenë, ndoshta teatri më i famshëm i Austrisë, stili dhe gjuha e këtij teatri kanë luajtur një rol vendimtar për sferën teatrale gjermanishtfolëse në përgjithësi. Teatri qe përfunduar në vitin 1741, mirëpo aty ku ndodhet sot qe zhvendosur në vitin 1888. Më vonë, gjatë bombardimeve në vitet 1944-45 ndërtesa qe dëmtuar rëndë, pas riparimeve qe rihapur në v. 1955.