Biznes Modern (Kasafortë për Zemrat – Ideja 1)

(s. guraziu, 2016 – skicë…)

(shkenca e re e ashtuquajtur “inteligjencë emocionale” do duhej të kthehet në njërën nga brengat kryesore për poetët, sepse siduket as dashuria s’është më siç na ishte : )

…biznesi qe dua të themeloj është një bankë zemrash, arkitekti ta planifikojë, si trezor gjigant ta projektojë, si pallat i Donald Trump, por jo vetëm për suitat njujorkeze, jo vetëm për zemrat e “Miss Universe”, jo vetëm për pasanikët e kësaj bote, në fakt duhet t’jetë diç si “Mirage”, pallat grandioz me shumë kate, për vegjëlinë e për elitat, me yje e me dritash, duhet t’jetë “international”, me logo e me gjithçka, e prapë jo si ato bordelet e Las Vegas, ideja në fjalë s’duhet ngatërruar me ndonjë bankë “spermash”, për çiftet nga e gjithë bota, të zhgënjyer… me ëndrra të thyera, me shpresa të humbura, banka duhet t’ketë kasaforta të blinduara, me vula, me kode e me numra, si ato klasike në “post office”, dhe pra thelbi i idesë: siguria, pa kompromise – mund ta depononi tuajën, dhe çdo natë të flini rehat, pa vuajtje, kurrë t’mos e humbni zemrën e çmuar, slogani: “siguri e garantuar”!

(sg – dhjetor 2023 – tani teksa po e lexoja fillova të “dyshoj” nëse ia vlen të postohet në blog kështu siç është, apo megjithatë ta lë… dhe kur t’kem kohë (nëse ta kem dhe vullnetin) t’i qasem rishtas temës, apo dhe kështu siç është… tekefundit blog-faqe personale është, thjesht diç si “fletore” digjitale, asgjë më shumë – jo “dyshim” për veten por për vizitorët (eventualisht), vetë e kuptoj fort mirë dhe e di çfarë thotë skica, si mos ta kuptoj  scribo-idenë time (më qeshet madje), atëherë kur e pata “skicuar idenë” pata menduar se do i rikthehem, dhe tani është fundi i v. 2023, imagjino pothuaj 6-7 vite dhe nuk i jam “kthyer”, sidoqoftë… hm, ja tani rishtas po mendoja pikërisht kështu siç është, e kryer, no big deal… s’është nevoja as t’i kthehem, as ta lodh tutje mendjen, pikë : )