VoAl (Ch) – “Vatra” e ShBA s’ka legjitimitet pan-shqiptar!

(s. guraziu – ars poetica, dhjetor 23 – koment)

Sipas drejtuesve të portalit “VoAl” (Voice of Albanians – Zëri i Shqiptarëve), z. Skënder dhe znj. Elida Buçpapaj, Federata Pan-shqiptare “Vatra” e ShBA për momentin nuk e ka legjitimitetin e duhur të pan-shqiptarizmit sepse është “komunizuar” (komunist-izuar) nga klientelizmi majtist i Edi Ramës, për fat të keq “Vatra” ka shkitur në të majten e politikës dhe kështusoj nuk i përfaqëson tutje idealet e atyre që e themeluan.

Kuptohet se diaspora shqiptare është arterie shumë e rëndësishme e kombit, s’ka si mohohet fakti që veprimtaria e diasporës evro-amerikane dhe bashkëpunimi i ndërsjell gjithmonë i kanë shërbyer vendlindjes. Në linjën historike të aktivitetit të diasporës shqiptare, veprimtaria e vatranëve dhe e diasporës në ShBA, prore ka qenë në fokusin e VoAl, se bashkëpunimi mes VoAl dhe “Vatra” kurrë s’ka munguar.

“Vatra” me gazetën e saj “Dielli” identifikohej me anti-komunizmin, vatranët janë dalluar për qendrimet anti-komuniste, pro-demokratike dhe pro-amerikane. Për rolin e saj të fuqishëm patriotik, si organizatë “Vatra” ka qenë halë në sy për regjimin komunist. Krerët e “Vatrës” nga diktatura komuniste në Shqipëri qenë burgosur dhe pushkatuar, sikur dhe përndjekur në ShBA – thuhet në shkrimin e znj. Buçpapaj, publikuar si editorial i VoAl.

Për fat të keq tani “Vatra” është kthyer në një organizim patronazhistësh që udhëhiqet nga hija e Edi Ramës dhe ingranazheve të tij. Prej v. 2017 “Vatra” ka shkitur majtas, nuk i përfaqëson më idealet e atyre që e themeluan, “Vatra” nuk i përfaqëson më idealet e vatranëve, të cilët për 111 vjet tashmë e kanë ndjekur, brez pas brezi në kauzat kombëtare.

Sipas VoAl (Ch), Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të distancohet nga “mendësia” e politikëbërjes aktuale, duhet të riformohet si një parti “perëndimore”, e majta shqiptare do duhej të mbështetet në vlerat e meritokracisë e jo në korrupsion, klientelizëm, nepotizëm, kompromentim dhe në shkelje të ligjit.