Tekno-feudalizmi, dhe vdekja e kapitalizmit “klasik”!

(s. guraziu – ars poetica, dhjetor 23 – koment)

Yanis Varoufakis (ish-ministri grek i ekonomisë) argumenton se ndodhemi në një epokë të re ekonomike, se kapitalizmi siç e njohim apo siç njihnim ka mbaruar, kapitalizmi është zëvendësuar nga një sistem akoma më shfrytëzues.

Në vend të kapitalizmit “klasik” tani e kemi tekno-feudalizmin, në të cilin sistem pronarët e mëdhenj të teknologjisë janë bërë zotëruesit feudalë të botës.

Varoufakis mendon se kapitalizmi si sistem tashmë është i vdekur, vdekjen e kapitalizmit ai e përshkruan në librin “Technofeudalism: What Killed Capitalism“. Sipas tij, ndër të tjerë faktorë si “vrasës” të kapitalizmit janë gjigantët Amazon, Alibaba, dhe kompani të ngjashme.
Varoufakis nuk është optimist për “tekno-feudalizmin” si sistem, ai beson se nuk do t’përfundojë mirë – shkruajnë Marta R. Martinez dhe Tom Goodwin në një artikull për “Euronews”.

Pra jemi kthyer në feudalizëm, jo në feudalizmin e vjetër por tani një formë e re, në “tekno-feudalizmin”. Feudalizmi është një sistem i karakterizuar nga struktura hierarkike e pronësisë së tokës, ku zotërit u jepnin toka vasalëve në këmbim të shërbimit ushtarak dhe detyrimeve të tjera.

Tani zotërit janë pronarë të mëdhenj të teknologjisë, dhe përdoruesit janë vasalët. Vasalët i dorëzojnë të dhënat e tyre (dmth. privatësinë dhe gjithçka) në këmbim të shërbimit tekno-feudalistik.