Shkrimi, “klithma” më intelektuale që ekziston!

(sguraziu – ap, j 2024 – humoreskë)

Kushdo që merret me shkrime (e sidomos me poetikat), dhe nëse librat si dëshmi e mençurisë ende s’e kanë parë dritën, atëherë do duhej ta ketë sëpaku një logo, një firmë, apo diç si “branding”. Do duhej ta kesh dhe ti – sikur po i thosha vetes.

Sa herë e kap penën apo lapsin në dorë ke prirjen të pasqyrohesh më i miri, më i vërteti, më i sinqerti, sepse dihet… ana e shkruar është më e ndritura, më e ngritura, klithma me shkrim është klithma më intelektuale që ekziston. Njeriu merret me shkrime sepse e ka kthjelltësinë (e intelektit), dikush që është i “turbullt”, ai s’mund të shkruajë.

Edhe nëse ta ketë scribo-aftësinë, në ujin e turbullt s’pasqyrohet gjë. Ndërsa ata që mund të shkruajnë e kanë çiltërsinë e ujit të kthjellët, ku pasqyrohet shumçka. Ata që e kanë zotësinë e shkrimit janë të kulturuar, të urtë, të civilizuar, ata dhe nëse çirren, nëse shajnë, nëse bërtasin… në kupë të qiellit, sharjet e tyre ngelin më të kulturuarat, do jenë forma më e “ndritur” e sharjes.
Sepse janë sharje me shkrim, “sharje” intelektuale, diç si rezignatash intelektuale, janë klithma të një shpirti që, padyshim, nuk pajtohet me diç. Janë thirrje të një urtaku, klithma me shkrim është klithma më e qytetëruar që njeh njeriu.

Vetë tërë jetën s’pata as logo, as firmë, as emër, as libra të botuar, por tani kam ardhur tek përfundimi dhe kam vendosur t’i kem. Autorët që merren me scribo-veset, që shkrimin e kanë si “hobby”, e sidomos poetët, shkrimtarët duhet ta kenë sëpaku 1 logo. S’po them ndonjë ambigram të avancuar i cili lexohet “njëjtë” kahdo ta rrotullosh. Por sëpaku 1 logo minimalistike, një shenjë bazike, tekefundit sepse është turp t’mos kesh asgjë si dhuratë për miqtë.

E mira e së mirës do ishte libër… u muar vesh, do ishte dëshmi-dhurata më e “prekshme”, vëllimet poetike madje do e kishin dhe shpirtin tënd brenda, mirëpo jo gjithkush do jetë i zoti me botimet, jo gjithkush do e ketë privilegjin e librave. Njihen dhe këto vështirësi të realitetit, jo çdosecilin autor do e marrin parasysh botuesit.

Andaj sëpaku kujdesu ta kesh një logo dhe duke e stampuar diku (psh. në stilolaps, apo në çfarëdo rekuiziti praktik) sëpaku do kesh gjithmonë çfarë t’u dhurosh miqve kur t’ia behin për vizitë. S’do bëhesh gazi i botës, vijnë miqtë dhe të ikin duarthatë, është thjesht e pakuptimtë, s’të falet kurrë, mos u mashtro me pandehmat.

Madje ndoshta shihet dhe si “jorespekt”, janë pikërisht formalizmat si cikërrima të thjeshta që e vulosin respektin. Nëse pretendon se na ditke të shkruash, nëse publikon shkrime virtualisht pothuaj gjithë jetën dhe nëse s’e ke as 1 libërth fizik, as 1 libër të mirëfilltë me emrin tënd, atëherë sëpaku kujdesu ta kesh një stilolaps me “firmën” tënde të autorsisë.

(Shtojcë) S’e kam idenë si “tingëllon” kjo që sapo shkrova më lart, mirëpo çfarë të them, në fund të fundit vërejtja vlen për mua 100%, jam unë ai që pothuaj tërë jetën duke shkruar dhe s’kam as 1 libërth, turp që s’pata as 1 logo deri tani, s’pata si dhuratë as 1 laps, as 1 kapelë, s’pata asnjë shenjë, asnjë vulë të autorsisë, asnjë dëshmi fizike të autenticitetit autorial. Turp… anise nga turpi nuk vdiset, njeriu s’di si vdiset madje as nga paturpësia, mirëpo fytyra është 2 pëllëmbë jo 2 hektarë…