Diç si kuanta-grimcash pluhuri në hapësirë!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2024 (teizmi, ateizmi, agnosticizmi shkencor etj…)

(…kohëve të fundit njerëzit e kanë shpikur madje dhe “jedaizmin” si religjion (nga Star Wars – “may force be with you”, fansat e Hollivudit dhe besimtarët e “jedaizmit” besojnë se besimi i tyre është religjion absolutisht kuptimplotë, sidoqoftë, për fat të mirë e kemi dhe njëfarëlloj shtegu të “asnjanësisë” filozofike sa i përket besimit-mosbesimit, është sistem i përkryer i përsiatjes, është edhe-edhe, as-as…)

***
Të besosh, natyrisht e gjitha çfarë duhet është ta kesh besimin, kur e ke besimin pastaj aq e “lehtë”. Intelekti i akorduar me vetveten në këtë mënyrë (dmth. me besimin e thjeshtë, jokushtimisht) e ka gjetur njëfarë rehatie dhe balansi, gjendja e tillë mendore prehet ose “pushon” në satisfaksionin e një niveli të caktuar shpirtëror dhe intelektual.

Shi për këtë besimi personal (dhe religjioni në përgjithësi, si institucionalizim) e kanë rëndësinë absolute dhe të pakontestueshme, sepse njeriut i ofrohet qetësia shpirtërore-mendore lidhur me ekzistencën, me mbijetesën, me “vrazhdësinë” e botës materialistike etj.

Ndoshta dallimi bazik mes një teisti (besimtari), një ateisti (jobesimtari) dhe një agnostiku do mund të thjeshtësohej si sqarim duke thënë se, rreth pyetjes “nëse Zoti ekziston apo jo”, teisti do përgjigjej “po”, ateisti “jo”, dhe agnostiku (si një analist i madh, si shkencëtar-kureshtar, si ndonjë Ajnshtajn, si filozof me shumë pikëpyetje + pikëçuditëse në kokë) do t’thoshte “ndoshta”.

Sidoqoftë, në blog-faqen personale “Ars Poetica”, në v. 2017, me titullin [ Agnosticizmi dhe “Agnos-teizmi” – Ngjashmëria dhe Dallimi! ] i pata shkruar 2 paragrafë, shkurt si vijon:

Një ateist nuk beson se Zoti ekziston, ateisti i “zjarrtë” e hedh poshtë vetë idenë e Zotit, kundërshtia e tij ndaj besimit ka të bëjë me thelbin e vetë idesë “Zot”. Ironikisht, ateizmi kthehet shpesh në ironi të kulluar pasi disa ateistë janë aq fanatikë në shprehjen e ateizmit sa vetë ateizmi ose mosbesimi i tyre kthehet në njëfarëlloj besimi. Të besosh shenjtërisht në mosbesim dhe të insistosh në absolutizmin e të drejtës dhe të “vërtetësisë” së besimit tënd… është gjithashtu një lloj besimi (a “religjioni” : )

Agnosticizmi ka të bëjë me njohuritë, dhe sidomos me njohuritë që mungojnë (jo vetëm në kuptimin e dijeve “shkencore” dhe të fakteve, por dhe në sensin filozofik).
Një agnostik nuk e di nëse ka Zot, por nuk gjykon preras dhe e respekton “idenë” se mund të ketë Zot, ai nuk e kundërshton verbërisht “idenë” në fjalë, por as nuk i beson verbërisht… Pasi nuk i ka njohuritë e duhura për ta argumentuar ekzistencën ose joekzistencën e Zotit, një agnostik thjesht mund të jetë besimtar (teist) ose jobesimtar (ateist). Gjithsesi, në të dy rastet kam përshtypjen agnostikët nuk janë të “zhurmshëm” dhe as të bujshëm lidhur me çfarë ata besojnë, përkundrazi… zakonisht janë racionalistë.

***
Them se qëndron, kuptohet, sipas meje, siç paskam shkruar s’ka ndonjë gjë që nuk qëndron (m’u ngjall buzëqeshja me përshkrimin e ateistëve të flaktë). Qenkam shprehur atëherë se “të besosh shenjtërisht në mosbesim dhe të insistosh në absolutizmin e të drejtës dhe të ‘vërtetësisë’ së besimit tënd… është gjithashtu një lloj besimi”.

I bie se kam dashur të them që ndoshta më thellë (ndoshta në nëndijen e tyre – qoftë dhe nëse ateistët e “flaktë” me këmbëngulje t’i rezistonin thënies sime) pikëpamjet ateistike rreth “Zotit” nuk e nënkuptojnë domosdoshmërisht mohimin e Zotit (si entitet). Por gjithashtu, kuptohet se nuk kanë, nuk ndiejnë ndonjë “lidhje” me pikëpamjen tradicionale të Zotit (siç paraqitet në Bibël, në Kuran ose në libra të shenjtë).

Falë dialektikës ideatike, avancohen pandalshëm dhe shkencat, të gjitha njohuritë lëvizin. Ligjet janë ligje, edhe konstantat ngelin “konstante”… por me kalimin e çdo sekonde lindin filiza të rinj idesh, përparohen njohuritë, s’ngelet gjë e mendjes së njeriut që s’mund të “sfidohet”. Bie fjala, sfidohen dhe interpretimet e teksteve biblike, ato kuranore etj.

Padyshim pjesa dërrmuese e të krishterëve besojnë (ashtu siç e thotë dhe Bibla) se Zoti e krijoi një univers të mirë dhe të përsosur, pa ekzistencën e ligësisë dhe të keqijave. Mirëpo Zoti s’donte që njerëzimi t’jenë si robotë dhe t’i ndjekin direktivat ashtu robotikisht. Andaj vendosi që njerzëve t’ua falte “vullnetin e lirë”, aftësinë për të zgjedhur.

Dhe kështu, ata do zgjedhnin mes 2 opsioneve, mes “Pemës së Jetës” (të kënaqeshin duke jetuar, pa analitikat, pa e “lodhur” kokën rreth thelbësores së asgjëje) dhe në anën tjetër mes “Pemës së Njohurive” (kjo e fundit i kapërthen dhe të “mirat e të këqijat” e dijeve, të njohurive, të filozofizmit, të shkencave etj.).

Anise, natyrisht, sipas shumkujt (duke u marrë me studimet e detajizuara tekstuale dhe me interpretimet) ky nuk është shpjegimi më i mirë që Bibla mund të ofronte. Nga shumkush mund të shtrohen pyetje e pikëpyetje të panumërta. Qëkur një entitet omnipotent siç është Zoti (me plotfuqinë ashtu-kështu të pakufijshme) të lehtë e kishte ta krijonte një botë pa të këqijat dhe pa ligësinë.

Besimtarët dhe shkollarët e religjionit mund t’i shpikin njëmijë e një ide, panumër teori dhe interpretime si “justifikim” të vullnetit hyjnor (providencës) për ekzistencën e ligësive dhe të këqijave. Por absolutisht e qartë që nuk nevojiteshin fare këto. Zoti me vullnetin e vet të paskajshëm mund t’i kishte lënë jashtë “përdorimit”.

Njëkohësisht duke ua falur krijesave të veta + “vullnetin e lirë” (pse të kursente, pse duhej t’i “dhimbsej” diç). Tekefundit në mënyrë që njerëzit të zgjedhnin mes kënaqësive të panumërta të jetës (pasi kur ka shumë opsione dhe variacione, e ke dhe luksozitetin e zgjedhjes, apo jo).

Besimtari i devotshëm nuk e ndjen të arsyeshme shtruarjen e asnjë pyetjeje a pikëpyetjeje, në kokën e tij nuk lëviz asnjë fije “dyshimi”.
Ndryshe nga kureshtia dhe prirjet “filozofike” (le t’themi ndryshe nga prirja e shkencëtarëve, ose e filozofëve, artistëve etj.) besimtarët e devotshëm botëkuptimin e kanë mjaftueshëm të “sqaruar”, botëkuptimi i tyre ushqehet nëpërmjet një koncepti të caktuar dogmatik.

Kjo pikëpamje e besimit “simplistik” ia themi se quhet pikëpamje teiste, ose teistike (e kundërta me pikëpamjen ateistike). Pikëpamja ateistike, si më e përhapura, si ateizëm, nënkupton mungesën e besimit në Zot (siç paraqitet në librat e shenjtë). Niveli i mosbesimit ateistik gjithashtu mund të ndryshojë, endet nga një dikush që thjesht nuk mendon se ekzistenca e një Zoti suprematik ka kuptim, tek ndonjë dikush si ‘persona’ që është fare absurdist a nihilist. Ky i fundit sikur beson se universi s’ka ndonjë “logjikë ekzistenciale” por është diç si probabilitet i rastësishëm, nuk ka rregulla të qëndrueshme (të jotjetërsueshme), është thjesht një univers i “rastësisë”, totalisht i rastësishëm me ngjarjet, me eventet e me ndodhitë.

Psh., le të “ekzagjerojmë” pakëz me ilustrimin e idesë – si mishërim komplet i scientia-mendësisë, nëse ta “parafrazonim” pikëpamjen e pafajshme ateistike të një Carl Sagan, njerëzimi jeton në një planet të vetmuar e të humbur diku në askundësi (Tokë i thonë, planet i thënçin, meqë nga larg duket si një rruazë imcake), mezi shihet nga sondat akoma pa e lënë sistemin diellor. Aq i paskajshëm dhe i pakapërthyeshën “kozmosi saganian”, jemi thjesht diç si kuanta-grimcash pluhuri në hapësirë, ia themi “sistemi ynë solaris”, rrotullohemi rreth një ylli të zakonshëm, i cili ndodhet në bisht të një galaktike të zakonshme.

Ndërsa universi me miliarda galaktikash të zakonshme që vërtiten (si zakonisht, asgjë e jashtëzakonshme), zor t’ketë ndonjë kuptim apo motiv prapa veseve galaktikore, qëkur vetë galaktikat marramendëse në pafundësinë e tyre. Jemi këtu ku jemi thjesht sepse jemi duke u vërtitur me miliarda vjet, thjesht sepse ngjarjet e rastësishme “evolutive” na sollën në të tashmën ekzistenciale, ku dhe sot e kësaj dite ende vazhdohet me vërtitjen kot, sepse vërtitja thjesht një “ves” i pandryshueshëm universal. Padyshim duke u vërtitur… krijohen yjet, planetet, gjithçka, ashtu qe krijuar dhe planeti ynë, duke u vërtitur me miliarda vjet.

Pra nëse ekzistenca të “shoshitej” me këso pikëpamjesh, atëherë jeta mund t’ketë sadopak kuptim vetëm nëse i qasesh shkencës dhe me inercionin e kureshtisë mendore e asgjëson mundësinë e çmendurisë eventuale. O të merret njeriu me religjionet… prandaj dhe 4000+ besime të ndryshme, kohëve të fundit njerëzit e kanë shpikur madje dhe “jedaizmin” si religjion (nga Star Wars – “may force be with you”, fansat e Hollivudit dhe besimtarët e “jedaizmit” besojnë se besimi i tyre është religjion absolutisht kuptimplotë, po aq sa dhe feja e të krishterëve, për pasuesit).

Përndryshe njerëzimit s’i ngelet tjetër pos të çmendet me luftrat dhe, ose me “kthimin mbrapsht” të historisë civilizuese. Ose tekefundit nëse hiçgjë tjetër t’mos ndodhte atëherë e qartë se njerëzimi do vdiste nga mërzia e nga monotonia e jetës.

Mirëpo, për fat të mirë e kemi dhe njëfarëlloj shtegu të “asnjanësisë” filozofike sa i përket besimit-mosbesimit, është sistem i përkryer i përsiatjes, është edhe-edhe, as-as, ndoshta-ndoshta. Agnosticizmi nënkupton ose niset nga “premisa e gatshme” se ekzistenca e Zotit është e panjohur – qëkur vërtet dhe është e panjohur, dihet. Nëse ekzistenca e Zotit t’ishte e “njohur”, atëherë asnjë besimtar s’do ishte nevoja të “besonte” (pa dyshuar aspak). Dmth., një agnostik nuk mund të pohojë “po” Zoti ekziston (siç do pohonte teisti), ose “jo”, Zoti nuk ekziston (siç do e mohonte ateisti).

Agnostikët nuk janë të sigurtë për ekzistencën e Zotit por e respektojnë “idenë” se mund të ketë Zot, nuk e kundërshtojnë totalisht si “ide”. Dhe mbase kjo është ajo mrekullia e dallimësisë, meqë sa i përket “sigurisë” askush s’është i sigurt (besimtarët mund të pandehin se janë të “sigurtë”, por dhe ata thjesht besojnë, jo patjetër do e kenë parë Zotin, besimin e kanë si “ushqim” shpirtëror, mund ta “shohin” vetëm shpirtërisht).

E megjithatë ka agnostikë që thonë se e besojnë ekzistencën e Zotit, por jo patjetër duhet t’jetë ai Zoti biblik (apo Zoti i ndonjë religjioni tjetër). Disa agnostikë, sidomos në qarqet e shkencëtarëve, besojnë në një entitet pan-deistik (të bazuar pakashumë në shkencë, diç si “Deus Scientia”, siç më pëlqen ta quaj Deusin e tyre – s’do kishte asgjë kontradiktore nëse këta të quheshin “panteistë”, dmth. të llojit të tyre).

Ky Zot i tyre është diç si “intelekt” universal i panjohur (kuptohet se i panjohur, u muar vesh), diç si inteligjencë kozmike. Me fjalë të tjera, Zoti i tyre do ishte diç si shkrirje (apo dhe si ngjizje) e të gjitha ligjeve universale, siç shkenca e derisotshme (impenjim intelektual pothuaj 400-vjeçar) i njeh nëpërmjet fizikës “klasike” dhe të asaj kuantike.