Videot tragjike si “lajme”, dhe dhimbja jonë!

S. Guraziu – Ars Poetica, J 2024

(ç’humbje tragjike e jetës, o Zot… s’po të përzihemi në qeverisjen tënde të universit por na kurse nga këso video të tmerrshme, e dimë se vdekja është ligj, jo ndëshkim… po sëpaku jo këso video sepse janë shokuese…)

“Vdekja është ligj, jo ndëshkim” – pati thënë Jean-Baptiste Dubos. Të vdesësh në pleqërinë e thellë, sepse është proces i natyrshëm, është fare e “ligjshme”. Të vdesësh s’është ndëshkim por ligj. Ashtu-kështu s’na takon përjetësia, pa le që dhe do mërziteshim (duke jetuar tepër gjatë), vallë çdo bënim nëse me shekuj e shekuj… Nooo thnx, s’na duhet jetëgjatësia, padyshim do mërziteshim.

S’ka si mohohet fakti që vdekja është mishërimi i neutralitetit më të pastër. Madje është njëra nga “ndodhitë” paqësore më të frikshme në gjithë multiversin si megavers (qoftë hyjnor, apo qoftë multiversum agnostik. psh. i “string-teoricienëve”, i teorizimeve moderne). Imagjino, edhe paqësore… dhe njëkohësisht aq e frikshme ! Kuptohet se e plotfuqishme, asgjë s’mund t’i shmanget, nëse vdekja qenka “paqe” atëherë paqja do duhej t’ishte diç si qetësi psikologjike, është supozuar që paqja t’na ishte lehtësim, assesi “stres”.

Nga ana tjetër, vdekjen e shkaktojnë edhe vrasjet, quhen vrasje pikërisht sepse e “shkaktojnë” vdekjen. Dhe njeriu s’mund të ngelet indeferent, vallë si mund të jetë vdekje “paqësore”, sepse vdekja tashmë është (ose do duhej të konsiderohej nga ligjvënësit) “pasojë” e paligjshme, sepse vrasjet s’janë “ligj”. Sikur prore e kemi përshtypjen që ky aspekt i “ligjvënies” universale nuk qe ideuar bash siç duhet, sikur s’e ka ndonjë “përkryerje, përsosmëri” hyjnore, dhe as të natyrshme.

Kushdo që t’i ketë shpikur “ligjet” e vdekjes (! nisemi se janë ligje të Zotit, ndokush thotë të Natyrës, Evolucionit… whatever) thuase nuk i patën shoshitur mirë të gjitha detajet e skenarit. Vdekjen dhe mund ta kishim akspeptuar si “ligj” (në kuptimin e thënies së Dubos), mirëpo të të vrasin pa asnjë pikë faji, pa i bërë gjë kujt, në të drejtën tënde, zor se mund t’na jetë “ligj” i pranueshëm (për t’u quajtur vdekje).

Bie fjala, edhe vrasjet nga nekrofilët (dmth. si shembull, sa për t’marrë ndonjë shembull ekstrem) e shkaktojnë vdekjen, dhe pastaj akti nekrofilik i tyre me kufomat, e kapërcen absurdin dhe gjithçka të njerëzores. E qartë se të sëmurë mendërisht, e qartë se njeriu është “njeri” në kokën e vet, e qartë se vdekja (si shuarje e jetës) rishtas e ruan atë neutralitetin e vet (s’e “gjykon” as dorasin as viktimën). E dimë fort mirë… por ç’e do, vdekjet e tilla janë tragjike për psiken tonë dhe s’e kemi kurrë të lehtë t’i procesojmë.

Vdekjet tragjike siç na përcillen tashmë përmes lajmeve vizuale (si rasti i rrëzimit të avionëve) janë gjithmonë shokuese, qofshin dhe ndodhi totalisht aksidentale. Po ashtu, në kuptimin filozofik s’e mohon kush omni-neutralitetin e vdekjes – 100% asnjanëse, 100% neutrale ndaj gjithçkaje (thuase mishërim i devotshëm për ekuilibrimin universal).

Shkurt, sadopak me atë tharmin filozofik të njeriut, e qartë se vdekja është event balansues ekzistencial. Omni-neutraliteti absolut i vdekjes thuase e rritë paqartësinë e natyrës enigmatike dhe të frikës ndaj saj. S’është për t’u çuditur se psiko-përjetimi njerëzor s’do ta ketë kurrë të “lehtë” procesimin… mbase afërmendsh dhe kjo.

“Sugjeroj që t’përpiqeni me përuljen, sepse m’është bërë e qartë se ju njerëzit nuk e kuptoni sa pak mendoj për juve dhe për specien tuaj. Ju vetë sa herë ecni rrugës do e vrisni ndonjë milingonë, edhe nëse aksidentalisht, as që ju intereson. Ose imagjinojeni vrasjen e bakterieve, këtë e bëni thjesht dhe vetëm duke marrë frymë. Njerëzia dhe gjallesat nuk vdesin as nga urrejtja as nga dashuria ime, s’është kjo ‘punë’ as hobby as profesion; vdekja ndodhë sepse duhet të ndodhë unë…” – (citohet të ketë thënë kështu askush tjetër por vetë Vdekja).

***
Para ca ditëve, në pikë të ditës sikur u “këndella” nga një ëndërr e shëmtuar (pa qenë i fjetur fare), po shihja në TV se z. Trump rishtas qenka duke garuar për presidencën, i paskësh fituar afro 50% të votave në njërin nga shtetet gjatë “vrapit” – thoshte TV.
Epo… i lumtë atij për zotësinë e vet, pa qenë i zoti s’ke si bëhesh as president – përndryshe do bëhesha dhe unë.

Mirëpo, larg ironisë, thuase m’u bë e vështirë ta “besoja” realitetin, më bëhej sikur isha i fjetur, më pëlqente t’isha i fjetur, thuase çfarë po dëgjoja ishte njëfarë ëndrre e shëmtuar. Vallë si është e mundur që ky realitet i politikës amerikane t’jetë i vërtetë – rishtas dhe 1 herë pas gjithë asaj cirkusiade a la amerikançe, si është e mundur që Trump do na fituaka prapë… ajme!

Dhe dmth. desha të them, nganjëherë sikur më pëlqen ta sforcoj “mosbesimin” e realitetit. Ndonjëherë më ndodhë vetvetiu. Më kujtohet, më pati “ndodhur” para 20 e kusur viteve kur CNN nga hiçasgjëja filloi t’i shfaqte avionet tek përplaseshin në kullat e NY… Rishtas më ndodhi këto ditë (anise jo në atë masë si atëherë me përplasjen e avionëve të terrorit në kullat e Nju Jorkut). Në lajmet e njërit nga kanalet holandeze po shfaqej një video e inçizuar me iPhone se si një avion rus a ukrainas (ende nuk dihej se i kujt ishte) u përplas në tokë dhe eksplodoi.

Dhe ja… ai zjarri infernal që ngritej në qiell, ca sekonda tjerë pas atij shokimi vizual dhe njeriu s’ka ç’mendon tjetër por “vallë sa shpirtra… ç’humbje tragjike e jetës, o Zot… s’po të përzihemi në qeverisjen tënde të universit por na kurse nga këso video të tmerrshme, e dimë se vdekja është ligj, jo ndëshkim… po sëpaku jo këso video sepse janë shokuese”.

Diç e ngjashme si “footage” më kujtohet një avion transporti luftarak i amerikanëve sapo qe nisur… apo akoma duke u “ngjitur” e pati humbur balansin për t’u përplasur pas ca çasteve dhe duke u mbuluar me tymin e zi të fatkeqësisë. Dhimbja dhe keqardhja na pati shtangosur, sepse tragjike, s’pati qenë “ngushëllim” aspak se avion mallrash – fat i madh që s’kishte pasagjerë, e saktë kjo, por tragjedia e anëtarëve të ekuipazhit po aq shokuese…