Audre Lorde – Thëngjillguri

THËNGJILLGURI
Audre Lorde [ 1934-1992, ShBA ]

Është plotësisht i zi, si fjalëqitje
Thellë nga brendësia e tokës.
Dhe ka shumë lloje të hapjes.
Siç diamanti kurthohet në nyjen prej flakësh
Siç zëri kthehet në fjalë, ngjyrosur
Nga kush merr mundin për t’folur.

Disa fjalë janë të hapura
Si diamanti në xhamin e dritares
Këngëtim brenda vezullimit të diellit kalimtar
Pastaj ka fjalë të tilla palosur si bastet
Në një libër me vrimat lidhëzuar – bleje,
nënshkruaje dhe shqyeje –
Le t’ndodhë çfarëdo t’jetë shkruar,
të gjitha shanset
Ngelet majëlapsi i shpenzuar
Dhëmbi i çkulur me buzëmishin e shqyer.
Disa fjalë jetojnë në fytin tim
Mbarsen si nepërkat. Të tjerat diell-kërkuese
Si ciganë endacakë mbi gjuhën time
Donë të shpërthejnë përmes buzëve
Si trumcakë të njomë nga vezë-lëvozhga.
Disa fjalë
Janë vrastare të mia.

Dashuria është fjalë, diç si tjetërllojësi e hapjes –
Si diamanti që kurthohet në nyjen prej flakësh
Jam i zi sepse vij nga brendia e tokës
Fjala ime si një xhevahir në dritën e hapur.

– – –
© A. Lorde – Burimi: The Collected Poems ( W. W. Norton and Company Inc., 1997 ) – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2018