William Stanley Merwin – Vitit të Ri

VITIT TË RI
William Stanley Merwin [ 1927, ShBA ]

Me ç’heshtje të bukur shfaqesh
në luginë më në fund, drita e parë
diellore që arrin poshtë për t’i prekur
majat e ca gjetheve “kryelarta”,
që nuk tunden thua se s’të kishin
vënë re, e se gjoja s’të njihnin as
kush je, pastaj zëri i një pëllumbi
thërret nga largësia e vetvetes
deri në qetësimin mëngjesor,
kështu që, këtu dhe tani, kjo është
zhurma jote, pavarësisht nëse
të dëgjon kush apo jo, këtu
kemi arritur me moshën tonë,
me njohuritë tona sido që të jenë,
me shpresat ashtu siç ato janë,
të padukshme para nesh, të
paprekshme dhe ende të mundshme

– – –
© 2005 W. S. Merwin – Burimi: Present Company ( Copper Canyon Press, 2005 ), via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 1 J 2019

– – –
…kështu, kaq thjeshtë poetikisht i “flet Vitit të Ri” njëri nga poetët më të shquar amerikan i gjysmëshekullit të fundit, W. Merwin, i cili ishte “Poet Laureat” i ShBA, fitues i dyfishtë i çmimit Pulitzer për Poezi, i çmimit Bollingen, i çmimit Wallace Stevens… dhe i plot shpërblimeve të tjera – poezia qe ndarë sot si “Poezi e Ditës”, për dashamirët e poezisë anembanë botës, më 1 Janar 2019, nga fondacioni “Poetry Foundation”…
(sguraziu)