Nëna ime është “de luxe” (humoreskë)

Senad Guraziu, 2006 (humoreskë)

(…ishim mërrolur e prishur në fytyrat. Çdo gjë që kishim përmendur deri atëherë ra në ujë e filloi të “ndryshkej”, s’kishte më vlerë. Habia dhe zilia na kishin turbulluar, sepse e dinim mirë: Lavdërim kaçurreli ishte fitimtari, ai dhe askush tjetër. S’ia vlente më, ishte e kotë…)

Më kujtohet kur, si fëmijë, spontanisht qemë futur në një garë për t’i lavdëruar nënat tona. Nuk di tani me siguri nëse vërtet pati qenë “spontane”, por dhe nuk di cili nga ne e shpiku, kush qe shkaktari, apo ç’na shtyri në atë lojë të çuditshme. Di se qemë kthyer në kacagjelash të papërmbajtshëm, bënim zhurmë e s’linim radhë për njëri-tjetrin, secili “kaçuretën” përpjetë. Shtyheshim se kush do ta gjente ndonjë fjalë më interesante ose shprehjen më të rrallë, për t’i ngritur nënat në qiell.

Nuk është se Fjalori ynë ishte i “varfër” por dhe aq e lehtë s’ishte. Kriteret ndryshonin çdo moment; ktheheshin në më të rreptë. Mjaftonte një shkëndijë pakënaqësie dhe ne vlonim me propozimet e panumërta. Një ditë prej ditësh, në një aso momenti “plogështie të rastit”, ishim hutuar paksa me numrimin dhe me klasifikimin e gogëlxhamave, Lavdërim “qurravecit” papritmas i shkrepi diç shumë interesante: “Nëna ime është deluxe…” tha me një lloj pasigurie, së cilës saora ia vuri ndërskamcën. Çështje sekondash në fakt, vetëtimthi u bind se thënia e tij mund të quhej “bingo”! Mënga i “rrëshqiti” njëherë si shigjetë poshtë hundës së skuqur dhe sytë filluan t’i shkëlqejnë.

Ne e shikuam njëri-tjetrin, të stepur e të mekur, s’kishte ngelur gjë për ne. Filluam me zbritjen si “gjelat e Konicës nga gardhi”, të gjithë kokëulur, njëri pas tjetrit. Ishim mërrolur e prishur në fytyrat. Çdo gjë që kishim përmendur deri atëherë ra në ujë e filloi të “ndryshkej”, s’kishte më vlerë. Habia dhe zilia na kishin turbulluar, sepse e dinim mirë: Lavdërim kaçurreli ishte fitimtari, ai dhe askush tjetër. S’ia vlente më, ishte e kotë.

Ai thjesht ia kishte qëlluar në pikë – në pikë të pikës. I kishte çarë shigjetat tona në dysh, si Robin Hudi. Fitorja është ëmbëlsirë, humbja është e hidhur – kot shtireshim, kot përvidheshim. E dinim mirë, vendimi i vështirë por duhej të dorëzoheshim. Në sytë ia shihnim krenarinë të cilën ai as që mundohej ta fshihte. E pse ta fshihte! Pirolla i qoftë, e kishte gjetur që ç’ke me të. Kapitullimi ishte i pashmangshëm! Më në fund – dikujt më herët e dikujt më vonë – na qe mbushur mendja, sado të mundoheshim diç më interesante se ai s’do të gjenim.

***
Dhe të gjithë ne, madje shumë muaj më parë, veç e kishim lexuar etiketën “deluxe” në traktorin e Xha Maliqit. Të gjithëve na pati pëlqyer shkëlqimi metalik, na xigëlonte, na pati mahnitur, se ç’kishte diç të kulluar në të… paçka se kuptimin etiketës nuk ia dinim. Ç’do të thoshte saktësisht ajo “deluxe” as që e kishim idenë. Asnjëri nga ne. Ndoshta s’ishte as nevoja ta dinim, qëkur ndodhej në traktorin më të ri që kishte parë fshati ndonjëherë.

Fakti se ashtu shkruante (madje me shkronja të arta, fort shkëlqyese) sikur e neutralizonte nevojën për ta kuptuar në thelb domethënien e asaj etikete. Për këtë fliste mjaftueshëm vetë traktori. Ne, disi nëpërmjet karakteristikave të traktorit, e dinim se etiketa vezulluese e kishte vendin aty.

Ç’është e vërteta, sikur ashtu flisnin dhe vetë mustaqet e Xha Maliqit, tek nisej për në pazarin e Malishevës. Shkonte çdo ditë tregu atje, rregullisht shkonte. Edhe kur s’blinte gjë, edhe kur s’kishte punë. Ulej në çajtoren më prestigjioze të qytezës, “Blini” (ku shtirej se nuk i shihte vjedhurazi filmat karate), pinte çaja dhe hante qofte të shijshme deri në pasditen e vonë. Thjesht kënaqej me miqtë, po ashtu traktoristë. Qeshte e gajasej, kuvendonte me të njohur e të panjohur.

E kush s’do kënaqej, kush s’do shkonte si ai pazareve? Askush s’do hezitonte me një aso traktori fringo. Plisi i bardhë dëborë dhe traktori “Ferguson” do i jepnin hijeshi dhe vetë tregut të Prishtinës, pa lëre atij të Malishevës. Apo, madje dhe s’duhej të shkonte gjëkundi. As në Malishevë, e as në Rahovec. Thjesht dhe kur dilte rrugës së Rrafshinës, mjaftonte. Në fakt ishte Kryeplaku i katundit, prandaj dhe e quanin shkurt, “kryeplaku”. Vetëm kaq dhe dihej.

Mbante një këmishë të hekurosur xham (aso “të kamerierëve…” – sipas Jupës, hokatarit të katundit), tirq të blerë në Shtime tek Gafurr Gajtanxhiu, i njohur ky, “me namë deri n’Durrës”, (në shokën laramane traka-traka flitej se e mbante një revole të markës Bereta, por kjo s’dihej aq sigurt), pastaj një sako allafranga ngjyrë hiri dhe opinga që shkëlqenin-pasqyrë (në xhepin e jashtëm të sakos i shihej palosur buletini i LKJ-së, “Komunisti”).

Kohët e fundit mjaft shpesh e shihje dhe me aso “patika t’Kinës”. Mokasinkat e bardha kineze ishin në modë, shiteshin tashmë dhe në dyqanin e Zenun Digitrunit. Se ishin në modë, ai e kishte hetuar, gjithë djelmuria që loznin pasditeve në oborrin e shkollës i mbanin të njëjta. Dhe për më tepër ishin aq të qëndrueshme. “S’shqyhen dot” – e pati siguruar Zenun dyqanxhiu, “ec kah ta dojë loçka, shko n’zabel o ndaç n’fushë o ndaç n’Vardar”. Pastaj nuk ishin as të shtrenjta, besa ishin dhe pendël të lehta. Këmbët nuk i djersiteshin më, siç ndodhte me opingat e gomës. Kishte zbuluar pra se “patikat kineze” ishin fort praktike!

Më kujtohet kur ai, i rruar akull dhe i freskët, me mustaqet si musketir, i hipte traktorit në oborrin e tij dhe nisej rrugës përmes arave të Rrafshinës, ngadalë-ngadalë. E përshëndeste gjithsecilin katundar, bënte me dorë, i uronte argatët ose burrat e vetmuar nëpër arat skaj rrugës, e kthente kokën nga pas dhe shikonte nga “hidraulikat” në mos i kishte rënë ndonjë hekur, dhe pastaj kur qetësohej se çdo gjë ishte në rregull, e tërhiqte llozin shkëlqyes të gasit, thuase dikur në rini kishte qenë “kalorës i Ali Pashës” dhe se tani i kishte ngelur zakon “ta thumbonte atin”.

Traktori merrte hov përpara si kalë i devotshëm, e nën gumzhimën ritmike të motorit, kryeplakut mbase i koklaviteshin mendimet si lëmsh, nën plisin e leshtë. Mirëpo, për të menduar mirëfilli, s’besoj se mund t’ketë menduar gjë. Në aso çaste, padyshim, secili fill do t’i këputej nën sulmet e krenarisë, të kënaqësisë e të vetëbesimit. Tekefundit kishte sa të duash kohë për meditime të thella, serioze. Pse i duhej të mendonte pikërisht tani, kur kishte dalë të kënaqej, ashtu siç i kishte hije me kuqaloshin e vet.

Ishte fakt që katundi prej treqind shtëpish, katund me lagje të shpërndara, që shtrihej “hapët, pothuaj sa Rahoveci”, ia kishte besuar detyrën më nderuese – duke e zgjedhur udhëheqës, prijatar, bajraktar. Kjo s’ishte pak. Sikur i bindur se ishte bërë trefish më burrë nga ç’kishte qenë, kryeplakut i shkëlqenin fort dy dhëmbët e artë, shpëlarë “me çaj rusi, e me pak raki të Rahovecit” nën rrezet e diellit të pasditës.

Ndonjë gur ose gropë rrugës, si dhe kur duhej përshëndetur kalimtarët, e bënte ta shtynte dorezën e kromizuar me aq hijeshi dhe traktori e zvogëlonte shpejtësinë sipas qejfit. Shpesh skajohej që t’i bënte rrugë ndonjë veture, kur dhe kërrusej që t’shihte në mos ishte ndonjë mik ose ndokush i njohur. Shumicën e veturave i njihte, por ai i përshëndeste dhe ata që rastësisht qëllonin të panjohur, anise rrallë. Ndalej me buzën në gaz, i jepte sirenës shkurtazi tyyyyyt, bënte me dorë – një lloj gjesti pothuaj i ngjashëm me nazi-përshëndetjet.

Pamja e tij gjithkujt i linte të kuptonte se ishte një burrë “shtatë derhem”. Dhe ata ia kthenin me dozat e tyre të respektit, e luhatnin kokën lehtas duke vënë dorën në zemër në shenjë falënderimi. Pastaj kryeplaku vazhdonte tutje. Mirëpo për vegjëlinë, për argatshtinë, burra, gra e fëmijë që takonte, rrallë ndalej. Atyre vetëm u thërriste “…lodhe hiç, ooo Asllan Kamishi?”. Pak më tej… “uji nalet e ti kuuuurrë, ooo Ramushooo”, më tutje: “puna maaar ooo Selman trimi”, ndokujt ia kthente: “jo bac jo, po ti, a lodhe ti?”… ose të tjerëve vetëm ua bënte me dorë, hijerëndë.

Njerëzia kujtonin se kishte ndonjë punë me rëndësi në qendër, atje tek shkolla ku mbaheshin mbledhjet e katundit. Ose mendonin se shkonte për ta blerë “çajin në dyqanin e Zenun Digitrunit” (dyqanin e preferuar të tij, tek sheshi Lama e Kuqe). Apo se ia kishte mësyer tek “sekretari i Partisë, Qazim Trapi” për konsulltime të ndryshme mbi punët dhe problemet e fshatit.

Pasditja dhe buzëmbrëmja ishin kohët kur atë rregullisht e shihje rrugës së Rrafshinës me traktorin e kuq – duke shkuar, ose duke ardhur.

***
Tani pas njëzet e kusur vjetësh Xha Maliqi është kthyer në një plak-xhufurrak. Punët kanë ndryshuar, prandaj dhe botëkuptimet e tij janë “adaptuar” me kohën. Ai s’është krenar për shkopin por akoma ia thotë mendja se ka shije të kulluar për të bukurën, për gjërat e bukura. Në zemrën e tij shumë gjëra mund t’jenë shuar, mbase mund t’jetë e vërtetë, por jo dhe nostalgjitë. Diç më të bukur se kuqaloshi “Ferguson” ende nuk ka – beson akoma ai – përveç nëse në këtë kategori ta fusnim dhe makinën “Ferrari”.

Po, kjo tjetër gjë, sidomos një aso kuq-e-zeze që e kishte parë rastësisht diku afër Lidhjes së Shkrimtarëve, në kryeqytet. “Të ngelësh pa fjalë e pa një kokërr mend” – pati klithur. Natyrisht që kishte të drejtë. “Ferrari” makinë ëndrrash, gjithmonë magjepse, ka qenë dhe do jetë. Ashtu siç është magjepsës, përherë, dhe flamuri kuq e zi.

Kuptohet, Xha Maliqi nuk e dinte sekretin tonë të garës. Po ashtu, njësoj si ne, as ai nuk e pati ditur kurrë mirëfilli kuptimin e “deluxe”.
Sidoqoftë, ngeli lëvdata më interesante për nënat. Askush s’ia pati kaluar Lavdërimit kaçurrel. Askush nuk pati gjetur ndonjë lëvdatë tjetër më origjinale, më domethënëse. Lavdërimi mbeti kampion sot e asaj dite, falë traktorit kuqalosh të Maliq Kapllanit.